“Arrest me burg” vendosi dje Gjykata e Durrësit për autorët e vrasjes së dy kunatave Elsa dhe Gjinovefa Vava si dhe për nipin e njërës prej viktimave Artur Kacanollin. Në seanca të veçuara nga njëra-tjetra, Gjykata fillimisht dha masën e sigurisë me burg për Velson Elmazin, 28 vjeç, nga Elbasani, ndërsa i njëjti vendim në mungesë u dha edhe për bashkëpunëtorin e tij në krim Indrit Shaqen, 40 vjeç, i cili është shpallur në kërkim. Ndërkohë, trupi gjykues la në burg nipin e njërës prej viktimave, mbi të cilin rëndon akuza e armëmbajtjes pa leje dhe si i dyshuar për veprën penale vjedhje me pasojë vdekje. Nga seanca e djeshme, mësohet se 28-vjeçari Velson Elmazi e ka pranuar se ka kryer krimin, po kështu edhe Artur Kacanolli, i cili akuzohet për bashkëpunim, nuk ka pranuar të jetë i përfshirë në këtë vrasje.
Dy personat e lënë në burg akuzohen për “Grabitje me pasojë vdekjen” e dy grave. Mësohet se Artur Kacanolli ishte bashkëpunëtor, nipi i një prej të moshuarës, Gjenovefës, nga martesa e parë, ndërkohë nuk dihen arsyet se pse e ka shtyrë nipin të jetë pjesë e këtij krimi të dyfishtë. Dy të moshuarat u gjetën të pajeta në banesën e tyre dykatëshe nga i biri i njërës prej viktimave. Ndonëse u përfol për dy pista hetimi, ngjarja u fokusua tek grabitja, pasi u konstatua se në banesë mungonin 2 milionë lekë. Ndaj të moshuarve, sipas ekspertizës mjekoligjore ishte ushtruar dhunë, ndërsa ato u gjetën me duart të lidhura, ku asfiksia i solli dhe vdekjen.
Sipas dosjes hetimore, të bërë publike dje edhe në Gjykatë mësohet se krimi makabër ndaj dy të moshuarve është bërë me ndihmën e nipit të 77-vjeçares Gjinovefa Vava, i cili u ka treguar dy autorëve, vendndodhjen e një shume prej 2 milionë lekësh në banesë. Sipas hetimeve, mësohet se Kacanolli kohë më parë ka kërkuar me detonator në banesë për sende me vlerë si florinj dhe unaza, por ka zbuluar vetëm sasinë e parave prej 2 milionë lekësh (të vjetra). Më pas ai ka kontaktuar Velson Elmazin dhe Indrit Shaqen, me të cilët duke ditur vendin ku fshiheshin paratë, kanë përgatitur dhe kanë venë në jetë planin për grabitjen, që u finalizua edhe me vdekjen e dy të moshuarve, ndërsa vetë nuk ka qenë prezent natën e grabitjes. Nga hetimet e kryera nga Policia e Durrësit, ka rezultuar se krimi është ekzekutuar nga Indrit Shaqo dhe Velson Elmazi, të cilët kanë hyrë në banesë pasi kanë thyer dritaren e katit të parë të banesës. Për të realizuar qëllimin e tyre kriminal autorët kanë lidhur ne gjymtyrë dhe iu kanë bllokuar gojën dy të moshuarave, duke iu shkaktuar asfiksinë.
Disa ditë më parë, policia e Durrësit arrestoi dy persona, si të dyshuar për vrasjen e dy të moshuarave në qytetin bregdetar mëngjesin e 2 shtatorit 2014, ndërsa saktësoi se është shpallur në kërkim dhe një i tretë. Sipas policisë, falë një pune intensive hetimore u bë i mundur ndalimi i Velson Elmasit, 28 vjeç, lindur e banues në Elbasan, i dënuar më parë me 4 vjet burg për marrëdhënie seksuale me dhunë. Po ashtu, është arrestuar Artur Kaçanolli, 28 vjeç, lindur e banues në Shijak, i padënuar më parë, i dyshuar si bashkëpunëtor dhe për mbajtje pa leje të municioneve luftarake. Ndërsa është shpallur në kërkim Indrit Shaqja, 41 vjeç, lindur dhe banues në Shijak, i dënuar për krime kundër jetës dhe për disa ngjarje të rënda kriminale.
Akuzat për dy të arrestuarit dhe një të tretë të shpallur në kërkim, janë, “Vjedhje me pasojë vdekjen në bashkëpunim” për shtetasin Velson Elmazi dhe Indrit Shaqo dhe “Mbajtje pa leje e municioneve luftarake” për shtetasin Artur Kaçanolli.
Ngjarja e rëndë, në të cilën dy gra të moshuara janë dhunuar për vdekje, ndodhi natën midis datës 2 dhe 3 shtator të këtij viti në qytetin e Durrësit. Viktima të dhunës kanë qenë Gjinovefa dhe Elsa Vava, 77 dhe 72 vjeçe, kunata me njëra-tjetrën. Sulmit i shpëtoi një grua e tretë, Marjana, motër e Gjinovefës, e cila ishte e paralizuar.
Ngjarja ndodhi në katin e dytë të një banese private ku rrinin dy kunatat, e cila ishte në pronësi të tyre, në lagjen nr. 11, pranë Postës të qytetit bregdetar. Viktimat që në fillim të hetimeve, u dyshuan të ishin mbytur me qese plasmasi, ndërsa burime policore pohuan se të moshuarat i kishin të lidhura duart dhe se janë mbytur nga asfiksia. Viktimat kujdeseshin për gruan e tretë, invalide, e cila jetonte në katin e parë të banesës.
Pas arrestimit/ Shkarkohet kryetarja e Zyrës së Përmbarimit Vlorë
Ministri Nasip Naço ka shkarkuar dje kryetaren e Zyrës së Përmbarimit Vlorë, Algerta Fejzullai, e cila akuzohet për korrupsion. Në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë bëhet me dije se Fejzullai është shkarkuar, pasi me veprimet dhe mosveprimet e saj ka krijuar favore të padrejta ndaj personave të tjerë. Kreu i Zyrës së Përmbarimit në Vlorë dhe një avokate u arrestuan para dy ditësh pasi morën 50 mijë lekë të reja për mosekzekutimin e një vendimi. Algerta Fejzullai u arrestua gjatë operacionit policor të koduar “Përmbaruesi” bashkë me avokaten Dhurata Sulaj. Më 20 shtator, policia e qytetit bregdetar arrestoi në flagrancë kryetaren e Zyrës së Përmbarimit të Vlorës, Algerta Fejzullai, 28 vjeçe, dhe avokaten Dhurata Sulaj, 46 vjeçe. Kryetarja e Zyrës së Përmbarimit, Algerta Fejzullai, është kunata e kreut të Qarkut të Vlorës, Sidrit Danaj. Arrestimi i tyre u krye, pasi shtetasja Algerta Fejzullai dyshohet se nuk ka kryer ekzekutimin e një titulli ekzekutiv në këmbim të një shume të konsiderueshme parash të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale gjatë momentit të ndërhyrjes së policisë në një qendër estetike në afërsi të stadiumit “Flamurtari”, ku ishte dhe vendi i takimit dhe i dorëzimit të lekeve përmbarueses nga avokatja. Të hollat janë siguruar nga shtetasja Dhurata Sulaj, e cila ka qenë ndërmjetësja midis Përmbarueses dhe një personi tjetër. Arrestimi u krye fale hetimeve intensive 2 javore dhe një bashkëpunimi të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Itali/ Vidhnin vila e shtëpi luksoze, kapet banda e hajdutëve shqiptarë
Një organizatë kriminale shqiptarësh, e cila ishte e përqendruar në vjedhjen e vilave dhe shtëpive luksoze në Itali, është goditur dhe shpërbërë nga karabinierët në provincën e Venecias. Mësohet se organizata kriminale, me përbërje shtetas shqiptar vepronte në Itali që prej 2010, kryesisht aktive në Veneto. Gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm janë vënë në pranga disa shqiptarë të kapur në flagrancë gjatë vjedhjes së banesave. Akuzat që rëndojnë mbi ta, të bëra nga ana e prokurorisë janë vjedhje në bashkëpunim, rrëmbim personi, mbajtje dhe përdorim armësh. Sipas medieve vendase bëhet e ditur se banda është e përbërë nga qytetarë shqiptarë. Hetimet, me ndihmën e Prokurorisë së Parmës, sa i takon anës së analizës shkencore të provave gjatë grabitjeve, kanë bërë të mundur identifikimin e pjesshëm të autorëve. Hetimet në vijim kanë lejuar të vërtetohej se bëhej fjalë për një bandë kriminale, e cila kishte nisur veprimtarinë e saj që prej vitit 2010. Tashmë të ndalurit, identitetet e të cilëve nuk bëhen me dije, përballen me akuzat për veprat penale grabitje të banesave në bashkëpunim, rrëmbim personash dhe posedim dhe armëmbajtje pa leje.
—–




