Masa e arrestit/ Vranë krushkun e plagosën dhëndrin, mbeten në burg çifti Ndoj

Sonja Caka

 

Deklarimi para togave të zeza: E vramë Përparimin për vetëmbrojtje, na qëlloi me thikë

 Gjykata cakton masën “Arrest shtëpie” për nusen e kthyer në banesë, dy javë pas martese

 

 

anton, tereza dhe antoneta ndoj ne gjyq Gjykata e Durrësit ka lënë dje në burg çiftin e bashkëshortëve nga Mirdita, të cilët vranë krushkun pasi u ktheu vajzën në shtëpi, dy javë pas martese. Anton dhe Tereza Ndoj kanë pranuar krimin, ndërsa janë mbrojtur para gjykatës me termin krim për vetëmbrojtje, por pa shpjeguar se me çfarë i ka kërkuar krushku dhe djali i tij ndërsa erdhën për t’u sqaruar në banesën e tyre. Ndërsa për vajzën e tyre, Antoneta Ndoj, e cila ishte edhe nusja e kthyer në banesën e prindërve pas shereve të vazhdueshme në familjen e re, gjykata vendosi “Arrest shtëpie”. Pjesëtarët e së njëjtës familje, në bashkëpunim, akuzohen për vrasjen e krushkut të tyre Përparim Hoxhës 52 vjeç, si dhe plagosjen e dhëndrit, Xhulian Hoxhës. Akuza që rëndon ndaj çiftit Ndoj është “Vrasje në rrethana cilësuese”, si dhe “Vrasje me dashje të mbetur ne tentative”, ndërsa vajza e tyre, Antoneta Ndoj, akuzohet për bashkëpunim në këtë vrasje.

 

Seanca

 Në seancën e zhvilluar dje në gjykatën e Durrësit, tre anëtarët e familjes Ndoj shpjeguan para trupit gjykues versionin e tyre të gjithë dinamikës së ngjarjes së regjistruar në shtëpinë e tyre ditën e shtunë, në datë 15 mars. Sipas kryefamiljarit Anton Ndoj, krushku dhe dhëndri, Përparim dhe Xhuliano Hoxha, i kanë shkuar në shtëpi për t’i kthyer mbrapsht vajzën e martuar vetëm pak javë më parë. Sipas tij, babai i dhëndrit dhe 24-vjeçari nuk i kanë dhënë asnjë sqarim për ndarjen, gjë që ka nxitur reagimin e Antonit. Para trupit gjykues ai ka deklaruar se ka vepruar për vetëmbrojtje, pasi është sulmuar me thikë nga krushku i tij. I akuzuari Anton Ndoj ka pranuar para togave të zeza se në fillim ka qëlluar me çifte në ajër vetëm për t’i trembur at e bir, por menjëherë më pas është sulmuar me thikë nga Përparimi. Ndërkohë që pretendimi i të akuzuarit Anton Ndoj është hedhur poshtë nga organi i akuzës, pasi sipas prokurorit, Ndriçim Troplini, 53-vjeçari ka qëlluar në drejtim të krushkut, por plumbi nuk e ka prekur atë. Më pas situata ka degjeneruar në konfrontim fizik, ku krahas armës së zjarrit janë përdorur dhe thika e kaçavida. Më pas e ka marrë fjalën gruaja e tij, edhe kjo e akuzuar se ka shtirë me armë ndaj krushkut. Tereza Ndoj ka deklaruar për togat e zeza se ka humbur ndjenjat, pasi ka parë sulmin e krushkut dhe dhëndrit ndaj burrit të saj. Por, menjëherë ka reaguar prokurori Troplini, i cili ka deklaruar se ekzistojnë prova materiale që dëshmojnë se edhe 45-vjeçarja është përfshirë në konfliktin që rezultoi me një të vdekur dhe dy të plagosur. Ndërkohë që rezulton nga hetimet paraprake se 21-vjeçarja Antoneta Ndoj ka ndërhyrë për të shuar sherrin dhe më pas ka mbyllur derën e shtëpisë për të mos lënë burrin e saj, Xhulianon të dilte jashtë. Ndaj saj, sipas akuzës, nuk ekzistojnë prova materiale që të jetë e përfshirë në plagosjen e tre personave, njëri prej të cilëve, pikërisht vjehrri i saj, Përparim Hoxha, i cili humbi jetën më pas në spital si pasojë e plagëve të marra.

 

Ngjarja

 Ngjarja e rëndë u regjistrua pasditen e së shtunës, në zonën e ish-kënetës, në shtëpinë e Anton Ndoj, 53-vjeçarit me origjinë nga Mirdita. Kthimi i vajzës në shtëpi, vetëm pak javë pas martesës, u përmbyll me vrasjen e 49-vjeçarit Përparim Hoxha dhe plagosjen e djalit të tij, 24 vjeçar. Ndërkohë nga të shtënat me armë zjarri mbeti e plagosur lehtë edhe një 56 vjeçare, banore e zonës. Sipas deklarimeve të dhëna pas ngjarjes nga vajza Antoneta Ndoj, gjithçka ndodhi pas kthimit të saj në shtëpi, dy javë pas martese. Ajo ka shpjeguar se acarimi i marrëdhënieve në çift ndodhi pas kërkesës që ajo i ka bërë bashkëshortit të saj Xhulianos për te jetuar në një banesë me qira, pasi nuk shkonte me prindërit e tij. Ky i fundit e ka refuzuar ndarjen nga familja dhe kjo ka sjellë edhe kthimin e vajzës së familjes Ndoj në familjen prindërore dy javë pas martese. Kjo solli reagimin e prindërve të saj ndaj krushqisë, kryesisht të nënës së vajzës, e cila akuzohet të ketë nxitur të shoqin të qëllojë me armë ndaj krushkut dhe dhëndrit.

 

 

 

Vendimi

Vodhi të brendshme në një qendër tregtare, dënohet me 60 orë punë në interes publik

 Gjykata e Tiranës ka dënuar me 60 orë punë në interes publik një 38-vjeçare, e cila akuzohet se vodhi një palë të brendshme në një dyqan brenda një qendre tregtare. Vendimi për të pandehurën Suela G. është dhënë nga gjykata, pasi akuzohet për veprën penale të vjedhjes dhe nga akuza u kërkua dënimi i saj me burg dhe pezullimi i muajve të burgut duke e lënë në monitorim të Shërbimit të Provës. E pandehura akuzohet se ka vjedhur në dyqanin “Golden Point”, e ndodhur në TEG Tiranë, më datë 20.12.2013 një palë reçipeta të markës SISI (me çmim të deklaruar 2.490 lekë). Ajo ka qenë e shoqëruar me një mashkull në momentin që ka kryer vjedhjen, ndërsa mungesa e të brendshmeve është konstatuar nga njëra prej shitëseve që bënë edhe kallëzimin. Sipas akuzës, shtetasja Suela G. ka provuar disa të brendshme dhe më pas ka dalë nga dhoma e provës, ndërkohë duke qenë se shitësja ka vënë re se një palë reçipeta mungonin ka kontrolluar dhomën e provës ku ka parë se butoni plastik i sinjalizimit ishte hedhur poshtë. Në këto çaste i ka kërkuar të pandehurës të hapte çantën, duke pretenduar se vetëm ajo mund ta kishte marrë artikullin që mungonte, dhe duke qenë se nuk e gjeti artikullin e kërkuar, i ka kërkuar ta kontrollojë, duke u ndihmuar edhe nga dy punonjëse të tjera të dyqanit. Gjatë kontrollit të ushtruar, rezultoi se në mëngën e të pandehurës Suela G. u gjetën një palë reçipeta të markës SISI të cilat mungonin. E pandehura, duke përdorur fjalë banale, ka tentuar të largohet, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur pasi punonjëset e dyqanit kanë lajmëruar policinë.

 

 

 

 

 

 

 

Share it :