Në emisionin e mëngjesit “KAFE SHQETO” në Syri TV, moderuar nga Flavio Qarri, diplomati dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Mal Berisha, ndau mendimet e tij mbi situatën aktuale politike në Shqipëri, duke dhënë një kritikë të thellë dhe të argumentuar për zhvillimet e fundit.
Gjatë intervistës, Berisha u shpreh se ngjarjet që po ndodhin në vend prekin opozitën në mënyrat më të paprecedenta dhe më antiligjore, duke theksuar mungesën e një reagimi nga ana e forcave të rendit, të cilët, sipas tij, janë të “zgjedhur” dhe të kontrolluar nga pushteti për të mbështetur interesat e tij.Ai ngriti shqetësimin se kjo përzgjedhje e kujdesshme, e cila përfshin edhe ministrinë e rendit, ka për qëllim të sigurojë mbështetjen e individëve të cilët do të veprojnë sipas udhëzimeve të regjimit.Berisha theksoi se opozita jo vetëm që është e kufizuar në hapësirat e saj për të zhvilluar debatin politik dhe për t’u përballur me pushtetin nëpër studiot televizive apo në parlament, por edhe po përjashtohet në mënyrë të rregullt nga vendimmarrja, duke përmendur rastet e përjashtimit masiv të anëtarëve të opozitës nga parlamenti.
Sipas tij, ky është një moment kritik, që paralajmëron për vendosjen e një regjimi pa opozitë, dhe aty ku nuk ka opozitë, demokracia është në rrezik të madh.
Diplomati shtoi se Shqipëria është në një pikë kyçe ku, nëse kjo situatë vazhdon, vendi po i afrohet një diktature të plotë. Duke përmendur edhe disa aspekte të tjera, si ndërhyrja e policisë ndaj grave në parlament dhe shkelja e kushtetutës, ai u shpreh se veprimet e fundit tregojnë qartë një përkeqësim të lirisë dhe demokracisë në vend.
‘Gjithë këto ngjarje që ndodhin në Shqipëri, ku preket opozita në mënyrat më të paprecedenta, më antiligjore, ke parë ndonjë polic të heqë kapelen dhe të thotë: “Shiko, jam duke shkuar në emigracion, kjo nuk është për mua.” Përse nuk e bëjnë këtë? Të gjithë janë të zgjedhur, patronazhistë, të selektuar aq mirë, ashtu siç është edhe Ministria e Rendit. Të gjithë janë zgjedhur në atë mënyrë që të bëjnë pikërisht atë veprim që bëri ai gardisti.
Dhe kjo të çon te fakti tjetër që këtu, jo vetëm që nuk duan opozitë për të gjallëruar debatin politik, për të shkuar nëpër studiot tuaja, për të ballafaquar ministrin me gazetarët, për të sjellë kryeministrin në interpelancë, për t’i bërë njerëzit të japin llogari. Në fund fare, populli shqiptar përbëhet, si çdo popull tjetër, nga dy forca: njëra në opozitë dhe tjetra në pushtet. Por nuk durojnë dot as të të shohin në sallën e parlamentit.
Ka ngjarje më absurde se kjo: me një të rënë të lapsit, përzihet më shumë se gjysma e anëtarëve të opozitës nga parlamenti dhe lihet mazhoranca e lirë të marrë çdo vendim që dëshiron.
Është tamam momenti i vendosjes së plotë të një regjimi që nuk do opozitë. Dhe aty ku nuk ka opozitë, nuk ka demokraci. Ku nuk ka demokraci, është diktaturë.
Policia prek me dorë gratë në parlament, forcat speciale futen aty, kushtetuta shkelet.
Ai njeriu që rri në katin e tetë ka disa merita që njerëzit ia kanë harruar, por një ndër to është edhe meritë e madhe, e cila ka edhe një anë pak negative: liberalizimi i vizave. Ai na dha të drejtën që, sot, unë po të dua, nisem ha drekë në Vjenë dhe kthehem në darkë në shtëpi. Por nëse mërzitem aq shumë sa nuk e duroj dot këtë regjim, marr çantën në krahë dhe shkoj diku në Europë, kërkoj azil politik, futem në një çadër dhe ha fasulet që më jep dikush tjetër.’- u shpreh diplomati.




