Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një intervistë për emisionin Përballë në Tvsh, tha ndër të tjera i vetmi model që duhet ndërtuar është shkatërrimi i modelit oligarkik që ka kapur Ramën.
Pyetje: Opozita ofron shpresë, ofron premtime, bën paralajmërime, denoncime, akuza. Çështja është tek zgjidhjet, cila është nyja gordiane që do të prisni?
Mënyra e vetme për të shkatërruar këtë model është t’i rikthejmë sovranitetin qytetarëve. Ky grusht njerëzish nuk përfaqëson asnjë interes publik. Madje është luks i tepërt po të thoja që janë socialistë. Këta janë shushunja të cilët janë nga mëngjesi deri në darkë,
365 ditë në vit me llogari: Sa do të nxjerrin nga Porti i Durrësit? Sa do të nxjerrin nga Porti i Vlorës? Sa do të nxjerrin nga Porti i Shëngjinit? Sa do të nxjerrin nga Doganat? Sa do të nxjerrin nga Tatimet? Sa do të nxjerrimn nga trafiku i drogës? Sa do të nxjerrin nga PPP-të? Sa nga inceneratorët? Sa nga koncesionet e tjera? Për ta Shqipëria është një lopë që milet. Ata nuk kanë asnjë interes në zhvillimin e vendit. Janë ata dhe kryeministri që përbëjnë pengesën më të madhe kryesore dhe reale për përparimin e Shqipërisë.




