Lufta për paratë publike/ AKSHI, Posta dhe QSUT me tenderët më problematikë

Lufta për paratë publike/ AKSHI, Posta dhe QSUT me tenderët më problematikë

Dy ish-drejtueset e Agjencisë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit, AKSHI, janë në hetim prej muajsh nga Prokuroria e Posaçme, të dyshuara si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kishte për qëllim përvetësimin e tenderave të agjencisë.

Hetimet e prokurorisë nisën pas pengmarrjes në gusht 2025 të biznesmenit Gerond Meçe, e cila sipas hetimeve pati për qëllim shtrëngimin e këtij të fundit që të hiqte dorë nga ankimet pranë Komisionit të Prokurimit Publik, KPP për tenderat e zhvilluara nga AKSHI.

Dosja hetimore për tenderët e AKSHI nuk është episodike.

Sipas një raporti që Komisioni i Prokurimit Publik ka dorëzuar në Kuvend, AKSHI është një nga institucionet me numrin më të lartë të tenderave problematikë në korpusin e institucioneve publike.

Nga 94 tenderë të zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për vitin 2025, 43 prej tyre ose pothuajse gjysma janë ankimuar në KPP. Për më tepër, në shumicën dërrmuese të ankimeve ndaj AKSHI, 62.7%, KPP u ka dhënë të drejtë kompanive ankuese plotësisht ose pjesërisht, duke e gjetur institucionin në shkelje. Tenderat e ankimuar në AKSHI kapin vlerën e 10.7 miliardë lekëve ose 111 milionë euro.

Por AKSHI nuk është i vetmi institucion me probleme.

Raporti i KPP-së për Kuvendin e Shqipërisë, përpos numrit të ankesave në rritje nga bizneset, zbulon mangësi institucionale në zhvillimin e tenderave nga institucionet publike. Raporti vë në dukje se rreth 52% e ankesave të bëra në KPP nga kompani pjesëmarrëse në tendera janë gjetur të bazuara dhe autoritetet publike janë gjetur në shkelje për tendera me vlerë totale mbi 33 miliardë lekë ose 343 milionë euro.

Institucionet me më shumë ankesa

Përveç AKSHI-t, në listën e 10 institucioneve me numrin më të lartë të ankesave për procedura janë edhe Posta Shqiptare, Qendra Spitalore Univeristare Nënë Tereza, Sh.A Albpetrol, Ujesjellës Kanalizime Tiranë, Bashkia Kamëz, Bashkia Durrës, Spitali Rajonal Durrës, Bashkia Tiranë dhe Operatori i Blerjeve të Përqëndruara, i cili ka numrin më të madh të procedurave tenderuese.

Në këtë listë, Postës Shqiptare i janë ankuar 47.7% e tenderave dhe ka humbur në KPP në 62% të rasteve, duke mbajtur gjithashtu një raport negativ për numrin e ankimeve në raport me procedurat e zhvilluara.

Në shumicë dërrmuese, ankimet për të dy institucionet janë kryesisht për fazën e përcaktimit të kushteve të tenderimit apo plotësimit të dokumenteve standarde të tenderit. Kjo fazë tenderimi është kryesisht e dyshuar për kritere “të qepura” që synojnë të përjashtojnë konkurrencën.

Por ndërsa AKSHI dhe Posta prodhojnë numrin më të madh të ankesave në raport me procedurat, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, QSUT, ka numrin më të lartë të vendimmarrjeve të gabuara të konfirmuara me vendim të KPP.

QSUT ka zhvilluar sipas të dhënave publike nga APP 292 procedura. Ndonëse vetëm 8.5% e këtyre tenderave janë ankimuar në KPP, sipas raportit vjetor, atëherë kur kompanitë ankohen ato pothuajse gjithmonë fitojnë. Shifrat tregojnë se KPP i ka dhënë të drejtë biznesit në 19 nga 25 ankesa ndaj procedurave të QSUT-së, me një normë “humbjeje” prej 76%.

Në nivelin e pushtetit vendor, Bashkia Durrës dhe Bashkia Kamëz shfaqen si vatrat më problematike. Ndaj tyre, KPP ka pranuar përkatësisht 61.9% dhe 58.3% të ankesave të bëra nga bizneset. Bashkia Tiranë dhe Spitali Rajonal Durrës, kanë norma më të ulëta ankimimi, rreth 11% dhe po ashtu edhe norma më të ulëta të humbjes, por janë po ashtu në 10 institucionet me më shumë probleme sëbashku me Ujësjellës Kanalizime Tiranë.

Operatori i Blerjeve të Përqendruara, OBP, qarkullon volumin më të madh të parave publike, me 707 tendera. Ky institucion mban numrin absolut më të lartë të ankesave, 149 të tilla, por shkalla e ankimimit është 21% për shkak të volumit të lartë. OBP u gjet sipas KPP-së në 45% të rasteve të ankimuara.

Në shumicën dërrmuese të autoriteteve, OBP, QSUT, Albpetrol, Bashkitë, ankesat përqendrohen në fazën e vlerësimit të ofertave. Për shembull, te OBP, 113 ankesa janë për vlerësimin dhe vetëm 36 për DST. Kjo tregon se operatorët ekonomikë nuk kanë aq shumë problem me kriteret e vendosura në fillim, por me mënyrën se si autoriteti po i gjykon dhe skualifikon ofertat e tyre.

Të dhënat e raportit

Viti 2025 vizatoi një panoramë problematike të asaj që mund të quhet “lufta” për paratë publike. Edhe pse në raport, KPP e paraqet rritjen e numrit të ankesave si sukses, në thelb numri më i lartë i ankimeve bllokoi përkohësisht fonde me vlerë 101.3 miliardë lekësh. Vetëm procedurat unike që përfunduan në KPP, kishin një faturë prej 76 miliardë lekëve pa TVSH.

Shumica dërrmuese e ankesave, 62.5 për qind janë për pjesën e vlerësimit të ofertave, kur institucionet vendosin se kush e fiton kontratën dhe kush humbet. Ndërkohë ankimet për për rregullat e lojës, kriteret e tenderit, përbëjnë 37% të shkaqeve të ankimimit.

Ndryshe nga tenderat, ankandet dhe lejet minerare duken fusha ku nuk ka kontestim apo garë. “Gjatë periudhës 1 janar 2025 – 31 dhjetor 2025, janë regjistruar pranë Komisionit të Prokurimit Publik 1197 ankesa në total, prej të cilave 1188 ankesa janë paraqitur për procedurat e prokurimit publik, 8 ankesa për procedurat e ankandit publik, 1 ankesë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe 0 ankesa për leje minerare”, thuhet në raport.

Ankimet ndahen në tre kategori të mëdha, ato për procedura për blerje mallrash, për procedura shërbimesh dhe punët publike.

Sipas raportit, “zhurma” më e madhe bëhet për blerjet e mallrave, për të cilat u bënë 483 ankesa, por nga ana tjetër këto përfaqësojnë një vlerë financiare relativisht modeste prej vetëm 19.9 miliardë lekësh nga totali prej 101 miliardë i kontestuar në KPP.

Ndërkohë, aty ku ndahet “pjesa e luanit” e buxhetit, në sektorin e punëve publike dhe infrastrukturës, ka vetëm 95 ankesa, por këto janë për procedura me vlerë 56.3 miliardë lekë. Pjesa tjetër, ajo e ankesave për procedura për shërbime ka një vlerë prej 25.1 miliard lekë.

Nga 361 operatorë ekonomikë që u ankuan në vitin 2025, plot 350 prej tyre ishin të regjistruar si biznese të mëdha. Vetëm 10 ankues i përkisnin biznesit të vogël. Në raport, KPP ka përfshirë edhe të dhëna gjinore të ankuesve duke llogaritur se shumica dërrmuese e kompanive që ankohen, 80% kanë administratorë meshkuj. /BIRN

Share it :
Çështja për të cilën BE-ja nuk bën kompromis me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë Dy ligje në Mal të Zi, që janë kontroverse prej perspektivës së Brukselit, amendamentet e ligjeve në sektorin e gjyqësorit në Serbi dhe dështimi për t’ia hequr imunitetin parlamentar ish-zëvendëskryeministres në Shqipëri, i kanë kthyer këto tri shtete kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian sërish para testit kryesor për pranim, atij për sundimin e ligjit. Përparimi në të gjithë kapitujt që duhen mbyllur para anëtarësimit nuk do të jetë i mjaftueshëm nëse vendet kandidate stagnojnë apo shënojnë kthim mbrapa në Kapitujt 23 dhe 24, të cilët, sipas metodologjisë evropiane të integrimit, hapen të parët dhe mbyllen të fundit. “Reformat e pakthyeshme në këto fusha janë kusht që partnerët e zgjerimit të përparojnë në rrugët e tyre të pranimit, duke i përmbushur standardet specifike”, ka rikujtuar Shërbimi për media i Komisionit Evropian në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë. “Reformat nuk janë vetëm për letër, shtetet duhet të demonstrojnë zbatimin e tyre dhe duhet të garantojnë besueshmëri përmes rezultateve të prekshme”, është thënë mes tjerash në përgjigje. Shqipëria dhe Mali i Zi janë në krye të listës për t’u bërë anëtarë të rinj të bllokut evropian. Në këtë drejtim, Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, ka folur me kryeministrin malazez, Millojko Spajiq javën e kaluar në Podgoricë. Ju duhet të keni patjetër një gjyqësor të pavarur, që ka kapacitet për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe të keni media të pavarura pasi ne nuk do të bëjmë kurrë kompromis në këto çështje”. Pse dy ligje po ia vështirësojnë Malit të Zi rrugën drejt BE-së? Ambiciet e autoriteteve në Mal të Zi që të bëhen vendi i 28-të anëtar i BE-së janë komplikuar pas miratimit të dy ligjeve kontroverse. Bëhet fjalë për amendamente në Ligjin për Çështje të Brendshme dhe Ligjin për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare. Sipas Komisionit Evropian, këto amendamente nuk janë në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Direktivën për Zbatimin e Ligjit. Rregullorja për Mbrojtjen e të Dhënave është ligj që përcakton se si mblidhen dhe ruhen të dhënat e individëve në Zonën Ekonomike Evropiane. Ajo i forcon të drejtat për privatësi, vendos obligime serioze për organizatat dhe vlen për të gjitha kompanitë në botë që procesojnë të dhëna të banorëve të BE-së. Direktiva për Zbatim të Ligjit rregullon mënyrën se si autoritetet e policisë dhe gjyqësorit në BE i procesojnë dhe mbrojnë të dhënat personale të individëve, sidomos të viktimave, dëshmitarëve dhe të dyshuarve për shkelje penale. Opozita malazeze dhe shoqëria civile i kritikojnë ndryshimet e bëra në Ligjin për Çështje të Brendshme pasi besojnë se ato i rrisin kompetencat e ministrit të Brendshëm, sidomos në emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të policisë, dhe kështu më pas hapet rruga për ndikim politik në punën e policisë. Sa i përket Ligjit për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, kritika më e shpeshtë ka të bëjë me dispozitat që lejojnë qasjen në bazat e të dhënave të organeve dhe institucioneve shtetërore, në disa raste pa vendim gjykate. Ndërkohë, Mali i Zi pritet të emërojë anëtarë të Këshillit Gjyqësor, trupit kryesor të gjyqësorit, anëtarët e të cilit mund të emërohen dhe shkarkojnë gjyqtarë. Pse janë ligjet e reja problematike për rrugën e Serbisë në BE? Në rastin e Serbisë, BE-ja ka qenë e qartë. Pas miratimit të ligjeve të gjyqësorit, me nismë të partisë së presidentit Aleksandar Vuçiq, kritikat kanë qenë të shpejta nga Brukseli, përfshirë prej Komisionares për Zgjerim, e cila ka vlerësuar se këto ligje kufizojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe, sipas mendimit të saj, përbëjnë kthim mbrapa. Vuçiq është përgjigjur duke thënë se nuk e kupton për çfarë kthimi mbrapa bëhet fjalë, meqë Serbia ka stagnuar në rrugën drejt BE-së që katër vjet. Më 2021, Serbia e ka hapur grupin e kapitujve për agjendë të gjelbër dhe lidhshmëri të qëndrueshme, mirëpo përparim nuk është arritur. Ligjet në gjyqësor që kanë nisur të zbatohen, janë duke e shtyrë vendin në drejtim të kundërt me standardet evropiane. Bashkimi Evropian pati kërkuar që ligjet të mos miratoheshin dhe pasi Vuçiqi i ka nënshkruar ato, Brukseli ka thënë se zbatimi i tyre duhet të pezullohet derisa të ketë një opinion prej Komisionit të Venecias. Florian Biber, profesor për histori dhe politikë dhe drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit ka thënë se në një konstelacion të tillë politik, Serbia nuk ka shanse që t’iu afrohet strukturave evropiane. “Nuk ka të bëjë vetëm me sundimin e ligjit, por me mungesën e respektit për rregullat demokratike bazike. Është e qartë se regjimi aktual nuk është i interesuar në anëtarësim në BE, apo të garantojë se Serbia është shtet demokratik”, ka thënë Bieber. Sfidat e Shqipërisë Në vitin e kaluar, Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt negociues, pavarësisht problemeve në sektorin e sundimit të ligjit. Sikur edhe me vendet tjera kandidate, Komisioni Evropian e ka përmendur në Raportin e Progresit, në tetor të vitit të kaluar se shqetësimet kryesore për Shqipërinë përfshijnë rritjen e presionit politik në gjyqësor, luftën e dobët kundër korrupsionit dhe lirinë e kufizuar të medias. Sfida e fundit ka të bëjë me refuzimin e deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë për t’ia hequr imunitetin ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është e akuzuar për korrupsion. Deputetët nga Partia Socialiste në pushtet kanë refuzuar t’ia heqin asaj imunitetin dhe vendimi është mirëpritur prej vetë kryeministrit Edi Rama, i cili ka thënë se Parlamenti ka bërë “atë që do të bënte çdo shtet demokratik në Evropë”. Brukseli nuk është pajtuar me deklaratën e Ramës se kërkesa për heqje të imunitetit nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën. Radio Evropa e Lirë ka mësuar që diçka e tillë ka ndikuar drejtpërdrejt në rezistencën e disa vendeve anëtare që t’ia garantojnë Shqipërisë një të ashtuquajtur IBAR pozitiv. IBAR është shkurtesë për Raportin mbi Vlerësimin e Përkohshëm të Standardeve ku vlerësohet përparimi në sundimin e ligjit, gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, për Kapitujt kyç 23 dhe 24 në negociatat e anëtarësimit. Derisa vendet e BE-së të mos e miratojnë në mënyrë unanime IBAR-in, Shqipëria nuk do të mund të ecë përpara në mbylljen e kapitujve. Mali i Zi, për shembull, është dashur të presë për IBAR pozitiv, i cili është miratuar në qershor të vitit 2024, në mënyrë që të nisë mbylljen e kapitujve. Para këtij vendimi, hera e fundit që ka mbyllur kapituj ka qenë vitit 2017. A mund të mbyllet njëri sy? Pranimi i anëtarëve të rinj pa të drejtën e vetos, që aktualisht e kanë të 27 vendet anëtare të BE-së, është diçka për të cilën kanë avokuar, edhe Edi Rama, edhe Aleksandar Vuçiq në një artikull të përbashkët muajin e kaluar në të përditshmen gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, i cili i ka shtuar spekulimet se shtetet e Ballkanit Perëndimor “mund ta mbyllin njërin sy”. Florian Bieber beson se brenda këtij kuadri ligjor është e pamundur të ndahen konsideratat politike nga kriteret e sundimit të ligjit. “Sigurisht, elitat politike në Mal të Zi dhe Shqipëri e njohin momentumin politik dhe kanë prirje të jenë më pak të rrepta në lidhje me zbatimin. Megjithatë, në fund të fundit, nevojitet pëlqimi i 27 shteteve anëtare, i cili është larg të qenit i garantuar”, paralajmëron Bieber në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë. Komisionarja Kos ka folur në këtë drejtim në Parlamentin Evropian në fillim të marsit, duke e theksuar se statusi i liderit në këtë proces nuk garantohet përgjithmonë. Ajo u ka thënë Shqipërisë, Malit të Zi, Ukrainës dhe Moldavisë që “përparimi duhet të arrihet përmes reformave”. A mund të ndihmojnë “mekanizmat mbrojtës”? Mekanizmat mbrojtës nuk janë diçka e panjohur në proceset evropiane. Kur Bullgaria dhe Rumania janë pranuar në BE më 2017, Komisioni Evropian pati vendosur të miratojë anëtarësimin e tyre, pavarësisht reformave të papërfunduara në fushën e sundimit të ligjit, me kusht që dobësitë të vazhdojnë të adresohen pas anëtarësimit përmes të ashtuquajturit Mekanizëm Bashkëpunimi dhe Verifikimi, i cili mundësoi monitorimin pas anëtarësimit dhe vlerësimin e rregullt të progresit në gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit. Ky mbikëqyrje pas anëtarësimit zgjati plot 16 vjet dhe përfundoi në vitin 2023. Për Florian Biberin, ekzistojnë zgjidhje për dilemat e mundshme të shteteve anëtare, dhe sipas tij, zgjidhja qëndron në një periudhë kalimtare që do t’u lejonte anëtarëve të rinj t’i zbatonin reformat pas anëtarësimit. Sipas tij, pranimi i Malit të Zi dhe ndoshta i vendeve të tjera në rajon do të sinjalizonte se ka një të ardhme për rajonin në BE. “Një projekt i tillë politik duhet t’i bindë skeptikët midis shteteve anëtare dhe duhet të përfshijë gjithashtu mekanizma të qëndrueshëm për të siguruar që anëtarët e ardhshëm do të respektojnë sundimin e ligjit”, vlerëson Biber. Megjithatë, ai beson se edhe nëse ndonjë anëtar i ri i plotëson të gjitha kriteret, nuk ka garanci se nuk do të ketë pengesa. Diçka e tillë ka ndodhur në Hungari, Poloni ose Sllovaki disa vjet pas anëtarësimit në BE, kur problemet me pavarësinë në gjyqësor dhe sundimin e ligjit dolën në pah në këto vende, sepse autoritetet shpesh përpiqeshin të ndikonin në gjykata, të kufizonin liritë e medias dhe të zvogëlonin kontrollin mbi institucionet e pavarura. /REL