Anxhela Tato
Hetimet, shqiptarët dërgoheshin në 3 pika kontakti në Turqi, stërvitje fizike 2-3 muaj
Imami i vetëshpallur Genci Balla u premtonte “të besuarve” se do të vdisnin në luftë për të vajtur në parajsë
Shqiptarët e rekrutuar në Siri rekrutoheshin dhe indoktrinoheshin në shkollën e hapur brenda xhamisë në zonën e Unazës së Madhe. Faza e parë ishte indoktrinimi me idenë se vdekja në luftë do t’i katapultonte në parajsë, ndërsa faza e dytë ishte përgatitja fizike 2-3 muaj në Turqi, ku edhe dërgoheshin nga Shqipëri. “Ushtarët e Sirisë” i pajisnin me dokumente dhe shuma parash, duke i shpërndarë në tri pika kontakti në Turqi. Këto janë disa detaje nga hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila ka çuar në pranga shtatë persona, përfshirë këtu dy imamë të vetëshpallur. Të dyshuarit në bashkëpunim edhe me 6 persona të tjerë që tashmë janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, rekrutonin e stërvitnin besimtarë myslimanë, të cilët më pas i dërgonin për të luftuar në Siri. Imami i kësaj xhamie së bashku me imamin e xhamisë në fshatin Mëzez, Bujar Hysa, dhe Edmond Ballën, tashmë janë arrestuar dyshohen si organizator të këtij rrjeti. Në rolin e financuesit është arrestuar biznesmeni Verdi Morava. Ndërkaq, në rolin e ndihmësve të organizatorëve, policia i ka vendosur prangat ish-imamit të Leshnicës, komuna Cerravë në Pogradec shtetasit Almir Dacit i njohur si Ebu Belkisa ose Haliti nga Pogradeci. Ndërsa në rolin e bashkëpunëtorëve dhe gjetjes së personave që rekrutoheshin për në luftë, policia ka arrestuar Zeqir Imerin, Astrit Tolën dhe Fadil Muslimanin. Përveç të arrestuarve, mësohet se janë shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe 6 persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë në Kosovë, Turqi apo edhe të përfshirë tashmë në luftime në Siri. Sipas hetimeve të prokurorisë, dyshohet se të arrestuarit shfrytëzonin institucionet e kultit për të predikuar për akte terroriste, për të banuar personat e rekrutuar, të cilët i stërvitnin në përdorimin e armëve dhe më pas i nisnin drejt Turqisë për të përfunduar në Siri, në krah të grupeve terroriste. Dyshohet se gjatë periudhës 4-mujore, kohë që po hetoheshin, ky grup ka dërguar në Siri rreth 70 persona, disa prej tyre së bashku me familjet. Nga të dhënat paraprake, dyshohet se 8 prej të dërguarve nga Shqipëria kanë mbetur të vrarë gjatë luftimeve në Siri, trupat e të cilëve nuk janë sjellë në Shqipëri. Operacioni i arrestimit të tyre është zhvilluar në 4 qytete: në Tiranë, Pogradec, Elbasan dhe Librazhd, duke kontrolluar 21 banesa dhe shtëpi të të dyshuarve, ku janë gjetur armë, fishekë dhe lëndë plasëse.
Hetimet
Genci Balla dhe Bujar Hysa janë organizatorët dhe personazhet kryesore. Kanë më se një vit që merren me këtë punë, 70 raste të verifikuara që kanë çuar njerëz në Siri. I pajisnin me dokumente dhe me shuma parash, i dërgonin në Turqi në tri pika kontakti që këta kishin. Nuk ka pasur stërvitje në Shqipëri, por është bërë vetëm rekrutim, në Turqi stërviteshin 2-3 muaj dhe më pas kalonin në Siri. Ishin në dijeni që do dërgoheshin për luftë, por bëhej punë përgatitore. Genci Balla kishte hapur një shkollë brenda xhamisë së Unazës së Madhe, një shkollë fetare ku i indoktrinonte, ua paraqiste sikur të vdisnin në luftën e Sirisë do të shkonin në parajsë. Shumica kanë shkuar me dëshirë, një pjesë me pagesë. Tetë nga 70 që janë dërguar atje janë vrarë, asnjëri nuk është kthyer më në Shqipëri. Genci Balla njihet me emrin Abdurrahman, emrin islam. Ky fëmijët e tij i ka tërhequr nga shkolla 9-vjeçare, sepse ishte për mosnjohjen e shtetit, mosnjohjen e Komunitetit Mysliman. Ishte për Sheriatin, ligjin dhe shtetin islamik. Ndërsa tjetri, Bujar Hysa, ishte mësues në shkollën e hapur brenda xhamisë. Zbatuesi i ideve të Genc Ballës ishte Bujar Hysa, që luante edhe rolin e rekrutuesit. Shkolla frekuentohej nga një grup i vogël besimtarësh që quheshin “të besuar”. Biletat dhe gjithë shpenzimet u janë paguar nga Verdi Morava, ky mendohet se ka bërë transferta të fuqishme nga jashtë shtetit. Është financuar nga grupe nga Turqia dhe Siria për rekrutimin e personave që do të dërgoheshin në zonat e luftimit. Në lidhje me 6 personat e tjerë që janë në kërkim, mendohet se kanë bërë të njëjtën gjë në Kosovë dhe Maqedoni, përhapje të ideve dhe rekrutim të personave që më pas dërgoheshin nga Rinasi në drejtim të Turqisë. Nisja bëhej me grupe nga 2-3 persona.
Arrestimet
Genci Balla, i vetëshpallur Imam i Xhamisë te Unaza e Re, i paautorizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar (Organizator).
Bujar Asllan Hysa, i vetëshpallur Imam i Xhamisë së Mëzezit, i paautorizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar (Organizator).
Edmond Balla, lindur e banues në Elbasan, lagjja “Skënderbej”, me arsim 8-vjeçar. (Organizator).
Zeqir Imeri, lindur në Dibër e banues në rrugën “Xhaferri”, Yrshek, Tiranë, me arsim 8-vjeçar (Organizator, pjesëmarrës).
Verdi Morava, lindur e banues në rr. “Hoxha Tasim”, Tiranë, me arsim të mesëm (Financues).
Fadil Muslimani (Dervishi), lindur e banues në Elbasan, lagjja “5 Maji”, me arsim 8-vjeçar (Ndihmës).
Astrit Tola, lindur në Dibër e banues në Mëzez, Tiranë, me arsim 8-vjeçar (Ndihmës).
Sekuestrimet
Në banesën e Astrit Tolës u gjet: Një çifte 12 fishekë, 11 CD, broshura fetare, fletore me shënime në gjuhën arabe, një sasi kartash SIM dhe disa numra celularë, një uniformë ushtarake.
Në banesën e Bujar Hysës u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale: Dy aparate telefoni celular, disa karta memorie telefoni celular dhe aparat fotografik, kartë identiteti në gjuhën arabe si dhe një sërë kontrata depozitash bankare në emër të shtetasit Bujar Hysa dhe në emër të disa shtetasve të tjerë, disa libra fetarë mes të cilëve libri “Asgjësimi i teorisë së përzierjes së fesë islame me fetë e tjera”.
Në objektin ku ushtron veprimtarinë fetare, u gjetën: Tri njësi kompjuteri, çantë ushtarake kamuflazhi, dy telefona celularë, 15 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Në banesën e Zeqir Imerit u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale: 8 telefona celularë, 2 karta telefoni, një granatë ofensive e pa montuar, një armë automatike e tipit kallashnikov, katër krehra automatiku, 320 fishekë të kalibrit 7.62, një thikë me dorezë kauçuku të zezë, dy radio dhënëse-marrëse, një xhup kamuflazhi dhe një çante sportive ku mbaheshin fishekët.
Komuniteti Mysliman: Të arrestuarit nuk janë punonjës tanët, kundër luftës në Siri
Pas arrestimeve për terrorizëm ka reaguar Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Sipas KMSH-aë, të arrestuarit nuk janë punonjës të Komunitetit. “Nisur nga lajmet e sotme për arrestimin e disa personave të akuzuar për terrorizëm dhe përfshirjen në konfliktin e Sirisë, Komuniteti Mysliman bën me dije se personat në fjalë nuk janë punonjës të Komunitetit Mysliman. Komuniteti Mysliman e ka bërë të ditur edhe më parë qëndrimin e tij për mos përfshirjen e besimtarëve shqiptarë në konfliktin sirian”, – thuhet në njoftimin e KMSH-së. Në një bisedë telefonike zëdhënësi për shtyp i këtij komuniteti shprehet se lufta e shenjtë për besimtarët shqiptarë është prosperiteti për vendin e tyre dhe jo lufta në një shtet tjetër.
Familja e Ervis Alianjit: Imami Almir Daci na tha të mos e kërkonin se kishte vdekur në Siri
Në muajin janar të këtij viti u bë publike një histori, ku në fokus të saj kanë qenë disa të rinj nga fshatrat e Pogradecit, të cilët mashtroheshin në emër të fesë për të luftuar në Siri. E tillë është edhe historia e një 26-vjeçarit, i cili ka humbur kontaktet prej një viti nga Siria. Familjarët e Ervis Alianjit tregojnë se dy ditë pas denoncimit, imami i fshatit Leshnicë, Almir Daci tashmë i arrestuar si një ndër të dyshuarit kryesorë për rekrutimin e qytetarëve shqiptarë në Siri, i ka njoftuar të afërmit e të riut se nuk duhet të kërkojnë më në media, pasi sipas tij ai kishte humbur jetën në Siri. Ata i bëjnë apel shtetit për zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarjeje, pasi vetëm kështu do të mund të mësojnë fatin e të riut 26-vjeçar, i cili rezulton i humbur prej një viti. Ditën e djeshme, xhamia e fshatit Leshnicë ka qenë një ndër qendrat kryesore të operacionit të policisë së shtetit, ku mësohet se janë sekuestruar disa libra që sipas burimeve të rezervuara në polici bënin thirrje për xhihad.
Selim Muça: Shqiptarët mashtrohen dhe dërgohen në një luftë që nuk është e tyrja
Në lidhje me arrestimet, Selim Muça shprehet se kanë pasur dyshime në rangun e thashethemeve që ka imamë që predikojnë për luftë. “Këto ishin fjalë dhe nuk kishim asgjë të vërtetuar me emra dhe prova, madje u kemi dërguar fjalë dhe qarkore imamëve të xhamive që të heqin dorë nga kjo gjë, pasi nuk është fetare dhe është e ndaluar. Për sa i përket Kuranit, besimtarët shqiptarë nuk e dinë që nuk e kanë detyrim të shkojnë të luftojnë në Siri, pasi nëse do ishte e nevojshme do kërkohej nga organizata si OKB apo NATO ndërhyrja e shqiptarëve dhe pjesëmarrja e tyre në luftë. Për këtë luftë shfrytëzohet varfëria dhe duke i mashtruar i dërgojnë në një vend, ku ata nuk e dinë që do luftojnë”.
Tiranë
Vritet me armë zjarri 50-vjecari
Një 50 vjeçar ka mbetur i vrarë me armë zjarri gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur te rruga “Kongresi i Manastirit”, pranë spitalit të Pediatrisë. Burime nga policia e Tiranës bëjnë me dije se viktima është shtetasi Sami Sheka, 50 vjeç. Shkaqet e vrasjes janë ende të paqarta. Forca policie mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa janë nisur edhe hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.




