LSI kërkon sot pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Kukës, KQZ në pamundësi për të marrë vendim

Florenc Drizari

LSI: Kundërshtim i vendimit të KZAZ-së nr. 9 për Kukësin

Kodi: Vendimi për pavlefshmëri kërkon 5 vota në KQZ

 

kqz

Pas miratimit të tabelave përmbledhëse të rezultateve zgjedhore për 12 qarqet e Shqipërisë, partitë politike “dynden” me kërkesa në KQZ për të ankimuar vendimmarrjet e komisionit më të lartë të administrimit zgjedhor, si dhe parregullsitë e konstatuara gjatë zgjedhjeve më 23 qershor.

Lëvizja Socialiste për Integrim kundërshton vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për Qarkun e Kukësit, duke e ankimuar këtë në KQZ, por mungesa e kuorumit për të marrë vendime me shumicë të cilësuar votash bën që administrata me e lartë zgjedhore në vend, të jetë “e paaftë” juridikisht për të shqyrtuar kërkesën në themel. Miratimi i tabelës përmbledhëse të rezultateve për Qarkun e Kukësit është bërë disa ditë më parë në KQZ, ndërkohë që LSI ka argumentuar se mandati i saj në këtë zonë është humbur për 15 vota. Sipas përfaqësuesve të saj, janë konstatuar parregullsi gjatë procesit të votimeve dhe në grupet e numërimit të votave.

Aktualisht KQZ-ja ka pranuar ta shqyrtojë kërkesën e LSI-së që më datë 08.07.2013 dhe pasi ka vlerësuar formalisht kriteret e pranimit të saj, pritet që paraditen e së premtes të nisë shqyrtimin e thelbit, ndërkohë që shqyrtimi i kërkesës në themel dhe marrja e një vendimi për këtë çështje kërkon të paktën pesë vota nga anëtarët në KQZ. Kjo vendimmarrje bëhet e pamundur pasi që në mesin e muajit shkurt, me dorëheqjen e tri anëtarëve të KQZ-së, përfaqësues të propozuar nga opozita në komision, bën që kuorumi për të marrë vendime me shumicë të cilësuar të jetë i pamundur.

Kërkesa e LSI-së pritet të shqyrtohet paraditen e së premtes, ndërkohë që në thelb shkresa e këtij subjekti politik kërkon “Kundërshtimin e vendimit të KSZ-së nr. 666 dt. 3.7.2013. Kundërshtim i vendimit të KZAZ-së nr. 9 për miratimin e tabelës përmbledhëse”, – thuhet në kërkesë. Relatori i kësaj kërkese ankimore është anëtari Hysen Osmanaj në KQZ, i cili disa ditë më parë ka vlerësuar se plotësohen kriteret ligjore për pranimin e shqyrtimit në komision.

Sipas nenit 24 të kodit zgjedhor thuhet se KQZ i konsideron të miratuara kërkesat për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi vetëm kur votojnë pro jo më pak se 5 anëtarë në komision.

KODI ZGJEDHOR, NENI 24

“1. Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me:
a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas neneve 162, 163 dhe 166, pika 3 të këtij Kodi;
b) pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore, sipas nenit 123 të këtij Kodi dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore;
c) kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi;
ç) shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në zonën zgjedhore apo në të gjithë vendin dhe përsëritjen e tyre”, – thuhet në nenin 24, pika 1 e Kodit Zgjedhor.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e opozitës në komision e quajtën çmenduri nëse KQZ do të marrë në shqyrtim kërkesat ankimore për ndryshim ose shpallje të pavlefshmërisë së zgjedhjeve në disa zona. Përveç kërkesës së LSI-së për Qarkun e Kukësit, KQZ prite të shqyrtojë edhe disa kërkesë ankesa të tjera nga subjekte politike që kundërshtojnë tabelat e rezultateve në disa zona të vendit.

 

Neni 24

Vendimmarrja në KQZ

  1. Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me:
    a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas neneve 162, 163 dhe 166, pika 3 të këtij Kodi;
    b) pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore, sipas nenit 123 të këtij Kodi dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore;
    c) kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi;
    ç) shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në zonën zgjedhore apo në të gjithë vendin dhe përsëritjen e tyre;
    d) aktet me karakter normativ dhe që kanë për qëllim rregullimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet;
    dh) propozimin për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, sipas pikës 2 të nenit 18 të këtij Kodi;
    e) miratimin e strukturës organike të KQZ-së, si dhe rregulloren e funksionimit të KQZ-së;
    ë) caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas nenit 76 të Kodit;
    f) caktimin e zonave të administrimit zgjedhor, sipas nenit 27 të Kodit.
  2. Vendimet e tjera miratohen me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ-së.

 

QARKU KUKËS

APMI: 3 Deputet – ASHE: 1 Deputet

Partia Demokratik

1. FLAMUR NOKA

2. BESNIK DUSHA

3. ALBAN ZENELI

Partia Socialiste

1. VEXHI MUÇMATAJ

 

KQZ pranon kërkesën e Dritan Priftit për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Fier

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi kalimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr. 30, të kandidatit të pavarur për zgjedhjet e 23 qershorit, Dritan Priftit. Në kërkesën e tij, Prifti arsyeton se janë vërejtura parregullsi në procesin e numërimit të votave në Fier dhe për këtë kërkon rinumërim në disa zonë zgjedhore të këtij qarku.

Gjithashtu, KQZ në mbledhjen e djeshme vendosi me 4 vota pro kthimin për plotësim të dokumentacionit të 6 kërkesave ankimore të subjektit, Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë.

Vendimi të tjera të KQZ-së gjatë mbledhjes së djeshme ishin: Kalimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr. 31 të subjektit, Partia Demokristiane e Shqipërisë. Kalimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr. 6, 7, 8, 9, 10,11, 22 dhe 23 të subjektit, Partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane. Kalimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr. 12, 13, 14, 15, 16, 17, 18, 19 dhe 20 të subjektit, Partia Popullore Kristiandemokrate e Shqipërisë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi shortin për kërkesën ankimore nr. 32 të subjektit, Partia Republikane e Shqipërisë. KQZ vendosi ta kalonte për shqyrtim në seancë.

 

 

 

Lezha, Gjiknuri: Vendimi i KQZ-së, i jashtëligjshëm, do t’i drejtohemi Kolegjit

Partia Socialiste nuk njeh vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për Qarkun e Lezhës. Pas përllogaritjeve të KQZ-së, koalicioni i majtë humbi një mandat në këtë zonë, duke i kaluar koalicionit të djathtë, Partisë Demokratike. Pas përllogaritjeve të 10 qendrave të votimit në bazë të rezultateve elektronike nga KQZ-ja dy ditë më parë, PS e quan të jashtëligjshme vendimmarrjen e këtij komisioni dhe për këtë do t’i drejtohet Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë.

Damian Gjiknuri, sekretar në PS për Çështjet Zgjedhore, tha një ditë më parë: “Vendimi i KQZ-së është i kundërligjshëm pasi nuk bazohet në nenin 123 për detyrat që ka KQZ-ja për nxjerrjen e rezultatit. Gjithçka që ndodhi dje qe një përsëritje e prishjes së rregullave të lojës, ashtu siç ka ndodhur në vitin 2011”. Sipas Gjiknurit, procedurat që janë ndjekur dhe të gjitha ato shkelje ligjore që kanë ndodhur në qarkun e Lezhës, janë tregues i problematikës së zgjedhjeve të 23 qershorit. PS, thotë ai, është duke përgatitur ankimin e saj sipas Kodit Zgjedhor në KQZ si instanca e parë e ankimimit administrativ për këtë vendim të KQZ-së edhe problematikën ligjore që ka të bëjë me zgjedhjet në Lezhë. “Sipas Kodit Zgjedhor, po citoj nenin 22 pika 5, ku thuhet se mbledhjet e KQZ-së janë të vlefshme vetëm kur janë 5 anëtarë në rastin e shqyrtimit të kërkesave ankimore. Pra në këtë rast KQZ-ja nuk ka kompetencë dhe nuk ka kuorum për të marrë në shqyrtim ankesat e partive të ndryshme në këtë fazë të procesit. E vetmja gjë që ata mund të bëjnë është të konstatojnë pamundësinë dhe çështja t’i kalojë Kolegjit Zgjedhor. Nga pikëpamja ligjore do të jetë Kolegji Zgjedhor ai që do të shqyrtojë në themel të gjithë problematikën zgjedhore jo vetëm për Lezhën por edhe për çdo lloj ankese që mund të kenë forca të tjera politike për procesin zgjedhor”, – tha Gjiknuri një ditë më parë për “Top Channel”.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :