Lojërat e bixhozit / Borxhi i pashlyer, 3 të rinj marrin peng për 20 minuta një tjetër

Sonila Mesareja

Arrestohen pengmarrësit, kërcënonin 23-vjeçarin Haxhiaj për mosshlyerjen e borxheve të marra te njëri nga pengmarrësit

 

pranga11-1Tri të rinj kanë marrë një tjetër peng për një kohë 20 minuta për shkak të një borxhi. Policia e kryeqytetit bën me dije se janë arrestuar në flagrancë shtetasit Silvio Xhafa, Ervis Çika dhe Rigert Yzaj, pasi kanë marrë peng për 20 minuta dhe kanë dhunuar brenda automjetit shtetasin J.Haxhiaj, 23 vjeç, për shkak të një borxhi në lojërat e bixhozit. Falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë është shmangur një ngjarje me pasoja, ndërsa 3 të rinjtë, tashmë të arrestuar do të përballen me drejtësinë me akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë”, të kryer në bashkëpunim. Sipas burimeve zyrtare policore, arrestimi në flagrancë i të rinjve është bërë në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pasi Xhafa, Çika dhe Yzaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin marrë peng 23-vjeçarin Haxhiaj dhe e kërcënonin atë me jetë.

Arrestimi

Burime zyrtare të policisë së kryeqytetit bëjnë me dije se arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi “më datë 02.05.2014, ndaj tyre ka bërë kallëzim shtetasi J.H, i cili ka kallëzuar se rreth orës 18.30, për motive të çastit, është marrë me forcë nga shtetasit Silvio Xhafa, Ervis Çika dhe Rigert Yzaj në makinën me targë TR 5314 T, në pronësi të shtetasit Rigert Yzaj dhe më pas është kërcënuar duke ushtuar dhunë ndaj tij brenda në automjet”. Policia bën me dije se materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë”.

Motivi

Nga hetimet paraprake të grupit hetimor ka rezultuar se arsyeja që ka çuar të rinjtë në këtë pengmarrje janë borxhet e pashlyera nga Haxhia tek njëri prej të rinjve. Ky i fundit, me dy shokët e tij ka kryer pengmarrjen dhe kërcënimin, duke e mbajtur peng për 20 minuta në makinë. Gjatë kësja kohe ka ushtruar dhunë ndaj 23-vjeçarit, ndërkohë që kërcënohej deri në marrjen e jetës nëse nuk kthente borxhet. Aktualisht për ngjarjen janë duke hetuar 3 të rinjtë e arrestuar dhe pengu, ndërsa mësohet se borxhi i pretenduar ka lindur si shkak i lojërave të bixhozit mes të rinjve.

 

 

Gjirokastër

Vidhte banesat e braktisura, pranga të riut nga Gramshi

Policia e Gjirokastrës ka arrestuar në flagrancë një shtetas, i cili akuzohet për vjedhjen e disa banesave të braktisura në fshatin Dropull. Kështu, në kuadër të operacionit “Endacaku”, policia e Gjirokastrës ka bërë të mundur kapjen e shtetasit B.Tarko nga Gramshi. Ndërkohë, blutë e Gjirokastrës kanë bërë të mundur dhe sekuestrimin e shumë prej 15 mijë lekëve të reja, celularë dhe sende bakri, të cilat mendohet se janë grabitur nga shtetasi në fjalë.

 

Tiranë

Përplasen dy automjete te Kthesa e Kamzës, plagosen dy persona

Një automjet i ndodhur pasditen e djeshme në vendin e quajtur Kthesa e Kamzës ka shkaktuar dy të plagosur. Burime policore bëjnë me dije se në aksident janë përfshirë dy automjete, një mjet BMW X5 dhe një furgon pasagjerësh, të cilët janë përplasur mes tyre. Fatmirësisht, dy të plagosurit, pas ndihmës së parë të dhënë në vendngjarje, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia, e cila ka marrë njoftim për përplasjen, ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Greqi

I vjedh pronarit 125 mijë euro, prangoset shqiptari

Një shtetas shqiptar është arrestuar në flagrancë nga policia e Selanikut, ndërsa po vidhte para nga kasaforta e familjes ku punonte si ndihmës shtëpiak. Në momentin e arrestimit ai po tentonte të merrte nga kasaforta një shumë prej 10.000 eurosh, ndërsa iu gjet një kopje e çelësit të kasafortës, si dhe një tjetër kopje e çelësit të portës së blinduar që të çonte te dhoma ku gjendej kasaforta. Sipas policisë, 58-vjeçari kishte vjedhur gradualisht gjatë vitit të fundit, rreth 125.000 euro, që të gjitha nga kasaforta e punëdhënësve në një vile në qytezën Nea Risio që ndodhet në rrethinat jugore të Selanikut.

 

Ministri Tahiri

Takime për rendin dhe sigurinë, përballet me protesta nga të larguarit

Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri ka zhvilluar ditën e djeshme takime me strukturat policore në qarkun e Kukësit, konkretisht në policinë e Tropojës dhe Kukësit. Por, takimet janë shoqëruar edhe me protesta jashtë ambjenteve ku zhvilloheshin, pasi policët e larguar nga puna pas ardhjes në pushtet të PS-së, kanë kërkuar arsyet spe janë hequr padrejtësisht nga puna. Takimi i parë është zhvilluar në ambjentet e komisariatit të “Bajram Currit” ku ta pranishëm kanë qenë drejtues komisariatesh dhe shefa krimi të zonës. Gjatë takimit, ministri Tahiri ka kërkuar nga vartësit e tij, të intensifikohet lufta ndaj kriminalitetit si dhe të punohet për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të cilat janë lënë në harresë. Sipas burimeve zyrtare te ministrisë, takimi ka pasur në fokus situatën e rendit dhe sigurisë, si dhe për forcimin e luftës kundër krimit kufitar, narkotikëve, armëve dhe kontrabandës. Ministri Tahiri ka premtuar mbështetje morale, vullnet politik dhe rritjen e investimeve në mjete logjistike në luftën kundër krimit. Takimi ka zgjatur rreth 90 minuta. Po ashtu të pranishëm në takim kanë qenë dhe përfaqësues të pushtetit lokal ndërsa Tahiri mësohet të ketë garantuar mbështetje maksimale të ministrisë së brendshme për drejtuesit e policisë në rrethin e Tropojës. Më pas, ministri Tahiri ka zhvilluar një takim më strukturat e policisë në Kukës, ku është diskutuar mbi rendin dhe sigurinë në këtë zonë dhe masat që duhen marrë për ta siguruar atë.

 

 

 

Share it :