Florenc Drizari
Të hënën drafti rikthehet në Kuvend, PS-LSI, “kundër” projektligjit të qeverisë
Projektligji “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, eliminon tërësisht legalizimin e zhvillimeve të kryera në kundërshtim me ligjin. Aktualisht drafti është në fazën e diskutimeve në komisionet parlamentare, ndërkohë që në shqyrtimet e para të këtij projektligji, deputetë të Partisë Socialiste dhe të LSI-së, kanë shprehur qëndrime kritike. Relatori i këtij projektligji në Komisionin e Ligjeve, Bashkim Fino, ka kërkuar që më parë të përfundojë kuadri ligjor lidhur me legalizimet e më pas të merret në shqyrtim nisma për planifikimin e territorit. Nga ana tjetër deputeti i LSI-së, Petrit Vasili, ka thënë se shpjegimet e qeverisë për të sjellë një ligj të ri për territorin, nuk bindin, ndërsa nga ana e ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, është theksuar fakti se ligji i ri i jep zgjidhje disa problemeve që kishin dalë me aplikimin e ligjit të 2009-ës. Projektligji për planifikimin e territorit pritet të kundërshtohet edhe nga opozita, e cila i ka quajtur më parë nismat në këtë fushë si arnime ligjore që nuk zgjidhin problemet që kanë qytetarët, referuar projektligjit për legalizimet, dhe fshatrat turistik në bregdet.
Ndryshimet
Miratimi i projektligjit“Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, në ditët në vijim në Kuvendin e Shqipërisë, pritet të përjashtojë nga legalizimi objektet e kryera nё kundërshtim me ligjin. Përveç ligjit për legalizimet që u miratua disa javë më parë në Kuvendin dhe që filloi efektet e tij më 27.6.2014, ku përjashtohen nga legalizimet ndërtimet e kryera jo në tokën private pas vitit 2009, edhe ky ligj pritet të përjashtojë nga legalizimi të gjitha ndërtesat apo shtesat e kryera në shkelje të lejes së ndërtimit, referuar edhe planeve rregulluese të njësive vendore.
Sanksionet që parashikohen për shkelje të kushteve të lejes, janë ndarë në dy grupe: – Sanksione për shkelje të afatit të përfundimit të punimeve. – Sanksione për punime në shkelje të kushteve të tjera të lejes. Në këto raste, sikurse edhe në rastin e punimeve pa leje, sanksionit janë prishja ose konfiskimi i punimeve të paligjshme dhe gjoba. Më tej, në përputhje me propozimet në diskutim për ndryshimet në Kodin Penal, miratimi/dhënia e lejeve në kundërshtim me ligjin dhe planet si dhe kryerja e punimeve pa leje ose ne shkelje të kushteve të lejes janë konsideruar vepra penale, që duhet të kallëzohen menjëherë për ndjekje penale nga autoritetet e inspektimit. Në nenin 81 “Kundërvajtjet administrative”, parashikohen kundërvajtjet administrative, të ndara në dy grupe: Sanksione për shkelje të afatit të përfundimit të punimeve. Sanksione për shkelje të kushteve të tjera të lejes; në këto raste, sikurse edhe në rastin e punimeve pa leje, sanksionet janë prishja ose konfiskimi i punimeve të paligjshme dhe gjoba.
Më tej, parashikohet, në përputhje me propozimet në diskutim për ndryshimet në Kodin Penal, se miratimi, dhënia e lejeve në kundërshtim me ligjin dhe planet si dhe kryerja e punimeve pa leje ose ne shkelje të kushteve të lejes, janë konsideruar vepra penale, që duhet të kallëzohen menjëherë për ndjekje penale nga autoritetet e inspektimit.
Drafti i qeverisë pritet të shoqërohet me debate të forta në Kuvendin e Shqipërisë, edhe për faktin se gjatë kohës që nisma u paraqit në komisionet parlamentare, deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm për shkak të bojkotit (prej një jave) që i bënë këtij institucioni.
Neni 81
Kundërvajtjet administrative
1. Në kuptim të këtij ligji, shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë vijon:
– Mosrespektimi i afateve të dorëzimit të dokumentit të lejes, sipas nenit 68, pika 7, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 300 000 lekë deri në 500 000 lekë.
– Mosdeklarimi i punimeve që përjashtohen nga detyrimi i pajisjes me leje, sipas nenit 66, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 lekë deri në 150 000 lekë.
– Shkelja e afatit të përfundimit të punimeve dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 500 000 lekë. f) Kryerja e punimeve pa leje ose shkelja e kushteve të lejes:
– pa pasoja në krijimin e shtesave në sipërfaqe e vëllim ndërtimor, dënohet me prishje ose konfiskim të punimeve të paligjshme dhe me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë;
– me pasoja në krijimin e shtesave në sipërfaqe e vëllim ndërtimor, dënohen me prishje ose konfiskim të punimeve të paligjshme dhe me gjobë nga 200 000 lekë deri në:
• 5 për qind të vlerës totale të punimeve të volumeve shtesë, për volume shtesë deri në 5 milionë lekë, sipas preventivit të punimeve;
• 10 për qind të vlerës totale të punimeve të volumeve shtesë, për volume shtesë mbi 5 milionë lekë, sipas preventivit të punimeve.
– Përdorimi i objektit pa lëshimin e lejes së përdorimit, sipas nenit 73 të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 300 000 lekë deri në 500 000 lekë.
– Vazhdimi i punimeve me gjithë vendimin administrativ për pezullimin ose ndërprerjen e tyre dënohet me prishje dhe me gjobë nga 2 000 000 lekë deri në 5 000 000 lekë.
Neni 82
Ekzekutimi i dënimeve
1. Gjobat e përcaktuara sipas nenit 81, të këtij ligji, vendosen nga autoriteti përgjegjës i inspektimit.
2. Autoriteti kombëtar i inspektimit vendos, sipas nenit 81, të këtij ligji, për shkeljet e konstatuara në nivel kombëtar, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Autoriteti kombëtar i inspektimit kontrollon zbatimin e dispozitave të këtij ligji nga autoriteti vendor i inspektimit dhe ushtron detyrat e tij për çështje të rëndësisë kombëtare në planifikimin dhe kontrollin e zhvillimit të territorit, kur konstaton shkelje të dispozitave të këtij ligji dhe kur ato nuk janë ushtruar nga autoriteti vendor i inspektimit.
3. Masa e gjobës përcaktohet, në çdo rast, në përpjesëtim të drejtë me natyrën e kundërvajtjes së konstatuar, me përgjegjësinë dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje të zyrtarit ose të kundërvajtësit dhe me faktin nëse kundërvajtësi është përsëritës apo jo.





