Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, reagoi dje në lidhje me projektligjin e ri të mazhorancës për strukturën dhe zinxhirin komandues të Forcave të Armatosura, duke e cilësuar si shqetësues faktin që përmes këtij drafti “ndërhyhet në ato kompetenca dhe të drejta kushtetuese të Presidentit të Republikës si komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura”. Presidenti Nishani thekson se është njohur me projektligjin para pak ditësh dhe edhe pse drafti nuk është ende zyrtare, ai e cilëson këtë nismë si një të vërtetë të hidhur që qeveria ndërhyn në pushtetet e pavarura.
“Ky projektligj bën një zhbalancim të harmonisë kushtetuese të pushteteve të komandimit të Forcave të Armatosura, pra të Parlamentit, të Presidentit dhe të qeverisë, çka demonton një standard të detyrueshëm për një vend anëtar të NATO-s, siç është edhe Shqipëria. Ajo që është më shqetësuesja ka të bëjë me faktin e heqjes së kompetencës së Presidentit të Republikës të miratimit të Planit të Përhapjes të Forcave të Armatosura dhe për më tepër dhënies së kësaj kompetence Kryeministrit të vendit, çka zhbëhet monitorimi dhe kontrolli i menaxhimit të pronave të ushtrisë, një cikël i cili tashmë me projektligjin e ri mbyllet brenda qeverisë; ministër-Kryeministër ”, – deklaroi Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në një intervistë për TV “Klan”, dhënë gazetarit Altin Janaqi.
Kreu i shtetit tha se shpreson që Kuvendi i Shqipërisë nuk do ta pranojë një ndërmarrje të tillë, pasi në rast se ndodh, – tha ai, – do të jetë një hap i madh prapa për sa u takon standardeve që duhet të ketë një vend anëtar i NATO-s, siç është Shqipëria.
Sipas projektligjit të ri të hartuar nga Qeveria, presidentit i hiqen 11 kompetenca për emërimin e gjeneralëve. Në draft thuhet se kreut të shtetit, i cili është njëkohësisht edhe komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, i hiqen 11 kompetenca, tri prej të cilave i jepen Kryeministrit.
PD: Rama kërkon të uzurpojë kompetencat Presidentit
Partia Demokratike akuzoi dje Kryeministrin Rama për zaptimin e institucioneve të pavarura dhe zaptimin e kompetencave të Presidentit. Në një deklaratë për shtyp, PD nënvizon se Rama kërkon t’i marrë 11 kompetenca Presidentit të Republikës, përsa i përket drejtimit dhe menaxhimit të forcave të armatosura. “Kjo është një sjellje prej veziri e Kryeministrit të vendit, i cili me ndihmën e Mimi Kodhelit, po shtrin tentakulat e tij edhe drejt forcave të armatosura, duke uzurpuar kompetencat e Presidentit sipas ligjit dhe Kushtetutës. Zaptimi i institucioneve dhe uzurpimi i kompetencave nuk është gjë e re për Ramën.”- thuhet në deklaratën e PD-së.




