Ligji i “Amnistisë”/ Nis boshatisja e burgjeve, lirohen 710 të dënuarit e parë

Sonila Mesareja

 

Mes të dënuarve, edhe një grua që vrau burrin. Kishte mbushur moshën 55 vjeçe, i kishte mbetur 1 vit e gjysmë burg

 Shërbimi i Provës: Nga ligji i amnistisë përfitojnë 1 mijë të dënuar me kusht, korrespodenca me Prokurorinë është gati

 

lirimet nga burgjetMëngjesi i djeshëm ka qenë si kurrë ndonjëherë në të gjitha burgjet e vendit, ku parashikohej të zbatohej amnistia. Pas marrjes njoftim përmes medias se do liroheshin 900 të burgosur, familjarët e tyre janë shfaqur para portës së burgjeve që herët në mëngjes duke pritur të afërmit të dalin prej andej të lirë. Nga mëngjesi dhe deri në përfundim të orarit zyrtar të ditës së djeshme, në gjithë burgjet u liruan dje 710 të burgosur, ndërkohë që procesi i lirimeve vijon ende. Në total nga amnistia përfitojnë 900 të dënuar, ndërsa të tjerë përfitojnë vetëm ulje nga 1 vit të dënimit të mbetur. Përfituese nga kjo Amnisti ka qëlluar edhe ndonjë nga gratë që ka vrarë burrin, por që për fat të saj ka mbushur moshën 55 vjeç apo dhe i ka mbetur pak kohë për të fituar lirinë e shumëdëshiruar. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, përfitues janë disa kategori të dënuarish, shumica prej të cilëve të mitur dhe femra, ndërsa si vepra penale kryesisht vjedhjet, falsifikimet apo vepra të tjera penale të rrezikojnë deri në 3 vjet burg. Në burgun e “Ali Demit” në kryeqytet përfituan rreth 82 të burgosur mes tyre 25 femra. Krahas të burgosurve që lirohen menjëherë, përfitues do të jenë edhe personat e hetuar për vepra penale të lehta dhe që hetohen në gjendje të lirë. Të gjitha dosjet e këtyre veprave penale të ndodhura para 31 dhjetorit të vitit të kaluar do të pushohen nga prokuroria gjatë procesit gjyqësor.

 

Përfituesit

 Sipas ligjit për amnistinë, plotësojnë kriteret për të lënë qelitë, të gjithë të dënuarit të cilëve u kanë mbetur deri në 3 vite burg për të vuajtur, personat e dënuar me kusht apo me gjobë apo personat për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 31 dhjetor nëntor 2013, pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi; personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me kusht, me gjobë, apo personat për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim; personat e dënuar me burgim, të cilëve, në datën 31 dhjetor 2013, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 6 të këtij ligji; të dënuarat femra, që në datën 30 nëntor 2013 janë baras ose mbi moshën 55 vjeçe; të dënuarit meshkuj, që në datën 30 nëntor 2013 janë baras ose mbi moshën 60 vjeç; të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç. Në të gjitha rastet përjashtohen të dënuarit për krime të rënda.

 

Reagimet

 Pas daljes nga porta e burgut 325, disa nga të dënuarat kanë preferuar të japin emocionet e para të paslirimit nga qelitë e burgut. “Falënderoj Zotin e shtetin që më bëri të mundur të bashkohem me fëmijët e mi që i kam 7 vjet në jetimore. Nuk di çfarë më pret në liri, por uroj që edhe ato që janë brenda të lirohen sa më shpejt. Shumë prej tyre nuk meritojnë fare atë dënim” thotë njëra prej të liruarave për gazetarët e pranishëm në ambienteve të jashtme të burgut, e cila nuk do të japë identitetin e saj. Një tjetër e dënuar rreth të 50-ve, nënë e 9 fëmijëve, shprehet se “jam dënuar për kanabis të cilin ma futën në xhep”. Por, ka edhe nga ato të dënuara që për shkak të moshës, por edhe kohës së pakët të mbetur nga vuajtja e dënimit, përfitoi lirinë edhe pse kishte kryer një krim, helmimin e burrit. Dituria tregon se i kushtoi shtrenjtë krimi që kishte bërë duke helmuar burrin, por tani është penduar. “Përfitova 1 vit e dy muaj nga amnistia. E bëra të gjithë burgun me sakrifica të mëdha dhe jam e shkatërruar nga burgu por megjithatë jam shumë e gëzuar që përfitova nga kjo amnisti. Helmova burrin dhe më kushtoi shumë shtrenjtë. Sot nuk më ka ardhur të më presë njeri dhe më thanë që do më çojnë këto të shoqatës në shtëpi pasi jam nga Korça”, – shprehet e gëzuar dhe trishtuar ajo. Një tjetër e dënuar është edhe Rajmonda Asllani, e cila ka qenë e para që ka dalë nga qelia e burgut 325 në kryeqytet. Ajo ishte e dënuar për mashtrim, ndërsa mes lotësh gëzimi për jetën që e pret, por edhe me lot trishtimi për shoqet që lë në qeli, tha se do të nisë jetën tashmë jashtë Shqipërisë.

 

Shërbimi i Provës, përfitojnë 1 mijë të dënuar

 Të dënuarit apo personat nën hetim deri në 31 dhjetor të vitit të kaluar nuk do të jenë përfituesit e vetëm. Nga ky ligj përfitojnë edhe 1000 persona që tashmë ndodhen nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës. Një fakt i tillë, ashtu sikundër ndodhi edhe në vitin 2012, konfirmohet nga vetë kreu i Shërbimit të Provës, Ilir Qafa, i cili bëri me dije se korrespondenca me Prokurorinë tashmë është gati. Drejtuesi i këtij institucioni, Qafa, bëri të ditur se nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës janë gjithsej 4000 të dënuar, 1000 prej të cilëve përfitojnë nga amnistia.

 

 

Burgjet: U liruan 710 të dënuar, procesi vijon

Të dënuar:

145 të dënuar nga IEVP Peqin

88 të dënuar nga IEVP Korçë, Drenovë

82 të dënuar IEVP “Ali Demi” (nga të cilët, 25 gra dhe 57 burra)

77 të dënuar nga IEVP Lushnje

62 të dënuar nga Fushë- Krujë

54 të dënuar dhe të paraburgosur nga IEVP Rrogozhinë

54 të dënuar nga IEVP Vaqarr

53 të dënuar nga IEVP Lezhë

25 të dënuar nga IEVP Burrel

23 të mitur nga Instituti i të Miturve Kavajë

8 të burgosur nga IEVP Durrës (1 i paraburgosur, 7 të dënuar)

4 të dënuar nga IEVP Krujë

1 i dënuar nga QSB

 

Të paraburgosur:

9 të paraburgosur nga IEVP Vlorë

7 të paraburgosur nga IEVP Tepelenë, Bënçë

6 të paraburgosur nga IEVP “Jordan Misja”

5 të paraburgosur nga IEVP “Mine Peza”

4 të paraburgosur nga IEVP Elbasan

3 të paraburgosur nga IEVP Berat

 

 

 

Share it :