Florenc Drizari
Subashi: Nuk votuam kërkesën për shkarkim për të mos ndikuar në procesin ndaj Zana Xhukës
Opozita bojkoton mbledhjen, Bylykbashi: Nuk bëhemi pjesë e kapjes së institucioneve të pavarura
Komisioni i Ligjeve miratoi kërkesën e 51 deputetëve të Partisë Socialiste për shkarkimin nga detyra të kreut të Inspektoratit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Zana Xhuka. Kërkesa e miratuar dje tek ligjet i sugjeron Kuvendit të Shqipërisë që në seancën e radhës të votojë për shkarkimin e Xhukës në krye të këtij Inspektorati, ndërkohë që në votim nuk morën pjesë deputetët e opozitës. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit, votuan pro 13 deputetë të mazhorancës, ndërsa dy deputetët e PS-së, Armando Subashi dhe Ulsi Manja, nuk morën pjesë në votim. Ky qëndrim u argumentua, sipas tyre, si një veprim për të mos ndikuar në procesin që po zhvillohet ndaj Zana Xhukës.
Armando Subashi
“Unë, zoti Manja dhe Lutaj kemi qenë anëtarë të atij grupi kontrolli që ngriti Parlamenti. Kemi përpiluar atë raport të cilin ia bëmë prezent. Po të shikoni kërkesën për shkarkim, përveç ne të treve që jemi këtu, nuk ka firmosur asnjë nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve dhe sigurisht kjo ka qenë më qëllimin që anëtarët e këtij Komisioni të ishin totalisht të zhveshur nga çdo lloj paragjykimi dhe vendimmarrja të ishte po ashtu jashtë çdo lloj paragjykimi. Kështu është edhe qëndrimi ynë për këtë rast”, – deklaroi Subashi.
Duke shpjeguar votën e tij kundër qëndrimit të Xhukës në krye të ILDKP-së, deputeti Piro Lutaj theksoi se qëndrimi i tij kundër vjen si pasojë e shkeljeve të rënda të konstatuara në raport dhe mosmarrja pjesë në votim për të është një përgjegjësi e madhe.
Kërkesa
Në kërkesën e deputetëve të mazhorancës thuhet se i propozohet Kuvendit të Shqipërisë shpallja si i pavlefshëm i vendimit të datës 1 janar 2013 të Kuvendit, për zgjedhjet e inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP-së dhe për rrjedhojë argumenton mazhoranca, rregullimin e pasojave juridike të krijuara nga ky vendim, përfshi edhe lirimin e menjëhershëm të Xhukës nga detyra.
Më herët nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylybashi, tha se kërkesa e mazhorancës për shkarkimin e kreut të ILDKP-së është në kundërshtim me rregulloren dhe Kushtetutën e vendit. Sipas tij, qëllimi i shumicës parlamentare është kapja e institucioneve të pavarura në vend. Në replike me deputetin demokrat, kryetari i këtij komisioni Fatmir Xhafaj, tha se kërkesa është e ligjshme dhe brenda rregullave, duke kritikuar gjithashtu qëndrimin e kryeinspektores për refuzimin për të tretën herë të pjesëmarrjes në mbledhje. Vendimi i mazhorancës për të shkarkuar inspektoren e Përgjithshme në Komisionin e Ligjeve, ishte për herë të dytë brenda një muaji. Ajo që duket se ka ndryshuar gjate këtij muaji është forma e shkarkimit, ku propozimi nuk bëhet më duke u bazuar në raportin e tre deputetëve socialist, procedure që është kundërshtuar nga opozita ne Gjykatën Kushtetuese, por shkarkimi vjen si kërkesë e 51 deputetëve të mazhorancës.
Shkarkimi i Xhukës
Bylykbashi: Kontroll për të kapur institucionet e pavarura
Propozimi i një grupi deputetësh të Partisë Socialiste, por edhe i pjesës së deputetëve të mazhorancës në Komisionin e Ligjeve për shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP-së, Zana Xhuka, në sallën e seancave plenare, u kundërshtuan nga përfaqësuesit e opozitës. Nënkryetari i PD-së në Komisionin e Ligjeve, Oerd Bylykbashi, deklaroi dje se mazhoranca ka për qëllim të shkarkojë krerët e institucioneve të pavarura në vend, me qëllim sundimin politik të tyre. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë dje në mbledhjen e Komisionit. I pranishëm ishte vetëm deputeti Bylykbashi, i cili pasi lexoi qëndrimin e tij, u largua në formë proteste ndaj vendimit të shumicës parlamentare.
“E gjithë kjo farsë nis mbi një dokument të paligjshëm të prodhuar nga një grup pune i paligjshëm, i miratuar në mënyrë të paligjshme nga ky Komision. Sigurisht që juve nuk do të ndaleni, sepse e keni ndarë që me arrogancë dhe me kartonët me 85 votat që ju keni, ku një pjesë i keni blerë qartazi kërkoni që të kapni kontrollin e të gjithë institucioneve kushtetuese ose atyre të zgjedhura me ligj. Opozita nuk do të pranojë që të vazhdojë të bëhet pjesë e këtij procesi farsë”, – tha deputeti Oerd Bylykbashi. Vendimi i mazhorancës, sipas opozitës, kërkon mosnjohjen e çdo akti që zonja Xhuka ka firmosur gjatë ushtrimit të detyrës.
Tri arsyet e mazhorancës për shkarkimin e Xhukës në ILDKP
1. Së bari, është konstatimi që ka bërë grupi i kontrollit lidhur me punën mjaft të dobët në atë institucion që nga momenti i emërimit të zonjës Xhuka, një periudhë afro njëvjeçare. Duke ballafaquar punën e saj me detyrimet që ngarkon ligji doli qartë që puna e saj menaxhuese dhe organizuese ishte mjaft e dobët. Kjo veprimtari ka sjellë pasoja shumë të rënda për institucionin.
2. Momenti i dytë ku deputetët kanë bazuar kërkesën e tyre, është edhe sjellja që inspektorja e Përgjithshme ka treguar ndaj Kuvendit të Shqipërisë. Në bazë të ligjit organik të ILDKP-së, por edhe të Kushtetutës, është e qartë që Kuvendi ka të drejtën e kontrollit edhe ndaj këtij institucioni. Me gjithë veprimtarinë disa mujore të këtij komisioni, inspektorja e përgjithshme nuk denjoi të paraqitej dhe të parashtronte objeksionet e veta.
3. Momenti i tretë është edhe emërimi i zonjës Xhuka në krye të këtij Inspektorati. Zonja Xhuka nuk plotësonte dy nga kriteret bazë të ligjit, qoftë ajo që ka të bënë me nivelin e arsimimit bazë të saj, qoftë edhe ai që ka të bëjë me vjetërsinë në profesion. Ligji kërkon që inspektorja e përgjithshme kërkon që inspektorja të ishte jurist apo financier dhe të kishte 10 vjet punë në profesion. Duke mos pasur këto diplomime, nuk përmbush edhe kriterin e dytë.
ZBARDHJE DEBATESH NË KOMISIONIN E LIGJEVE
Bylykbashi: Po shkelet rregullorja e këtij Komisioni. Po fusni në axhendën e sotme edhe një çështje që nuk është në axhendë, ligji për partitë politike. Kjo është vetëm një prove se si ju po drejtoni këtë komision.
Spartak Braho: Kjo është jashtë rendit të ditës.
Oerd Bylykbashi: Ditën e premte kontrolli juaj ishte kapja e AMA-s, kurse sot jeni thjesht në episodin e fundit të një sage farsë. Ky sulm mbi ILDKP-në, ky është një institucion i rëndësishëm i shtetit që ka për detyrë kontrollin e pasurive qeveritarëve.
Fatmir Xhafaj: Po flisni për rregulloren dhe jeni vetë në shkelje të rregullores. E kuptoni këtë? Është skandal, e turpshme.
Oerd Bylykbashi: Po flas tani në të drejtën time.
Fatmir Xhafaj: Nuk është procedurë kjo.
Bashkim Fino: S’kanë filluar procesin kështu që prit.
Oerd Bylykbashi: Është e qartë qëllimi i kësaj mazhorance, pa i bërë syri dritë për Kushtetutën dhe ligjin do të përdori kartonët për t’i shkarkuar të gjitha institucionet dhe për të bërë të varur politikisht. Opozita nuk do të bëhet pjesë e këtij procesi (çohet dhe largohet nga salla e Komisionit të Ligjeve).
Fatmir Xhafaj: Po na dëgjo të paktën, se me atë rast do të mësosh edhe rregulloren.
Bashkim Fino: Na dëgjo, se ç’do të themi edhe ne. Për sot rri të dëgjosh se ç’do t’i them Fatmirit. Është i vonuar që e ka bërë këtë veprim.
Fatmir Xhafaj: Zoti Fino, në respekt të Komisionit dhe të publikut, po deklaroj se këtu nuk ka asnjë shkelje të rregullores. Nuk këshillohet kryetari i Komisionit me kurrkënd kur thërret mbledhjen.
Bashkim Fino: Zyrtarisht është ftuar kjo inspektore e ILDKP-së, që është zgjedhur nga ky Kuvend? Në momentin që nuk e përfill këtë Komision, këtë Kuvend, ajo është e vetëshkarkuar. Duam një shpjegim nga ju si kryetar.
Fatmir Xhafaj: Po ju bëj me dijeni shkresën zyrtarë të bërë më datë 14 shkurt. Ku i kërkohet që Komisioni i Ligjeve do ta shqyrtojë këtë kërkesë ditën e martë në orën 11:00. Kjo është hera e tretë që thirret në këtë komision dhe nuk vjen.
Spartak Braho: Motivacioni mbi të cilin shkarkohet zonja Xhufka apo Xhuka si e ka ajo, është: shpalljen si të pavlefshëm të vendimit të Kuvendit numër 1, janar 2013. Kjo që kur është emëruar, është bërë në kundërshtim me ligjin, të tëra vendimet që ka marrë kjo zonjë, janë të vlefshme apo janë të pavlefshme? Për mua vendimet e saj janë të pavlefshme.
Armando Subashi: Kam frikë se nuk ka nxjerrë ndonjë akt, sepse nga ajo që ne verifikuam në të gjithë punën e saj njëvjeçare, nuk ka nxjerrë asnjë akt. Kështu që nuk ka asnjë rëndësi sepse në veprimtarinë e saj s’ka nxjerrë ndonjë akt, thjesht ka fjetur gjumë.
Dashamir Peza: A ka precedentë të mëparshëm që një drejtues i një institucioni kushtetues të ketë refuzuar raportimin në komision?
Fatmir Xhafaj: Në memorien time ky është një rast unikal.




