Lëv: Brazili pa Nejmarin është edhe më i vështirë

 Trajneri i gjermanëve u shpreh se mungesa e Nejmarit do ta bëjë më të fortë dhe të bashkuar ekipin e Skolarit

levSot luhet edhe përballja historike midis Brazili dhe Gjermanisë. Një ndeshje ku luhet për gjithçka. Brazilianët luajnë për të shkuar në finale dhe për të ngritur kupën para popullit të tyre. Kurse nga krahu tjetër gjermanët kanë brezin e artë dhe i duhet një trofe që mungon prej shumë vitesh. Pancerat kanë shkuar për shumë kompeticione kanë arritur edhe deri në finale, por kanë gabuar në këto 24 vitet e fundit. Trajneri i Gjermanisë, Hoakim Lëv, e ka të qartë që në gjysmëfinalen e Belo Horizontes formacioni i tij nuk do të ketë përballë një Brazil spektakolar, por një kundërshtar të ashpër dhe të fortë, që do të dalë jashtë traditës së tij. “Brazili nuk luan futbollin e tij tradicional, me atë stil artistik që të gjithë e njohim. Sigurisht që Seleçao ka në përbërje lojtarë teknikë, por sot luajnë një futboll më fizik dhe më të fortë. Kërkojnë ta shkatërrojnë sulmin e kundërshtarëve dhe nga ky moment të ndërtojnë”. Tema e arbitrave është ajo që e shqetëson më shumë 54-vjeçarin. “E kam ndjekur me kujdes takimin Brazil-Kolumbi dhe pashë që kishte ndërhyrje të ashpra nga të dyja ekipet. Kishte faulle për të shkatërruar lojën dhe jo dyluftime për të fituar topin. Thjesht synohej të ndërpritej loja. Shpresoja që në gjysmëfinale gjyqtari të jetë më i ashpër duke marrë masat përkatëse. Duke komentuar mungesën e Nejmarit, Lëv kujtoi se mund të jetë edhe më keq për Gjermaninë. “Mendoj se Brazili do të jetë më i vështirë për t’u mundur pa Nejmarin. Pa dyshim që ai është një lojtar me talent të jashtëzakonshëm, por para kësaj fatkeqësie, shokët e tij të skuadrës do të jenë më të bashkuar”. Ndërsa për mungesën e një stili të qartë loje në skuadrën e tij, Lëv shtoi: “Asnjë skuadër nuk po zhvillon një lojë spektakolare në këtë Botëror, të gjithë po luajnë fort fizikisht për të shkatërruar lojën e kundërshtarit. Asnjë ekip nuk do të mund ta fitojë botërorin duke menduar për lojën e mirë.

 

Ronaldo: Mungesa e Nejmarit forcon ekipin

Legjenda e Brazilit, Ronaldo “Fenomeni”, ka deklaruar se mosprania e Nejmarit nuk e bën më të dobët ekipin kombëtar brazilian. “Nëse gjermanët mendojnë se ata do të shohin një ekip pa shpresë dhe të dobët në fushë, për shkak se humbi një lojtar, edhe nëse ky lojtar quhet Nejmar, atëherë ata do të bëjnë gabim shumë të madh. Brazili kurrë nuk është mbajtur nga një lojtar. Ne kemi shembuj nga e kaluara, ku kemi pasur lojtarë të një niveli si Nejmar. Pele u lëndua në Botërorin e vitit 1962 dhe u zëvendësua. Përkundër kësaj Brazili e fitoi Botërorin. Ne presim që të gjithë të bëjnë më të mirën”, – deklaroi Fenomeni.

 

 Ndahet nga jeta Alfredo di Stefano

Tashmë futbolli do të jetojë pa një legjendë. Alfredo di Stefano u nda dje nga jeta, duke trishtuar gjithë botën e futbollit. Legjenda e futbollit spanjoll dhe atij argjentinas u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare në spitalin “Gregorio Maranon”, duke mos e fituar dot këtë herë ndeshjen e tij me jetën. Di Stefano ishte shtruar me urgjencë të shtunën në spitalin e kryeqytetit spanjoll, pasi kishte pësuar një tjetër arrest kardiak, i disati në këto 9 vitet e fundit. Di Stefano, që konsiderohet nga të gjithë si futbollisti më i rëndësishëm i historisë së “Los Blancos” ishte lideri i Realit të famshëm të viteve 50, me të cilin fitoi 5 UEFA Champions League dhe u shpall dy herë fitues i “Topit të Artë”. Po aq i jashtëzakonshëm dhe i paparashikueshëm sa ç’ishte në fushë, Di Stefano ishte dhe në zgjedhjen e ekipeve përfaqësuese, teksa në karrierën e tij luajti fillimisht me Argjentinën 6 ndeshje dhe më pas 4 me Kolumbinë, përpara se të stacionohej përfundimisht në radhët e përfaqësueses spanjolle. I lindur më 4 korrik në Buenos Aires, mbërriti në Spanjë te Reali në vitin 1953, duke pasur një përvojë tetë vjeçare mbi fushat e gjelbra dhe magjepsi menjëherë tifoz madrilenë me shpërthimet e tij, aq sa mori dhe nofkën e “shigjetës së argjendtë”, për shkak dhe të ngjyrës së tij të flokëve. Në vitin 1963 gjatë fazës përgatitore të Realit të Madridit në Karakas të Venezuelës, Di Stefano u mor peng nga grupi terrorist Faln, i cili kërkoi të hakmerrej ndaj diktatorit Franko për ekzekutimin e Julian Grimaut, që ishte ekzekutuar nga udhëheqësi spanjoll pak kohë më parë. Di Stefano u la i lirë pas dy ditësh para selisë së Ambasadës Spanjolle në Karakas. Me Realin, përveç pesë Championsve, duke qenë i vetmi bashkë me Genton në një sipërmarrje të tillë të jashtëzakonshme, ai fitoi gjithashtu dhe nëntë tituj përpara te Espanjoli në 1964 ku luajti për dy vjet duke mbyllur përfundimisht dhe karrierën e tij futbollistike. Di Stefano, më 5 nëntor të vitit 2000, u emërua në postin e presidentit të nderit të Realit të Madridit dhe në vitin 2003 u shpall nga Familja Mbretërore dhe Federata Spanjolle si lojtari më i madh spanjoll i të gjitha kohërave, pavarësisht se origjina e tij ishte argjentinase. Në nder të tij, Reali e ka quajtur impiantin ku stërvitet me emrin e stadiumi “Alfredo di Stefano”.

 

 Roben: I lodhur nga kritikat

Lojtari i tulipanëve, Arjen Roben, theksoi se është i lodhur me kritikat e shumta që ka marrë së fundmi vetëm për faktin që ai deklaroi se në sfidën përballë Meksikës simuloi në një rast për të fituar një penallti. “Në këto ditë është folur shumë për veprimet e mia dhe unë jam lodhur duke folur për këtë çështje. Njerëzit dëshirojnë të merren vetëm me një rrëfim të sinqertë timin, ndërkohë që nuk vënë aspak re se nga ndeshja në ndeshje kundërshtarët janë akoma më agresivë ndaj meje, megjithatë për fat jam akoma në formë të mirë”. Në vijim sulmuesi i kombëtares portokalli komplimentoi portierin Tim Krul për pritjen e dy penalltive përballë Kosta Rikës, duke i mundësuar Holandës kualifikimin në gjysmëfinalet e Botërorit. Morëm një fitore shumë të rëndësishme përballë një kundërshtari që u mbroj gjatë gjithë kohës. Dua të komplimentoj Tim Krulin për paraqitjen, por nuk duhet harruar fakti që e gjithë skuadra luajti mirë dhe kualifikimi është meritë e të gjithëve”.

 

 Hazard: Mësuam nga Botërori

23-vjeçari i Çelsit, Eden Hazard, u shpreh me bindje të plotë se Belgjika do të ketë një ardhme të ndritur. “Morëm një leksion që nuk do ta harrojmë shpejt, megjithatë duhet të nxjerrim përfitim nga kjo. Kemi një ekip të ri, shumë të talentuar, kështu që nuk na mbetet gjë tjetër veçse të projektojmë të ardhmen. Për ne ishte shumë e rëndësishme të luanim në një Kampionat Botëror, pasi në këto lloj kompeticionesh marrin pjesë skuadrat më të mëdha të botës”. Hazard dha opinionin e tij edhe për Botërorin që zhvilloi Belgjika. “Jam shumë i mërzitur për eliminimin, por pavarësisht nga gjithçka, mendoj se zhvilluam një Botëror shumë të mirë, duke arritur objektivin tonë. Unë nuk mund të parashikoj të ardhmen, por jam i sigurt se me punë mund të arrijmë larg, pasi cilësitë nuk na mungojnë”. Për sa i përket sfidës me Argjentinën, Hazard tha fjalët më të mira për kombëtaren “albiceleste”. “Argjentina zhvilloi një sfidë të madhe përballë nesh. Falë përvojës dhe detajeve të vogla ata arritën të na shënonin atë gol që vendosi ndeshjen”.

 

Share it :