Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit, çdo ditë, të disa letrave të rralla
Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete politikës e të kulturës. Pas çështjeve politike, të organizimit të partive në emigrim, letrat e Krujës shkojnë edhe në një dimension kulturor, siç është diskutimi me Zef V. Nekajn ku duhet shënuar se ky ishte studiues, dhe personalitet i letrave shqipe, i njohur me botimet e artikuj shkencore, të shkruar në të shumtën e herëve me pseudonime. Polemist mbi të vërtetën, në këtë frymë Nekaj argumenton në histori e gjuhë në letrat e rralla që ka pasur me Mustafa Krujën, të dy në vitet ‘50 në emigrim.
Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.
***
Ramleh, 2 mars 1954
I dashuni Zef,
Kam marrë letrën t’ânde me 15 fruer, tre numrat e Flakës së Vllaznimit (sërbo-shqiptar?) e dje edhe Jetën e Re. Faleminderës për të gjitha. Edhe ksi shtegu un due me rrahun vetëm argumentin e mërgimit t’ând (lat. migrare, shqip migruem, mirguem, mërguem), e ndër tjerët tash zgjatemi kur të jemi të dy mâ ngeshëm.
Kur un me t’ime motër patëm kërkuem me anën e kryekonsullatës së këtushme në prendverën e 1952-shit me u mërguem ndër Shtetet e Bashkueme t’Amerikës, e para gjâ qi na u lyp, mue për vete sidomos, pat qênë nji curriculum vitae. Kisha përpara nji nënkonsulleshë mjaft sympathike e të njerzishme, qi me atë frëngjishte amerikane të saj më tha: – Na duhet mâ par’e mâ dalë nji exposê e jetës s’uej me të gjitha hollsitë qi i përkasin. – Me të gjitha hollsitë, edhe private? U qesha un me tê. U qesh edhe ajo, e m’u përgjegj: – Në dashi edhe ato, un s’kam ndonji kundrështim, por zyrën t’eme e intereson vetëm jet’e juej publike. Un: – Prap se prap m’u dashka me shkruem të tânë nji libër. Dukej se bashkligjëruesj’e ime kishte pasë qênë krejt në terr të peripetive të jetës s’eme e s’muer vesht gjâ prej këtyne fjale të mbrapme qi i thashë, e desh me u ligjue. – Paj s’kemi si bâjmë ndryshe, se na i dajmë ata qi lypin me u mërguem në vêndin t’onë ndër kategorí të ndryshme, e veç ashtu mund t’a caktojmë se cilës kategorí i përket secili. Un s’e ngjata mâ, por i thashë se do të bâjsha ashtu si më porositi. U ktheva në shtëpí e u vûna me shkruem. Më duel nji synthesë mjaft e qartë e asaj perjode të jetës s’eme qi e dijsha se intereson kryesisht çeshtjen e mërgimit, në mos paça harruem, nja 15 faqe të daktilografueme. Mbas do kohe qi e pata dhânë, të shkrueme frëngjisht, mora nji letër nga konsullata ku më thuhej se ai shkrim “d’un intêrêt considêrable” e se prandej, po t’ishte punë qi bâhej, u deshirojshin së paku tri kopje tjera të përkthyeme si dispaced person, por un vetëm e jo edhe motra, e cila duhej të pritte kurin (Kruja) e vet si çdo mërgimtar i zakonshëm! E kjo e pritme nuk ishte mahí, por punë vjetsh. Âsht e dijtun se un s’kisha si me lânë motrën, nji femën të re, vetëm nëpër botë për me votun ke djali. Por nuk thashë se nuk shkoj: pak me shpresë se mund t’u gjindte ndonji shteg me u ndrequn edhe pun’e motrës, e mb’anë tjetër edhe për me pamë deri në fund punën t’eme, bâna sikur po e pranojsha fatin t’em ashtu si po më paraqitej. Atëherë më thanë se duhej të përgatitsha e të çojsha n’atë zyrë disa dokumenta tjerë: nji akt të lindjes…marrë shi prej vêndit ku kam lemë (pra prej Kruje!, e mos u çudit se nji kërkesë analoge të paska ndodhun edhe tý me t’u bâmë aty në Romë); deshmí të sjelluni të mirë n’Italí e këtu; fotografina e garantí materjale n’Amerikë prej ndonji shtetasi amerikan. Me kohë të gjitha këto punë u bânë në qarkun e mundsisë e u pranuen. Atëherë kishin mbetun me u kryem vetëm kontrollimet mjeksore, qi do të më kushtojshin do pare, edhe me u lypun në Washington numr’i quotës, si dispaced person, qi më thanë se mund t’u vononte nja 3-4 javë. E si të vinte ky numër do të merrsha vizën. Por këtu u ndala un. Pyeta nëse e humbsha të drejtën e fitueme po t’a vonojsha mërgimin t’em për disa arsye personale, përmbi të gjitha ajo e motrës. M’u përgjegjën se deri sa s’kisha marrë vizën nuk biersha kurrgjâ prej voneset.
Gati njikohsisht me mue kishte kërkuem edhe nji shoq i ynë këtu e, edhe ky për arsye të veta, i kishte pezulluem formalitetet në të njâjtën pikë si un. Tash para nja dý javësh këtij i u mbush mêndja me u nisun. Vot në konsullatë me lypun qi t’i bâheshin kontrollimet mjeksore e të kërkohej në Washington numr’i kurit të tij. Por i mjeri u gjind përpara nji të papritmje t’idhët. I kallzojnë se: 1) Quota e Shqiptaret ishte mbyllë edhe për displaced persons; 2) Me 1 qershuer të këtij vjeti s’do të ketë mâ mërgim ndër Shtetet e Bashkueme për askênd si displaced person, por vetëm në bazë të quotavet normale! U zgjata me nji faqe e gjymsë deri këtu vetëm për me të dhânë këtë lajm e tue menduem se ndër gjithë këto tfillime qi të bâna mund të gjindet ndoshta ndonji gjâ e vogël me të ndriçuem tý në punën t’ânde.
Tash pra lajmohu mirë edhe ti vetë aty mbi rasën t’ânde. Uroj qi t’a keshë shtegun çelë në bazën e asaj ligje të re t’Eisenhowerit qi të kam shkruem.
E njoh organizatën NCWC. Im bir Bashkimi ka shkuem n’Amerikë shi me garantin’e ksaj. Kështu edhe tjerë qi njoh un. Pra edhe për tý duhet të jetë po kështu. Ti merru vesht mirë me tê për gjithça e, si të kam shkruem edhe herën tjetër, kur të sigurohesh se nuk ke tjetër pengim me u mërguem n’Amerikë posë garantisë e në qoftë se NCWC-ja ka ndërruem programë e s’ep mâ garantina, do të më lajmojsh qi t’interesohem un. Sikur të kishte për t’u mbaruem kjo punë drejtpërdrejt me ndonji mik shqiptar, mund t’i biesha mbrapa edhe menjiherë; por mbasi garantija do të merret, gjithnji me anën e ndonji Shqiptari, por prej nji të hueji, pa qênë i sigurtë se me u dashun përnjimênd, âsht kot me i u përshpirtun tjetrit.
Po qe se për Shtetet e Bashkuara ke për t’a gjetun rrugën mbëshelë, nisju edhe Kanadasë. Edhe atje gjinden Shqiptarë qi janë systemuem gjithaqë mirë sa ata t’USA-s. Sa për klimën, dihet se ai vênd ve e piqet me polin e veriut gati, por viset kufîtare me Sh.B.A nuk janë aqë të ftohta. Qytet’i Bashkimit dahet nga Kanadaja soll me nji urë.
Tue kënduem tash prap pjesën qi i përket garantisë në letrën t’ânde, po më duket se ti ksaj i ke dhânë nji kuptim moraliteti politik. Ndërsa un flas për garantí (qi më duket se e quejnë edhe assurance) financjare, e cila siguron Shtetin ku shkon se në rasë qi ti nuk mundesh me jetuem me mjetet e tuja ka kush kujdeset për tý. Ana politike e morale, me sa dij un prej sa kam pamë deri sod, nuk don kurrfarë garantije me shkrim. Janë vetë pushtetet amerikane qi sigurohen me hetimet qi bâjnë vetë. Në qoftë se ai miku i yt kosovar âsht nji qi dikur kishte nji zyrë n’Ambashatën e atyshme e për të cilin Ndoi më ka pasë shkruem nji herë se kishte qênë shpërngulë gjeti, flêj i qetë, se fjala e tij ka mâ grat se e cilit do tjetër; e në qoftë nji shoq i ynë, dmth. refugjat si na, prap se prap âsht i fortë edhe ky, besoj un. Mbasandej punët e tuja janë për fushë e due me besuem se njiqind bagla lopësh të hjedhuna andej e këndej nuk munden me i vûmë në dyshim.
U gzova tepër për lirimin e t’yt et e t’yt vëlla. Më vjen keq për sŷt’e plakut të shkretë sidhe për humbjen e punës të vllaut. Për kunatën qofsh vetë shëndoshë. Mbahu i fortë, se ke shokë shumë e je edhe i ri. Jam tue qëndruem un qi mbusha plot 67! E vêni mênden shëndetës.
Mos u dëshpro as për moskuptimin e rrethit. Un të njoha, të kuptova e të desha me pak letra së largu. Por mos prit qi t’i kenë të tânë trûtë e temperamentat nji formet.
Për tash, pra, po e lâmë me kaq e nji herë tjetër do të flasim edhe për dokrra kulturore. Mirë të gjettë kjo letër.
Mustafa
Romë 25 prill 1954
I ndershmi Zotni Mustafë,
Letrën e fundit të datës 2 Fruer e kam marrë han’e kúr. Panorama e përpjekjevet të Z. së Juej për mërgim më ka dhanë mësim dhe në përgjithësi më ka vërtetue ngjarjet e ankimet e shum fatdjerrmëvet. Me u habitë prandej për shka mundet me më ngjajtë papritmas asht e arsyeshme, por me u tronditë për pengesat qi mund të më dalin për emigrim, tashma qi jam kthjellue, nuk do të ketë vend. Për këte Ju falënderoj së tepërmi si për çdo këshillë e interesim.
Jam tue u mundue me plotsue aq sa të kemë mundësit pranë NCWC-s e, në mundsha me u përbirue, qoftë edhe tue e lamë flashkun si gjarpni ferravet në pranverë, do t’a falënderoj shum Perëndin, mbas këtyne provave të vogla, se nuk po them Jakobjane. Kam pyetë se në çfarë lloj “QUOTE” do të kemë fatin me hymë dhe më janë përgjegjë se mvaret nga rendi qi të vijë dhe se nuk do t’emigrojë kush me plane të veçanta; gati ashtu si Ju kanë njoftue Jú e ate shoqin e Juej për “displaced persons”. Kësaj në Kosovë i thonë: “Lueje macë kryet e buellit”. Sido qoftë un, mbasi e kam vendosë përnjimend me mërgue, edhe në mos u baftë ajo tash shpejt, prap për nj’a disa vjet ka me u mrrijtë. Solidariteti i Juej në këte pikë më ngushllon dhe më jep zemër për durim. Më vjen keq vetëm se kam humbë shum kohë kot pa mujtë me vendosë as këndej as andej dhe më ra me ia hy mbas kohet kësaj ndërmarrjeje të paplanifikueme ngultas kur pata ba menden me kalue në Prendim.
Me këte rasë Ju njoftoj edhe se Z. Kapidan Ndoj asht tregue i arsyeshëm edhe paska shkrue nji mikut të vet n’Amerikë në se do të ketë mundësin me i dërgue “garanci” për nji mikun e vet (mue) dhe ai e ka sigurue se po. Kështuqi Ju për tash keni pshtue pa Ju trazue ma gjatë, vetëm në qoftë se pratikat e këtushme kanë me m’u nëpërkambë e garancija qi shpresoj se do të më vijë n’Ambashadën Amerikane me sa thotë miku i Kapidanit qi pa dyshim asht edhe mik i dashtun i Jueji, do të vjetrohet e autoritetet e emigrimit do të kërkojnë të rejat, atëhere do të Ju shkruej mejherë qi të bani Ju hapat aty ku të mundeni. Për tash nuk e kam menden me kërkue për Kanada e gjetiu pa m’i pre drût shkurt për n’Amerikë; por e kam ba mendim me i shti rrajë durimit, pse ndryshe nuk dilet.
Do të kemi durim edhe për arsye se duhet me i bindë të tjerët me qindresën e drejtë – në rasë se kam lejen ose paturpsin me e thanë kështu për veti. Por në të vërtetë nuk po dihet kah me ia mbajtë, veç, si i thonë ke na – “kah syt-kambët”!… e mërgim si shumica e atyne qi i pshtojnë cerberus-it.
Këte përgjegje si të gjitha të tjerat e kam vonue tue pritë do libra prej Jugosllavije, të cilat më mrrijtën bashk me nji libërth të Selman Rizës përmbi “Diftorët e Shqipes”, ku ka tjerrë e shtjellue thezën e methodën e vet tue u kacafytë largas me Mjedën. Prandej po Ju pyes qi në rasë se nuk Ju ka ardhë prej Martinit ose prej ndokuj tjetër nga miqt qi më keni përmendë se mund të keni atje, më shkrueni fare pak e shkurt, nemose nji kartolinë dhe mejherë po Ju a postoj nji paketë të vogël, mbasi ka dashtë Zoti e po Ju mrrijkan me siguri.
Im át vërtetë se asht lirue mbas verbimit, por për mue, ma mirë do të kishte qenë sikur të kishte vdekë krejt, aq ma tepër pse nuk jam në gjendje t’i dërgoj asgja e as t’a njoftoj se jam gjallë dhe të ngushllohet më të thatë nemose prej kësaj ekzistencës e flijimit t’em të bukur e të gjithfrytshëm. Më ka lehtësue tash vonë pak lajmi i riemnimit të vllaut në Jugosllavi në gjimnazin e Gjurakovcit-Pejë. Por m’anë tjetër edhe ai më shkruen se dishron me u pa me mue në rasë se do të muj me emigrue, domethanë me m’a mrrijtë atje ku të jemë… Ju falënderoj për ngushllimet e kunatës. Ua këthefsha në përgëzime e urime.
Tash më lejoni të Ju pyes se si e keni punën e emigrimit e kur do të Ju vijë rendi Jú me motër e familje me emigrue, apo e keni hekë ata új prej zjarmit? Këte pyetje Ju a bana, pse mâ vonë, mbas takimit me nji mik kosovar, kam mendue të Ju drejtohem për nji nderë, e cila ka me Ju mrrijtë e shtrueme dhe e qartë sigurisht me letrën tjetër. Për tash kufizohem vetëm të dijë kaq e, mbi çdo gja tjetër, Ju uroj shëndet e jetë të gjatë me ç’dishroni!
Me dashtuni e nderim
I Jueji
Zef Nekaj




