(Një gjobë e kundërligjëshme ndaj meje, të anulluar nga Gjykata)
Ministrisë së Kulturës
- Elira Kokona
Muzeut Historik Kombëtar
Zotit Melsi Labi
Jam njoftuar befasishëm nga Muzeu Historik Kombëtar (shkresa nr.517 Prot. dt. 28.05.2014) se, me kërkesë të Auditit të Ministrisë së Kulturës, në Urdhërin e Ministres së Kulturës nr.373/6 prot, datë 15.05.2014, pika 8 është shkruar: “Institucioni të ndjekë në rrugë ligjore z. Kasem Biçoku me detyrë ish-drejtor i MHK, për arkëtimin e shumës 100 000 lekë, si masë e vënë nga Agjencia e Prokurimit Publik”.
Për këtë ndjehem shumë i lënduar, sepse padrejtësisht, në urdhërin e Ministres, unë paraqitem dy herë fajtor: si person i ndëshkuar dhe si ish drejtues që nuk ka zbatuar ligjet e shtetit.
Unë e kam njoftuar me kohë MHK, që më 26.03.2012, për gjyqin që kam fituar kundër APP, duke i bashkëlidhur Vendimin nr.597, datë 30.01.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kjo letër ka qenë protokolluar në MHK, sepse ajo është cituar në një shkresë të Luan Malltezit (Nr.114 Prot, dt.30.03.2012): “Lënda: Përgjigje e kërkesës tuaj dt.26.03.2012…Në përgjigje të kërkesës tuaj dt.26.03.2012”
Para se të hartonte shkresën e sipërpërmendur (nr.517 Prot. dt. 28.05.2014), drejtoria e MHK duhej të kishte ndjekur procedura paraprake ligjore, siç është njohja e projektraportit të Auditit nga unë, duhej të pyeste në se unë kam hapur proces gjyqësor për të anulluar gjobën e APP dhe, për më tej, në sekretarinë e MHK është e depozituar nga unë kopja e vendimit të Gjykatës, që në mars të vitit 2012. Po të ishin ndjekur këto procedura, nuk do të kishte dalë urdhëri i gabuar i Ministres kundër meje, urdhër, që, nëpërmjet shkresës së drejtorisë së MHK, do të përdoret si trakt opinioni kundër meje prej abuzuesve të shumtë, të kritikuar e të ndëshkuar nga unë.
I kërkoj drejtorisë së MHK të ndëshkojë personat përgjegjës, e në radhë të parë sekretaren, që kanë fshehur apo zhdukur kopjen e Vendimit nr.597, datë 30.01.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës, dhe letrën time dt.26.03. 2012 drejtuar MHK. Nuk ka punonjës të MHK të mos e dijë se unë kam fituar gjyqin kundër një Auditi, që prej vitesh e vitesh mbulon vjedhjet e abuzimet e shumta në MHK.
Të përdorësh kundër meje Auditin për të mashtruar edhe Ministren, është marrëzi e punonjësve të ndëshkuar nga unë për vjedhje e mashtrime dhe që ndjehen të betonuar në MHK prej protektorëve të tyre.
Në të njëjtën hulli mashtrimesh ka ecur edhe Auditi, i cili ka shkelur detyrimin ligjor, duke mos më treguar paraprakisht materialin përkatës. Të njëjtën gjë ka bërë edhe me raportin e vitit 2010, të cilin, sipas Luan Malltezit, nuk e ka depozituar as në MHK dhe unë nuk jam njohur me atë raport (Nr.114 Prot, dt.30.03.2012). Me këtë rast dua të shtoj se, familiarja e një punonjësje të Auditit, është nga biletashitëset që ka vjedhur më shumë në MHK.
Rasti i urdhërit të sipërpërpërmendur e të gabuar të Ministres ndaj meje, i përforcon edhe më tej, ato që Ju kam shkruar më 26 maj, se sa subjektive e të manipuluara janë kontrollet që ushtron Auditi i Ministrisë së Kulturës në MHK, ku punojnë edhe familjarë hajdutë e mashtrues të Auditit.
Mendoj se drejtuesit e Ministrisë së Kulturës do të mbajnë qëndrim ndaj papërgjegjëshmërisë së punonjësve të Auditit për të pavërtetat që kanë shkruar e vazhdojnë të shkruajnë kundër meje, si edhe kërkoj të bëhet korrigjimi zyrtar i pikës 8 të Urdhërit të Ministres (nr.373/6 prot, datë 15.05.2014), që ka cënuar dinjitein tim.
Gjithashtu kërkoj të më jepen kopjet e të dy raporteve të Auditit, i tanishmi dhe ai i vitit 2010.
Bashkëlidhur: 1. Vendimi nr.597, datë 30.01.2012, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës.
2. Letra që i kam drejtuar MHK 26.03.2012 mbi vendimin e Gjykatës.
3. Letra e Luan Malltezit (Nr.114 Prot, dt.30.03.2012), ku është përmendur letra ime mbi vendimin e Gjykatës.
Kasem Biçoku




