Lejet e ndërtimit/ Ndalimi me një vit, PD do e nisë në kushtetuese: Vendorët mos e zbatojnë

Gëzim Saliu

gjykata kushtetueseOpozita pritet ti drejtohet Kushtetuesese për ndarjen e re territoriale, ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e KLD dhe atë të shkollës së Magjistraturës

Vendimi i marrë së fundmi nga Këshilli Kombëtar i Territorit në lidhje me moslejimin e dhënies së lejeve të ndërtimit nga pushteti vendor për një vit pritet të kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Partisë Demokratike. Kështu mësohet se opozita aktualisht është duke përgatitur nismën përmes ekspertëve të saj ligjore dhe ajo pritet të konkretizohet në muajin shtator. Kundërshtia kryesore e demokratëve, të cilën pritet ta kenë edhe si argument kryesor në Gjykatë pritet të jetë arsyeja sipas së cilës vendimi i KKT-së është antikushtetues pasi ndërhynë në kompetencat e pushtetit vendor. Ndërkaq për këtë nismë demorkatët pritet të kërkojnë mbështetjen e vendorëve, të cilët janë të prekurit e drejtpërdrejtë nga vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit.

 

Argumentat

Për Partinë Demokratike vendimi i KKT-së bie ndesh me nenin 113 të Kushtetutës, ku përcaktohen kompetencat e njësive vendore në territorin e tyre. “Këshillat komunalë, bashkiakë të qarkut rregullojnë dhe administrojnë në mënyrë të pavarur çështjet vendore brenda juridiksionit të tyre; ushtrojnë të drejtat e pronës, administrojnë në mënyrë të pavarur të ardhurat e krijuara, si dhe kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtari ekonomike; kanë të drejtë të mbledhin dhe të shpenyojnë të ardhurat që janë të domosdoshme për ushtrimin e funksioneve të tyre; kanë të drejtë të vendosin, në përputhje me ligjin taksa vendore, si dhe nivelin e tyre; caktojnë rregullat për organizimin dhe funksionimin e tyre në pajtim me ligjin si edhe ndërmarrin nisma për çështje vendore përpara organeve të caktuara me ligj”, thuhet në ligjin themeltar të vendit. Po ashtu krahas këtij neni, pritet që demokratët në padinë e tyre kundër vendimit të KKT-së të rradhisin edhe argumentet që mbështeten në vetë vendimet e Gjykatës Kushtetuese mbi kompetencat e pushtetit vendor si edhe në Kartën Europiane të Autonomise Lokale që njeh dhe përcakton autoritetet vendore si përgjegjëse për administrimin dhe vetëqeverisjen e territorit te tyre. Ndërkaq përvec vendimit të KKT-së në lidhje me lejet e ndërtimit, Partia Demokratike pritet të përballet me mazhorancën qeverisë në Gjykatën Kushtetuese edhe për një sërë ligjesh të miratuar më së shumti në seancën e fundit të sesionit të kaluar parlamentar të datës 31 korrik. Kështu ligji për ndarjen administrative-territoriale, ai për organizimin dhe funksionimin e KLD-së si edhe ligji për shkollën e Magjistraturës pritet të dërgohen për ankimim në Gjykatë nga ana e demokratëve. Më parë, PD ka dorëzuar në Kushtetuese ankimimin mbi vendimin e qeverisë që detyron kompanitë e telefonisë të dorëzojnë numra IMEI të aparateve celularë, si dhe qytetarët të dorëzojnë IMEI e aparatëve që kanë në përdorim. Sipas opozitës ky vendim i ekzekutivit bie ndesh me të drejtën e privatësisë së qytetarëve si edhe me shumë karta të njohuar ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e individëve.

 

Argumentimi i kryeministrit për vendimin e KKT-së

“Me këtë vendim, ne marrim përsipër si Këshill Kombëtar i Territorit që në radhë të parë të fillojmë procedurat për rishikimin e instrumenteve të planifikimit vendor, të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit, me qëllim harmonizimin e tyre në funksion të ndarjes së re administrativo-territoriale, por edhe përtej ndarjes administrativo-territoriale në funksion të krijimit të një kulture vetëpërmbajtjeje ligjore dhe nënshtrimi përpara gjithë çfarë ligjet kanë paraparë në funksionimin e autoriteteve, për të autorizuar leje ndërtimi. Kjo sjell domosdoshmërinë për të pezulluar me autoritetin e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe në funksion të interesit tonë kombëtar dhe publik, por dhe të gjithë atyre interesave private që janë sakatuar dhe sakatohen çdo ditë, duke mos u marrë hiç parasysh, për qëllime nga më të errëtat, të zbatimit të të gjitha planeve vendore, të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit, deri në konstituimin e organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore, pas zgjedhjeve të vitit 2015”

 

Reforma në drejtësi/ Alibeaj: Ndryshimt në Kushtetutë me synime politike, ndërhyrje në paketat e ligjeve

Mazhoranca qeverisëse ka paralajmëruar nisjen e reformës në gjyqësor me fillimin e sesionit të ri parlamentar në shtator, për të cilën ish-ministri i drejtësisë Enkelejd Alibeaj tha se ajo duhet kuptuar pa ndërhyrë në kushtetutë. Duke iu referuar rastit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë , Alibeaj shpjegoi se ndryshimet kushtetuese janë një luftë politike ndaj emrave konkretë. “Ndryshimet e drejtpërdrejta kushtetuese në këtë rast nuk synojnë gjë tjetër veçse një lloj ndryshimi të emrave konkretë të cilët sot janë administratorë. Kërkohet të ndryshohet emrat konkretë në KLD, nënkryetari i KLD, tentohet madje deri tek Presidenti i Republikës. Do të ishte humbje kohe dhe krijim i tensioneve artificiale politike në këtë rast”, tha ai për “A1”. Më tej, ish-deputeti demokrat pohoi se zgjidhja e reformës në drejtësi mund të shihet përmës ndërhyrjes në ligjet që e rregullojnë këtë të fundit, qofshin këto ligje dhe me shumicë të cilësuar. “Porse duke bërë axhustime tek ligjet përkatëse të cilat rregullojnë sistemin e drejtësisë. Ligji për Ministrinë e Drejtësisë, ligji për Procedurën Penale, ligji për Procedurën Civile, atëherë do të duhet parë dhe do të duhet axhustuar pikërisht në këto ligje të cilat modelojnë pikërisht proceset gjyqësore. Kemi pjesë të sistemit gjyqësor të cilat funksionojnë më së miri. Gjykata Administrative, Gjykata e Krimeve të Rënda, atëherë shembuj të tillë do të duhet t’i transpozojmë edhe në pjesë të tjera të procesit gjyqësor. Kjo nuk bëhet me ndryshime kushtetuese”,  u shpreh Alibeaj. Opozita la bërë të ditur se për pjesëmarrjen e saj në reformën që ka paralajmëruar në drejtësi duhet që: së pari procesi të udhëhiqet nga komisioni Venecias, së dyti që e drejta për shkarkimin e gjyqtarëve të mos jetë monopol veçse i Ministrit të drejtësisë dhe Kryeministrit dhe së fundmi shndërrimin e gjykatës së Lartë në Gjykatë karriere.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :