Florenc Drizari
“Për kompensimin e pronave do të ndiqen dy rrugë, kompensimi fizik dhe financiar”
Në dy dekadat e fundit mësohet se Zyrat e Kthimit të Pronave në të gjithë vendin kanë shqyrtuar rreth 49 mijë dosje, ndërsa kanë ngelur ende 8 dosje pa u përmbyllur. Ky proces, sipas përfaqësuesve të qeverisë, është drejt fundit, pavarësisht gangrenizimit që theksohet që ka pasur procesi gjatë viteve. Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë që kur Shqipëria nisi rikthimin e pronave në vitin 1993, qeveria pranon se ende nuk ka një afat zyrtar se kur ky proces do të mbyllet në mënyrë përfundimtare. Aktualisht pranohet se fatura është shumë e madhe për buxhetin e shtetit, paçka se nuk jepen shifra konkrete.
Drejtorja e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato, deklaroi dje se pronarët të cilëve u është zënë toka bujqësore me ligjin 7501 ose me objekte shtetërore, rrugë , shkolla etj. janë të pajisur me një vendim për kompensimin e tyre, por nuk kanë arritur dot të realizojnë të drejtën për t’u kompensuar apo për t’u vënë përballë një alternative zgjidhjeje.
Sipas drejtores së AKKP-së, për kompensimin e pronave do të ndiqen dy rrugë, kompensimi fizik dhe financiar. “Ka forma të tjera që parashikon për kompensimin e pronarëve si ligji pjesëmarrja me obligacione në ndërmarrjet shtetërore, pjesëmarrja në privatizime, pra formulat që ne mund të identifikojmë janë të shumta. Këto formula kërkohen dhe janë më të njohura nga pronarët. Urojmë që në dhjetor të nxjerrim përfundimisht listën e vendimeve të kompensimit të dhëna në Shqipëri në këto 23 vite. Këtë javë që vjen lidhim një marrëveshje me drejtorinë e Arkivave për të na disponuar me ato pjesë të dosjeve që ne nuk i disponojmë. Me marrjen e këtyre dosjeve nga rrethet, ne mund të bëjmë një skaner të vendimmarrjes. Më pas shteti fillon dhe llogarit faturën e kompensimit. Do llogarisim kompensimin fizik, atë financiar e me radhë”, – deklaroi Qato për “Ora News”.
Për shkak se fatura financiare për kompensimin financiar të ish-pronarëve është shumë e madhe, qeveria duket se ka zgjedhur rrugë të tjera për kompensim, duke marrë si shembull modelin rumun. Rumania është një shtet që ka pasur të njëjtin shqetësim si Shqipëria lidhur me kthimin e pronave, paçka se thuhet se sistemi i pronave gjatë regjimit komunist në Rumani nuk ka qenë aq i egër sesa në Shqipëri.
Duke folur për mënyrat që do të ndiqen për kompensimin, drejtoresha e AKKP-së theksoi se Rumani ka disa formula për zgjidhjen e këtij procesi si përdorimi i letrave me vlerë, përfshirja e pronarëve në ankandet e shitjen të veprave publike etj. “Këto janë formulat e zgjidhjes, përndryshe do të përballemi me një faturë të madhe”, – shprehet Qato.
Zgjidhja e çështjes së pronave në Shqipëri shihet si një proces i lidhur ngushtë si me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ashtu edhe me Agjencinë e Legalizimeve. Lidhur me këtë të fundit, qeveria pak muaj më parë miratoi ligjin e ri, ku përcaktohen procedura të reja për legalizimet në zonat informale.
Kuvendi Kombëtar
Rama: PD bën kongres, qeveria sheh punën e saj
Në ditën e parë të mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama. Me anë të një komenti në rrjetin social “Facebook”, Rama ka shkruar se ndryshe se si kanë vepruar demokratët kur ishin në pushtet, duke sulmuar me akuza çdo mbledhje të rëndësishme të forumeve drejtuese të PS-së, përfaqësuesit e qeverisë që ai drejton nuk u morën me komente apo sulme ndaj këtij zhvillimi. “Ja dhe një shembull i ndryshimit real: Kur bënim kongres në opozitë qeveria na gjuante me baltë, sot PD bën kongres qeveria sheh punët e saj”, – shkruan Kryeministri Rama. Më herët gjatë paradites së të shtunë, drejtues të PD-së akuzuan qeverisjen aktuale si shkelëse e ligjeve dhe e Kushtetutë, duke çuar vendin në një situatë të vështirë financiare. Demokratët në Kuvendin Kombëtarë pranuan mosrealizimin e disa detyrave në qeverisjen e shkuar, ndërsa theksuan nevojën e bashkimit për t’u përballur edhe më fort me mazhorancën e majtë, të cilën ata e konsiderojnë se po cenon çdo ditë të drejtat e qytetarëve.
Nju Jork
Nishani takohet me Sekretarin amerikan për Çështjet Evropiane: Drejtësia, jashtë ndikimit politik
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë vizitës së tij në Nju Jork, zhvilloi një takim me Zëvendësndihmës Sekretarin në Zyrën për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, Hoyt Lee. Në takim u shkëmbyen mendime për zhvillimet në Shqipëri, për situatën në rajon dhe për çështje të sigurisë në botë. Duke folur për situatën, pas marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, Presidenti Nishani u përqendrua në sfidat që lidhen me reformimin e drejtësisë, bazuar në parimet e gjithëpërfshirjes, transparencës, profesionalizmit dhe pavarësisë nga grupet e interesit, me ndërtimin e një administrate profesionale, jashtë ndikimeve politike dhe me luftën kundër krimit e korrupsionit. Më tej, Presidenti e siguroi diplomatin e lartë amerikan se Shqipëria do të vazhdojë të ndjekë politikën e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në mbështetje të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në rajon. Kreu i Shtetit vuri në dukje, gjithashtu, vendosmërinë e Shqipërisë për të vazhduar kontributin e saj, përkrah aleatëve, në koalicionin kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Lee e siguroi Presidentin se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë Shqipërinë në procesin e integrimit evropian.





