LANÇ “përçan” mazhorancën/ Rama: Neglizhencë e patolerueshme, kërkojmë ngritjen e komisionit për 70-vjetorin e Çlirimit

Gëzim Saliu

 

LSI: E pafalshme që nuk ka shenja nga qeveria për restaurimin e Varrezave të Dëshmorëve

 “Nderimi i 70-vjetorit të Çlirimit s’është respekt vetëm për 1 milion votat, por për çdo shqiptar”

 

luan rama Lëvizja Socialiste për Integrim, edhe pse pjesë e mazhorancës qeverisëse, ka kritikuar dje ekzekutivin me në krye Kryeministrin Rama për indiferentizmin sipas saj, të treguar në këto kohë lidhur me kërkesën për ngritjen e Komisionit shtetëror për kremtimet e 70-vjetorit të çlirimit të vendit. Në kohën kur kreu i qeverisë dhe një pjesë e kabinetit qeveritar nuk ishin në vend për shkak të vizitës zyrtare në Gjermani, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, kërkoi dje nga qeveria shqiptare që të formojë sa më shpejt Komisionin, duke nënvizuar se që nga kërkesa e bëra nga kjo forcë para dy muajsh nuk ka pasur asnjë reagim. “Kanë kaluar dy muaj dhe ende asgjë, të paktën edhe formalisht asnjë reagim pozitiv nga ana e qeverisë për të kuptuar të gjithë se çfarë do të bëjë Shqipëria në 70-vjetorin e Çlirimit të Atdheut. Nga pozita luajale dhe partneriteti, e ftoj në mënyrë të veçantë Kryeministrin të mbledhë, organizojë dhe formësojë menjëherë Komisionin Shtetëror, mundësisht brenda 15 prillit për t’i dhënë kohë qeverisë por edhe të gjithë shoqërisë të bëjë pjesë e angazhimit dhe e kontributit për të festuar dhe përkujtuar me madhështi këtë datë të lavdishme pasi Çlirimi i Atdheut dhe shpallja e Pavarësisë, janë dy ngjarjet më të lavdishme dhe më të ndritura të historisë së Shqipërisë që prej epokës së Skënderbeut”, – tha Rama. Sipas tij, ky komision duhet të jetë gjithëpërfshirës, duke bërë pjesë të tij të gjithë ata që jetojnë sot dhe që kanë qenë pjesëtar të formacioneve partizane, kontributorë në luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare si dhe të gjithë intelektualët grupet e interesit përfaqësues të botës akademike dhe shkencore.

 

Varrezat e Dëshmorëve

Nga ana tjetër në konferencën e tij, Rama pasi vlerësoi aktin simbolik të restaurimit të zyrave të selisë së ish-të përndjekurve politikë e konsideroi të pafalshëm faktin që ende nuk ka shenjë për rregullimin dhe restaurimin e Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. “Është e pafalshme që ende nuk ka asnjë shenjë për rikonstruktimin, rregullimin, restaurimin e Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë dhe të të gjitha monumenteve, shenjave të kujtesës historike, që sjellin edhe në ditët e sotme madhështinë dhe lavdinë e heroizmin partizan”, – tha ai. Ndërkohë duke rinënvizuar rëndësinë e krijimit të Komisionit Shtetëror, sekretari i përgjithshëm i LSI-së bëri të ditur qëndrimin e forcës ku ai bën pjesë nëse kjo kërkesë nuk do të merret parasysh nga qeveria. “Nëse nuk do të krijohet ne do të ndërmarrim edhe nisma të tjera korrekte ligjërisht dhe transparente publikisht për ta ndihmuar qeverinë të kuptojë se nderimi i 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut nuk është respekt dhe nderim vetëm për 1 milion votat që ka marrë kjo mazhorancë, por është respekt dhe nderim për çdo shqiptar që jeton në Shqipëri”, – deklaroi Rama.

 

 

Në Bruksel/Bushati me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s: Dënojmë referendumin e Krimesë

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati mori pjesë dje në Bruksel në takimin me homologët e vendeve anëtare të Aleancës, ku u trajtuan një gamë të gjerë tematikash, që prekin marrëdhëniet aktuale të NATO-s me Ukrainën dhe me Rusinë. Në fjalën e tij, gjatë takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut, ministri Bushati pohoi: “Shprehim mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, dënoi mbajtjen e referendumit në Krime, si dhe hodhi poshtë çdo analogji mes Krimesë dhe Kosovës”. Në kuadër të pjesëmarrjes në këtë mbledhje, ministri Bushati ka zhvilluar një takim edhe me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry. Po dje u zhvillua edhe një darkë pune e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, ku mësohet se u diskutuan pasojat e zhvillimeve në Ukrainë për bashkësinë ndërkombëtare dhe vetë Aleancën.

 

Kryeministri i zgjedhur serb/Vuçiç: I gatshëm të takohem me Ramën, nuk destabilizojmë rajonin

Kryeministri i ardhshëm i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka shprehur gatishmërinë për t’u takuar me Kryeministrin Edi Rama. Në kohën kur vizita e planifikuar e Ramës në fillim të shkurtit në Beograd u shty për shkak të fushatës zgjedhore në Serbi, Vuçiç, që më 27 prill do të marrë drejtimin e qeverisë, tha se ai e mirëpret një takim me Ramën. “Sa u përket takimeve me zotin Rama, unë jam i gatshëm në çdo moment të takohem me të në Beograd apo në Tiranë. Thënë qartë: jam plotësisht i gatshëm për takim dhe bisedime me të. Mendoj se zoti Rama dhe unë do të takohemi dhe do të bisedojmë gjatë këtij viti. Për mua është absolutisht e parëndësishme se ku do të takohemi, unë nuk vuaj nga gjëra të këtilla. Unë mendoj se një takim i tillë është i rëndësishëm për Serbinë. Puna ime është që të mbroj interesat e Serbisë dhe mendoj se është me rëndësi që të takohem me Kryeministrin e Shqipërisë. Mendoj se një takim i tillë në asnjë mënyrë nuk do të destabilizonte rajonin. Përkundrazi”, – u shpreh ai në një interviste për “Deutsche Welle”-n. Aleksander Vuçiç pritet të drejtojë delegacionin e Serbisë në takimin e radhës në Bruksel që do të mbahet më 29 prill me Kryeministrin Thaçi dhe baroneshën Ashton, takim ku, sipas tij, palët do të arrijnë marrëveshje për organet e gjyqësorit dhe drejtësinë. “Nuk do t’u shmangem obligimeve të mia, sepse detyra jonë është që të flasim me shqiptarët e Kosovës. Kjo është një punë shumë e rëndë për të dy palët. Shpresoj se gjithmonë do të mund të bisedojmë së bashku. Gjithmonë mund dhe duhet të flasim së bashku dhe shpresoj se shumicën e problemeve do t’i zgjidhim së bashku”, – tha Vuçiç.

 

 

Share it :