Florenc Drizari
Ilir Meta: Nuk e kam votuar Zana Xhukën kur kam qenë në koalicion me PD-në
Seanca e djeshme plenare në Kuvendin e Shqipërisë u shoqërua sërish me debate dhe akuza mes pozitës dhe opozitës për shkarkimin e kreut të ILDKP-së një javë më parë. Deputetët e opozitës kërkuan tërheqjen e mazhorancës nga procedurat e ndjekura në mbledhjen e fundit të Kuvendit, ndërkohë që përfaqësues të shumicës parlamentare theksuan se kryeinspektorja Zana Xhuka ishte emëruar në atë post në kundërshtim me ligjin dhe mbrojtën vendimin e marrë ditë më parë.
Gjatë replikave me deputetët e Kuvendit, ish-kryeministri Sali Berisha e quajti vendimin e mazhorancës një veprim nazist, të ndodhur në një vend demokratik. Sipas ish-kreut të qeverisë, Parlamenti mori kompetencat e Presidentit të Republikës dhe shkeli rëndë rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën.
“Ne mblidhemi sot, pasi ju një javë më parë udhëhoqët Parlamentin, zoti Kryetar, në një votim të tipit nazist. Dhe unë do ta shpjegoj fjalën time. Ju këtu, në kundërshtim me ligjin dhe institucionin, shkarkuat zonjën Zana Xhuka dhe morët përsipër të anuloni vendimin e Parlamentit, të cilën ju e gjetët të zgjedhur jashtë kushteve ligjore, por për t’i marrë pushtetin Presidentit të Republikës, të cilit ligji ia njeh se duhet dekret me dy kandidatura, ju thatë se ajo është e vlefshme për t’u votuar, pasi e larguat. Nuk ka akt më të shëmtuar dhe më qesharak”, – theksoi Berisha.
Në replikë me deputetët e opozitës, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, tha se kandidaturën e Xhukës nuk e kishte votuar kur ishte në koalicion me të djathtën, ndërsa shtoi se në një institucion të pavarur siç duhet të jetë Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe i Deklarimit të Pasurive ndaj zyrtarëve të lartë, ILDKP, nuk duhen të emërohen figura që vijnë nga radhët e politikës. Në argumentin e tij Meta iu referua detyrës së zëvendësministres së Mbrojtjes që ka mbajtur Zana Xhuka para 2013-ës.
Por përtej këtyre deklaratave, deputetët e opozitës u dukën të vendosur për t’i kërkuar mazhorancës që të tërhiqet nga vendi i saj për shkarkimin e nga detyra të kryeinspektores. Në tërësi fjalimet e deputetëve të opozitës u përqendruan në këtë çështje, por edhe për mënyrën që si mazhoranca e sotme po qeveris vendin.
Ish-kryeministri Berisha pasi bëri një përmbledhje të situatës ekonomike, rendit, integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe vendimeve të fundit të qeverisë, duke bërë përgjegjës Kryeministrin Edi Rama dhe koalicionin e tij qeverisë. Në fund të fjalës, Berisha u kërkoi krerëve të shumicës që të tërhiqen nga vendimi për shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP-së, duke theksuar se më këto vendime po destabilizohet situata në vend.
“Kërkoj të hiqni dorë nga marrja e pushteteve, kërcënimet e drejtuesve të institucioneve në mënyrat më mafioze, kërkoj të zbatohen ligjet, të ndryshohen, të reformohen sipas interesave të vendit dhe jo sipas interesave të pushtetit personal tuaj dhe të mazhorancës suaj. Në rast të kundërt ju pastaj do të na detyroni të shkojmë atje ku nuk kemi dashur. Absolutisht nuk kemi dashur. E merrni thjesht, por e keni gabim. Keni përgatitur kushtet për një destabilizim të atillë që mendja juaj nuk e merr dhe ne nuk dëshirojmë”, – deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha.
Zbardhje debatesh dhe akuzash mes pozitës e opozitës në Kuvend
Eduard Halimi: Vetëm nëse vendosim kushtetuetshmërinë në Parlament, atëherë ata që janë jashtë do të kenë një fije shprese se në këtë vend do të kthehet ligji. Pa kthimin e Kushtetuetshmërisë në këtë vend Parlament nuk mund të ketë.
(Duartrokitje nga deputetët e PD-së)
Ilir Meta: Unë e kam të qartë që ju keni ardhur për antimiting këtu dhe këtë e kam të qartë që nuk e keni me ne, antimitingun e keni me kryetarin e ri të partisë tuaj që nuk ua dha fjalën në mitingun para një jave tek sheshi. Më keni gjetur mua këtu tolerant dhe shkelni rregulloren.
Edi Paloka: Ktheni në këtë Parlament kushtetuetshëmërinë, ktheni mbrapsht atë procedurë të turpshme që keni ndjekur. Na thoni që edhe ne kemi ndjekur një procedurë të tillë. Na thoni zoti kryetar i Parlamentit se keni qenë më ne në mandatin e kaluar, kë institucion kemi shkarkuar ne pa mbaruar mandati i tij? As edhe një. I vetmi që është shkarkuar është bërë nga ish-kryeministri Fatos Nano, edhe ai me komision hetimor dhe procedurë tjetër.
Edi Paloka: Tërhiquni, Tërhiquni. Është një paralajmërim sepse kur të jetë vonë nuk do të ketë më kohë. Edhe ky kryeministri që ka qejf të përmendi ato 1 milion shuplakat. Duhet ti mbajë mend këto qëndrime sot sepse të jetë i bindur që nesër kur të jetë duke iku ne nuk do t’i kemi harruar. Edhe njehërë z. Kryetar, riktheni atë procedurë, ligjin sepse jemi përballë një situatë të rëndë. I kërkoni opozitës dhe Evropës që të na pranojë në gjirin e saj, ndërkohë që këtu po kthehemi në kohën e Sulltan Hamitit, por që në kohën e sotme quhet Edvin Rama.
Ilir Meta: Përsëri nuk patëm asnjë propozim për të korrigjuar procesverbalin. Zonja Topalli duhet të ketë ndonjë propozim konkret.
Jozefina Topalli: Zoti Kryeministër mos fol pas shpinës sime! Bëhu njëherë burrë dhe kur të flasësh dil e fol përballë. Nuk të shkon, është e padinjitet, e turpshme. Nuk kam dëgjuar ndonjëherë në historinë e Parlamentit që Kryeministri gjithë kohën zgërdhihet, o flet, o shanë, pasi shanë me radhë të gjithë ministrat e tij, i turret opozitës. një minimum edukate për karrigen e jo emrin që mban do të duhet ta tregosh.
Edi Rama ndërhyn nga vendi jashtë mikrofonit.
Jozefina Topalli: Ti je Kryeministri më i pafytyrë që mund të ekzistojë! (Reagojnë deputetët e pozitës dhe të opozitës – pa mikrofon). Bëhu trim dhe dil përballë dhe mos fol aty duke kërcenu…
Ndërhyrje jashtë mikrofonit nga kabineti i Këshillit të Ministrave.
Jozefina Topalli: Mos fol pa leje! (duartrokitje dhe fishkëllima nga deputetët e opozitës në sallë). Je Kryeministri më qesharak që ky Parlament ka parë ndonjëherë. Ti mor zoti Kryeministër mund t’i falës me gjuhën që ti njeh secilit nga ministrat tuaj, ti vazhdo ta përdorësh atë fjalor me grupin tënd dhe me ato që t’i pranojnë. Harroje ti se mund të kërcenosh opozitës dhe duhet të flasësh pas shpine.
Deputet: Kape për zhelesh, kape për zhelesh…
Jozefina Topalli: Ai që sulmon pas shpine është jo vetëm i paburrë, i padinjitet, jo përfaqësues se shqiptarët nuk flasin dhe nuk vrasin pas shpine. Ata janë burra, inteligjet dhe dalin përballë, thonë atë që mendojnë. Ti vazhdo të flasësh pas shpine, mua nuk më shqetëson fare.
Ilir Meta: Lidhur me çështejn e ligjshmërisë, unë nuk e kam votuar zonjën në fjalë (ikryeinspektoren Zana Xhuka), edhe para një viti e kam thënë qartë që një zëvendësministër nuk mund të caktohet në kundërshtim me ligjin në krye të një institucioni të depolitizuar siç është ILDKP-ja.
Sali Berisha kërkon fjalën.
Ilir Meta: Ai mitingu i javës së kaluar ishte vërtetë unik sepse për herë të parë nuk foli asnjë deputet në mitingun e partisë më të madhe opozitare.
Jozefina Topalli: Ore budalla!
Ilir Meta: Jojo, nëse ju duhet normale që atje të mos flasi asnjë deputet, darkod.
Sali Berisha: Kërkoj të hiqni dorë nga marrja e pushteteve, kërcënimet e drejtuesve të institucioneve në mënyrat më mafioze, kërkoj të zbatohen ligjet, të ndryshohen, të reformohen sipas interesave te vendit dhe jo sipas interesave të pushtetit personal tuaj dhe te mazhorancës tuaj. Në rast të kundërt ju pastaj do të na detyroni të shkojmë atje ku nuk kemi dashur. Absolutisht nuk kemi dashur. E merrni thjeshtë, por e keni gabim. Keni përgatitur kushtet për një destabilizim të atillë që mendja juaj nuk e merr dhe ne nuk dëshirojmë”.
Ilir Meta: Zonja Topalli nuk po çohen të gjithë në këmbë për të duartrokitur, kjo tregon që uniteti ka probleme. Për procesverbalin nuk patët kundërshtime, atëhere 10 minuta pushim.
Topalli: Rama, i pafytyrë!
Debatet e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë shkuan deri në akuza personale dhe fyerje mes deputetëve të opozitës dhe përfaqësuesve të qeverisë. Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli gjatë qëndrimit që mbajti dje në Kuvend, replikoi edhe me Kryeministrin Edi Rama, duke e quajtir atë “kryeministër qesharak dhe të pafytyrë”. Edhe pse Kryeministri Rama nuk reagoi duke marrë fjalën para mikrofonit për deklaratën e Topallit, mes tij dhe ish-kryeparlamentares u duk se pati disa shkëmbime replikash nën zë.
“Zoti Kryeministër mos fol pas shpinës sime! Bëhu njëherë burrë dhe kur të flasësh dil e fol përballë. Nuk të shkon, është e padinjitet, e turpshme. Nuk kam dëgjuar ndonjëherë në historinë e Parlamentit që Kryeministri gjithë kohën zgërdhihet, o flet, o shanë, pasi shanë me radhë të gjithë ministrat e tij, i turret opozitës. një minimum edukate për karrigen e jo emrin që mban do të duhet ta tregosh”,-deklaroi Topalli.
Ndërrimi i mandateve, Derveni zë vendin e Panaritit
Bujar Derveni bëhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Pas dorëheqjes që bëri nga mandati i deputetit, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, sipas listësh shumëemërore, Derveri fiton mandatin e deputetit. Në seancën e djeshme të Kuvendit të Shqipërisë, kryeparlamentare Ilir Meta njohu deputetët me raportin e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. “Këshilli u njoh dhe diskutoi rreth vendimit nr. 12, dt 24.2.2014 të KQZ “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit, kandidatit të listës shumëemërore të Partisë LSI, në Qarkun e Durrësit, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë pas heqjes dorë nga mandate i deputetit të z. Edmond Panariti”, tha Kryetari i Kuvendit. “KQZ, në mbështetje të nenit 164, pika 2 të ligjit nr. 10.019, dt. 29.12.2008 ‘Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë ‘të ndryshuar’’ i ka dhënë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Bujar Derveni. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në mbledhjen e tij administroi dorëheqjen e deputetit të Edmond Panariti dhe vendimin e KQZ dhe në përfundim bëri verifikimin e vlefshmërisë së mandatit të fituar”, theksoi Meta. Bujar Derveni firmosi mandatin, duke bërë edhe betimin në seancë plenare.




