Kushtetuesja pezulloi Ballukun/ PD: Koha e manovrave mbaroi! Të mblidhet menjëherë Këshilli i Mandateve
Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetues, e cila la në fuqi masën e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Gazmend Bardhi shkruan se vendimi i Gjykatës Kushtetuese rrëzoi përpjekjet e Ramës për të penguar drejtësinë, ndërsa ka bërë thirrje Kuvendit të njoftojë mbledhje urgjente të hënën, të Këshillit të Mandateve dhe të përfshijë të enjten në seancën plenare kërkesën për dhënien e autorizimit për heqjen e imunitetit të Ballukut.
“Alibitë tashmë kanë rënë! Edi Rama ushtroi presion të paprecedentë mbi Gjykatën Kushtetuese dhe ngriti alibi absurde për të mbrojtur veten dhe Belinda Ballukun. Të dyja dështuan! Edi Rama u rrëzua në pretendimin e tij për të bllokuar drejtësinë. Njëlloj do të rrëzohet kushdo që pengon drejtësinë. I bëj thirrje Kryetarit të Kuvendit të njoftojë menjëherë mbledhje urgjente të hënën të Këshillit të Mandateve dhe përfshirjen të enjten në seancë plenare të kërkesës për dhënien e autorizimit për heqjen e imunitetit për ish-Zëvendëskryeministren dhe ish-ministren Belinda Balluku. Kuvendi nuk mund të mbajë peshën e përgjegjësisë për vonesën e paprecedent të shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë dhe për pengimin e drejtësisë. Koha e manovrave ka mbaruar!”,- shprehet Bardhi.
Kujtojmë se mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e Imunitetit të Ballukut dhe dhënien e autorizimit për arrestimin e saj është zvarritur prej vitit të kaluar.
Anëtarët socialistë të këtij Këshilli argumentuan se duhej pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin e Ballukut para se të merret vendimi te Mandatet, duke u munduar ti japin kohë Ballukut. Megjithatë tani që Kushtetuesja nuk vendosi në favor të Ramës, mbetet për tu parë se çfarë vendimi do të marrin Mandatet, nëse do ti hapin rrugës ose jo arrestimit të Ballukut, e cila tashmë gëzon vetëm postin e deputetes.




