Kush janë gjyqtarët që votuan pro dhe kundër Ramës dhe Ballukut në Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e kryeministrit Edi Rama për heqjen e masës së pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas një mbledhjeje maratonë që zgjati mbi 10 orë.
Vendimmarrja u mbyll me votim 4 me 4, çka sipas Kushtetutës do të thotë mungesë e shumicës së nevojshme dhe rrjedhimisht rrëzim automatik i ankimit të kryeministrit, duke lënë në fuqi masën e vendosur nga GJKKO.
Katër gjyqtarët e Kushtetueses që votuan pro kërkesës së qeverisë, Marjana Semini, Gent Ibrahimi, Sonila Bejtja dhe Fjona Papajorgji.
Ndërsa ata që votuan kundër kërkesës së kryeministrit janë: Marsida Xhaferllari, Ilir Toska, Sandër Beci, Asim Vokshi.
Këta gjyqtarë mbështetën argumentin se masa e pezullimit të një anëtari të Këshillit të Ministrave kërkon autorizim paraprak nga Kuvendi, pasi prek drejtpërdrejt funksionimin e pushtetit ekzekutiv dhe balancën e pushteteve.
Belinda Balluku ishte pezulluar nga detyra më 20 nëntor 2025 me kërkesë të SPAK, nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera në vlerë mbi 200 milionë euro, përfshirë tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe procedura të tjera të lidhura me Unazën e Madhe.
Pas këtij vendimi, kryeministri Rama e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se GJKKO kishte cenuar kompetencat e tij si kryeministër. Ky pretendim nuk mori mbështetjen e nevojshme në Kushtetuese.
Tashmë, pas këtij vendimi, pritet zhvillimi i procedurave të mëtejshme në Kuvend, lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e Balluku.




