Skuadrat e Superiores nuk kanë zhgënjyer dhe kanë arritur të marrin triumfin, e vetmja që ka zhgënjyer ka qenë Elbasani që është ndalur vetëm me një barazim
Ka nisur rrugëtimin e saj edhe Kupa e Shqipërisë. Një eveniment ku luftohet mjaft shumë dhe që ndryshe nga kampionati, favoriti nuk dihet deri në fund. Janë luajtur dje ndeshjet e para midis skuadrave. Skuadrat pretendente nuk kanë lënë vend për gabime dhe kanë marrë rezultate të pastra që i shtyjnë në fazën tjetër, mjafton këtu të përmendim fitoren 1-10 të Skënderbeu ndaj Himarës. Apolonia ndryshe nga historia e disa sezoneve më parë, e ka mposhtur lehtësisht Dinamon në shifrat 0-4. Një fitore e skuadrës fierake ishte rezultati përfundimtar i kësaj sfide me formacionin e trajnerit Elidon Demiraj që tashmë e sheh veten me një këmbë në raundin tjetër. Mitraj, Erkocevic dhe Rajkovic shënuan tri herë në pjesën e parë për Apoloninë, ndërsa 5 minuta nga fillimi i fraksionit të dytë të lojës ishte përsëri sulmuesi serb Rajkovic ai që sigloi dygolëshin personal në këtë sfidë por njëkohësisht fiksoi edhe shifrat përfundimtare në 0-4. Gjithsesi, duhet përmendur fakti që trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti në këtë sfidë aktivizoi shumë lojtarë të rinj duke qenë se Kupa nuk është prioriteti kryesor i bluve kryeqytetas në këtë sezon pasi objektivi real i Dinamos është të ngjitet në Kategorinë Superiore. Surprizën në sfidat e para të raundit të parë e bëri kampionia në fuqi e kompeticionit, Flamurtari. Vlonjatët nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola përballë Kamzës me trajnerin e kuqezinjve Ernest Gjoka që u ndal kështu nga ish-skuadra e tij. Gjithsesi, çështja e kualifikimit pritet të jetë vetëm një formalitet për Flamurtarin që do ta presë Kamzën në Vlorë për të zhvilluar ndeshjen e kthimit të kësaj përballjeje. Fitoren më të thellë në këtë raund të parë e arriti Skënderbeu që në stadiumin Besa të Kavajës shpartalloi me rezultatin 10-1 Himarën e Kategorisë së Dytë. Ribaj dhe nigeriani Piter Olyanika me nga një dygolësh ishin përcaktues në këtë sfidë. Për formacionin e Mirel Josës gjeti rrugën e rrjetës edhe sulmuesi brazilian Diego Martins. Edhe Partizani ja doli të hidhte një hap të sigurt drejt kualifikimit pasi mposhti në Fushë Krujë 3-0 Ilirinë me golat e Muskës, Mustafës dhe Osmanaj. Me të njëjtat shifrat si të kuqtë fituan edhe kushërinjtë e tyre kryeqytetas. Tirana iu imponua me shifrat 3-0 Sopotit vendas falë dy golave të kroatit Busic dhe rrjetës së të riut Halili. Të lehtë e pati edhe Kukësi që mposhti në transfertë 1-4 Vorën. Për nënkampionët golat u shënuan nga Allmuça, Pejic 2 herë dhe Lushtaku. Një fitore me peshë arriti edhe Vllaznia që mposhti 0-2 Mamurrasin falë finalizimeve të sulmuesit italian Cioffi dhe autogolit të Tushes. Laçi fitues i Kupës së Shqipërisë në 2013 fitoi 2-0 në transfertë përballë Naftëtarit ndërsa me të njëjtin rezultat kaloi edhe Teuta, Besëlidhjen në Lezhë. Skuadra që mban vendin e fundit në këtë edicion të Kategorisë Superiore Elbasani barazoi në derbi me Shkumbinin 2-2.
Formula e Kupës
Kupa e Shqipërisë do të zhvillohet me të njëjtin format si një vit më parë. Ky kompeticion nisi më 29 gusht me turin paraeliminator, në të cilin morën pjesë katër skuadra të Kategorisë së Dytë. Në këtë tur luhej vetëm një takim dhe dy ekipet që u kualifikuan (Himara dhe Vora) vazhdojnë më tej rrugën në turin e parë të kupës. Më tej vijon faza e ndeshjeve eliminatore, e cila do të zhvillohet me katër ture. Fillimisht, në turin e parë marrin pjesë të gjitha ekipet e Kategorisë Superiore, të së Parës dhe dy ekipet e kualifikuara nga turi paraeliminator. Ndeshjet e para luhen në fushën e skuadrave me klasifikimin më të dobët gjatë kampionatit të kaluar. Më pas vazhdojnë me radhë turi i 2-të, i 3- të, që përkon me çerekfinalet dhe turi i 4-t që përkon me gjysmëfinalet. Në turin gjysmëfinal hidhet short i lirë, që përcakton çiftet që do të përballen. Në të gjitha turet, takimet zhvillohen me sistem vajtje-ardhje. Finalja e Kupës së Shqipërisë është përcaktuar të luhet më 23 maj 2015. Sezonin e kaluar, kupën e fitoi skuadra e Flamurtarit. Ky kompeticion është një mundësi shumë e mirë për ekipet që të marrin pjesë në Kupat e Evropës.
Turi i parë
Ndeshjet e para
Grupi A
HIMARA – SKËNDERBEU 1-10
Golat: Kacanaj 85′ (pen) / Abazi 2′, 47′, Lulaj 9′, Berisha 22′, Kame 32′, Martins 51′, Olaynka 54′, 60′, Ribaj 73′, 88′
Gjyqtarë: E.Halo, P.Puto, G.Bimi
NAFTËTARI – LAÇI 0-2
Golat: James 23′, Veliaj 70′
Gjyqtarë: A.Kamberaj, E.Pashaj, N.Rrapaj
ILIRIA – PARTIZANI 0-3
Golat: Muskaj 58′, Mustafa 60′, Osmanaj 87′
Gjyqtarë: H.Llapra, R.Malaj, E.Pulaj
KAMZA – FLAMURTARI 0-0
Gjyqtarë: K.Shahini, H.Lisaku, A.Demiraku
VELEÇIKU – BESA 0-0
Gjyqtarë: B.Kaimi, E.Shehu, E.Morina
BURRELI – LUSHNJA 0-1
Golat: Allkanjari 58′
Gjyqtarë: I.Myrtja, M.Dervishi, Gj.Bori
SHKUMBINI – ELBASANI 2-2
Golat: Kuqi 33′, 40′ / Dalipi 29′, Martins 43′
Gjyqtarë: M.Dyrmishi, M.Qose, A.Konomi
TOMORI – TËRBUNI 1-2
Golat: G.Arbri 7′ / Agastra 66′ (pen), Greca 90+3′
Gjyqtarë: K.Cjapi, O.Grabova, E.Begaj
Grupi B
VORA – KUKËSI 1-4
Golat: Bleta 30′ / Allmuca 45′, Pejic 64′, 80′, Lushtaku 75′
Gjyqtarë: A.Stolaj, B.Mesi, R.Zaimi
BESËLIDHJA – TEUTA 0-2
Golat: Ulluri 27′, Baci 29′ (aut)
Gjyqtarë: B.Ziri, E.Veseli, Sh.Ziri
SOPOTI – TIRANA 0-3
Golat: Bushic 31′, 83′, Halili 90+2′
Gjyqtarë: O.Sokoli, F.Mata, E.Potomi
MAMURRASI – VLLAZNIA 0-2
Golat: Cioffi 1′, Tushe 90′ (aut)
Gjyqtarë: A.Beqiri, A.Shkreta, D.Tomorri
ADA – KASTRIOTI 1-1
Golat: Hoxha 37′ / Caca 74′ (pen)
Gjyqtarë: K.Prenga, E.Cuni, E.Burgu
LUFTËTARI – BYLISI 2-1
Golat: Qejvani 60′, Nelaj 84′ (pen) / Dervishi 50′
Gjyqtarë: S.Greca, E.Malo, E.Prifti
DINAMO – APOLONIA 0-4
Golat: Mitraj 22′, Erkocevic 37′, Rajkovic 38′, 50′
Gjyqtarë: E.Hamiti, P.Simoni, R.Mersini
POGRADECI – BUTRINTI 2-0
Golat: Lacka 23′ (pen), 69′
Gjyqtarë: F.Xhemalaj, E.Sinanaj, E.Gjoni




