Tekniku më i ri i Kukësit është shprehur se ndihet mjaft pozitiv pranë skuadrës verilindore dhe se sezonin tjetër do të synojnë edhe Kupën, edhe titullin kampion
Periudhë ndryshimesh në Superiore. Kampionati Shqiptar duket se ka ndryshuar rrugë pas publikimit të formulës së re. Sezoni i ri do të ketë 10 skuadra në përbërje, të cilat do të dyluftojnë me njëra-tjetrën. Një formulë e cila duket se do të sjellë më shumë rivalitet midis klubeve, duke pasur parasysh se lufta për të rënë dhe për të qëndruar në krye do të jetë e vështirë. Përballja mes 10 më të mirave duket se ka ndërgjegjësuar disa prej ekipeve që duan të synojnë sezonin tjetër. Pas lëvizjeve të Partizanit, Skënderbeut, vjen edhe Kukësi. Verilindorët kanë dy vite që janë risi në kampionat, ndërsa të tretin duan ta bëjnë të vërtetin. Skuadra po mundohet që të bëjë disa rregullime dhe ndryshime brenda ekipit. Pavarësisht se Starova bëri një punë shumë të mirë, ekipi ka gjetur një trajner tjetër për blutë. Bëhet fjalë Agim Canajn. Dje pas pak kohe nga zyrtarizmi, tekniku Canaj nisi punën në kuadër të përgatitjeve për Europa League. 51-vjeçari u takua fillimisht me futbollistit në mjediset e shoqërisë, për të vijuar në orët e pasdites seancën e parë stërvitore nga Liqeni Artificial. Në prononcimin e parë si trajner i verilindorëve, Canaj konfirmoi se objektivi i tij dhe i klubit është të shpallet kampion si dhe të fitojë Kupën e Shqipërisë. “Projekti i presidentit Safet Gjici është mjaft serioz. Pas dy sezoneve si nënkampionë të Shqipërisë, Kukësi tashmë synon vetëm për trofe madhorë, titullin dhe Kupën e Shqipërisë”. Për sa i përket merkatos, ish-trajneri i Vllaznisë u shfaq disi i rezervuar, pasi më parë kërkon të njihet nga afër me të gjithë futbollistët. “Skuadra ka nevojë për përforcime, por unë s’mund të flas tani për emra konkretë. Si fillim do të njihem me grupin dhe do të nisim përgatitjet për Europa League, ky është objektivi i parë”. I pyetur për objektivin e parë, që është kalimi i disa tureve në Europa League, Canaj u shpreh. “Është shumë e vështirë të përsëritet ecuria e sezonit të kaluar, por ne do të bëjmë më të mirën në këtë kompeticion”. Presidenca e Kukësit është treguar mjaft aktive në merkato me afrimin e tre mbrojtësve, Ditmar Bicaj, Erjon Dushku dhe Elton Doku, ndërsa në ditët në vijim mund të ketë të tjera prezantime. Lëvizje këto që do t’i sjellin ekipit më shumë freski dhe do ta bëjnë më të fortë për sezonin tjetër. Kuksianët arritën deri në finalen e Kupës, por nuk arritën që ta fitonin, pasi u mundën nga Flamurtari. Mirëpo pavarësisht nga kjo, blutë do të jenë pjesë e Europa League, pasi e mbyllën sezonin në vendin e dytë. Skuadra arriti që të bënte një rrugë surprizuese, duke mbetur vetëm një ndeshje larg kompeticionit evropian. Ndërsa ky sezon i ri pritet të sjellë edhe më shumë surpriza. Problemi i vetëm i ekipit është se nuk mund të zhvillojë ndeshjet në stadiumin e saj, aty ku dhe tifozeria është më e flaktë dhe më mbështetëse. Mirëpo problemet me infrastrukturën duket se nuk janë të mjaftueshme për të luajtur sfidën në qytetin verilindor. Kështu, duke parë kushtet e UEFA-s pritet që ndeshjet të zhvillohen në “Qemal Stafa”.
Partizani firmos me Zhdrellën
Partizani bën një goditje të madhe në merkato, duke firmosur me Mentor Zhdrellën. Javët e fundit është folur gjatë për transferimin e mundshëm të 25-vjeçarit në radhët e kampionëve të Shqipërisë. Pas një takimi mes presidentin e të kuqve, Gazmend Demi, Zhdrella vendosi t’i bashkohej formacionit të Shpëtim Duros, që me sa duket do të pësojë ndryshime të mëdha. Sezonin e fundit katër herë fituesi i çmimit “Lojtari më i mirë i kampionatit kosovar” është aktivizuar me Dritën e Gjilanit, por pa mundur të fitojë trofe. Blerje më e re e Partizanit është grumbulluar dhe aktivizuar nga trajneri i Kosovës Albert Bunjaki në dy miqësoret e fundit me Turqinë dhe Senegalin. Sipas zyrës së shtypit, prezantimi i Zhdrellës do të bëhet ditët në vazhdim. Mentor Zhdrella konsiderohet një nga futbollistët më cilësorë që pa nxjerrë futbolli kosovar.
Obama takon kombëtaren spanjolle
Gjithçka duket se shkon mirë për Spanjën. Diego Kosta është optimist për rikuperimin e plotë të tij dhe aktivizimin në ndeshjen e parë të 13 qershorit, në debutimin e Spanjës kundër Holandës, duke siguruar se problemet muskulore i ka kaluar tashmë. “Ndihem mirë, kam pushuar mjaftueshëm këtë javë pas Ligës së Kampioneve, kisha kohë që nuk pushoja kaq shumë”, – është shprehur ai nga grumbullimi i kombëtares spanjolle në Ciudad de Futbol di Las Rozas, në Madrid. Ai shprehet se do të japë maksimumin nëse trajneri do ta aktivizojë në ndeshjen e parë. Ndërkohë, Federata Spanjolle e Futbollit ka bërë të ditur se kampionët e botës në fuqi do të priten nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, në Shtëpinë e Bardhë gjatë kësaj jave.
Çelsi dhe Junajtid, në luftë për Fabregasin
Mançester Siti ka hequr dorë, duke thënë se nuk është i interesuar për transferimin e Çesk Fabregasit nga Barcelona. Kështu, blutë i bashkohen Arsenalit që është tërhequr më herët nga gara për mesfushorin spanjoll. Mançester Junajtid dhe Çelsi janë dy klubet që tani po konkurrojnë për nënshkrimin e ish-kapitenit të topçinjve. Barcelona dëshiron ta shesë 27-vjeçarin për 35 milionë euro, pasi Luis Enrike mendon se ai nuk mund të luajë te katalanasit me stilin e lojës që ka bërë te Arsenali. Gjatë ditës së djeshme gazetat kanë shkruar se Fabregasi ka arritur marrëveshje me Çelsin, mirëpo kjo nuk është e vërtetë, së paku deri më tani. Megjithatë, për momentin, blutë dhe djajtë e kuq janë opsioni i vetëm i Çeskut në Premier Ligë.
Hënes fillon burgun
Uli Hënes ka filluar ta vuajë dënimin për evazion fiskal. Avokatët e tij kanë konfirmuar ditën e hënë se 62-vjeçari ka filluar ta vuajë dënimin prej tre vjet e gjysmë burg, pasi shmangu tatimet prej 28.5 milionë eurosh. Hënes u shpall fajtor më 13 mars dhe tani është vendosur në burgun Landsberg, 70 kilometra në perëndim të Munihut. Ai kishte shpresuar se lajmërimi vullnetar i mospagimit të tatimeve do t’i ndihmonte për të suspenduar ndëshkimin, megjithatë kjo nuk ndodhi. Paraqitja e fundit publike e Hënesit ishte në ndeshjen e fundit të Bajernit në Bundesligë kundër Shtutgartit më 10 maj.




