Florenc Drizari
“ Mirëpres faktin që rezultati u njoh nga të dyja palët dhe liderët politikë komunikuan me mirësjellje me njëri-tjetrin “
Një javë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian vazhdojnë të vlerësojnë zhvillimin e procesit elektoral në Shqipëri dhe njohjen e rezultatit nga liderët kryesor të Partive politike.
Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Evropën Juglindore, Eduard Kukan ka thënë se situata paszgjedhore në Shqipëri rezulton më e mirë se në të kaluarën. Sipas tij, zhvillimet pozitive të ditëve të fundit në vendin tonë rrisin mundësitë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Me anë të një deklarate për shtyp ai theksoi se: “do të doja të përgëzoja qytetarët e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare të së dielës. E vizitova Shqipërinë sëbashku me deputetët e tjerë për të vlerësuar situatën politike gjatë procesit zgjedhor. Ne u takuam me liderët e partive kryesore politike dhe patëm diskutime pozitive mbi rëndësinë që kanë zgjedhjet për demokratizimin dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë. Mirëpres faktin që rezultati u njoh nga të dyja palët dhe liderët politikë komunikuan me mirësjellje me njëri-tjetrin”, – shprehet Kukan në deklaratën e tij.
Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Evropën Juglindore deklaroi se vlerësoi arritjet e qeverisë Berisha në zhvillimin e vendit dhe mbështeti qeverisjen e re që pritet të drejtohet nga Edi Rama. “Besoj fuqimisht që tranzicioni i qetë i pushtetit politik do të forcojë proceset demokratike në vend, diçka thelbësore për procesin e integrimit të vendit. Do të doja të shfrytëzoja këtë mundësi për të përgëzuar zotin Edi Rama për fitoren e tij. Do të doja të falënderoja kryeministrin, Sali Berisha për përpjekjet dhe sukseset e tij në zhvillimin e Shqipërisë dhe për mënyrën demokratike dhe evropiane me të cilën njohu rezultatin e zgjedhjeve”, – ka përfunduar Kukan, deklaratën e tij.
Ndërkaq, qëndrimet e ditëve të fundit nga përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë pozitive për zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Përveç vlerësimeve për procesin zgjedhor, përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë mbështetur edhe njohjen e rezultatit nga liderët kryesor të partive politike në vend, pak ditë pas mbylljes së votimeve më 23 qershor. Fillimisht ishte trojka e ambasadorëve të akredituar në Tiranë, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, kreu i prezencës së OSBE-së, Eugen Wolfarth dhe ambasadori i ShBA-së Aleksandër Arvizu, të cilët e quajtën një arritje të demokracisë shqiptare zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme një javë më parë, duke vënë theksin tek arritja e standardeve të kërkuara. Gjithashtu vlerësimi i procesit zgjedhor në Shqipëri u pasua me nota pozitive edhe nga Departamenti Amerikan e Shtetit si dhe përfaqësi të huaja të akredituara në vendin tonë. Lidhur me monitorimin e procesit elektoral në Shqipëri u akredituan rreth 9 mijë vëzhgues, ku një numër i konsiderueshëm ishin edhe nga vendet e huaja, ambasada dhe përfaqësi nga misioni i OSBE-ODIHR-it. Përsa i përket këtij të fundit, në raportin e ndërmjetëm që doli para ditës së zgjedhjeve u arrit një progres i lehtë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2009, por që qëndrimet përfundimtare për ecurinë e procesit si para dhe paszgjedhor, sëbashku me rekomandimet përkatëse do të bëhen dy muaj pas 23 qershorit në raportin final. Ky raport pritet të ketë një ndikim të konsiderueshëm nga krerët e Bashkimit Evropian për të përcaktuar edhe hapat që do të ndjekë Shqipëria në rrugën e anëtarësimit në BE.
Kroacia zyrtarizon sot anëtarësimin në BE, Nishani e Rama në ceremoni
Kroacia pritet të zyrtarizojë sot anëtarësimin me te drejta te plota ne Bashkimin Europian.
Në ceremoninë festive te organizuar me këtë rast, marrin pjesë Presidenti i Republikës Bujar Nishani dhe kreu i socialistëve Edi Rama, i ftuar ne cilësinë e kryeministrit të ardhshëm të vendit.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka udhëtuar drejt kryeqytetit kroat, Zagreb, me ftesë të homologut të tij Ivo Josipoviç, për të marrë pjese në festimet e organizuara, ndërsa Rama dy ditë më parë ishte përkrah kryeministrave dhe krerëve të shtetit të vendeve të ndryshme Evropiane.
Behet e ditur se gjatë vizitës së tij, presidenti Nishani do të takohet edhe me zv/ndihmës sekretarin amerikan te shtetit Filip Reeker. Kroacia behet të hënën vendi i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian. Në Zagreb do të zhvillohet një ceremoni festive, e cila do të nise sapo ora të kaloje mesnatën e datës 30 qershor.
Më herët Kroacia dhe Shqipëria janë anëtarësuar sëbashku në NATO. Gjithashtu proceset integruese për këto dy vende kanë qenë të përbashkëta edhe në periudha kohore, por ngërçet politike që ka ndeshur Shqipëria gjatë viteve të fundit, duket se kanë bërë që vendi ynë të humbasë disa vite kohë për t’u bërë pjesë e unionit evropian. aktualisht Shqipërisë iu refuzua statusi i vendit kandidat nga Këshilli i Evropës në dhjetor të 2012-ës, edhe pse Komisioni Evropian kishte rekomanduar marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE me kusht që vendi të miratonte tri ligjet e integrimi. Tri ligjet nuk u miratuan në afatin e përcaktuar nga ndërkombëtarët duke sjellë një pengesë në proceset integruese të vendit. Tri ligjet e quajtura të integrimit, projektligji për Gjykatën e Lartë, ai për nëpunësin civil dhe rregullorja e parlamentit, u miratuan me shumicë votash pak javë para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit, në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga qeverisja e djathtë.
Peticion Ramës: Mbaj premtimet për Rrugën e Arbrit
Një javë pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dhe ende pa marrë detyrën e kryeministrit të ri të vendit, Edi Rama përballet me kërkesa për të mbajtur premtimet e dhëna në fushatë. Janë shqiptarët e Maqedonisë që i drejtohen me një peticion përmes të cilit i kërkojnë të mbajë premtimin për realizimin e premtimit të dhënë gjatë fushatës për përfundimin e rrugës së Arbrit. Nisma është ndërmarrë nga një intelektual dibran që jeton në Britaninë e Madhe.
“Ju premtojmë se ne nuk do të rreshtim së lobuari për Rrugën e Arbrit deri në përfundimin e metrit të fundit. Edi Rama u premtoi dibranëve gjatë fushatës se do ta përfundojë Rrugën e Arbrit po qe se e majta do të fitonte. Intelektualët dibranë do t’ia freskojnë kujtesën Kryeministrit Rama dhe Kabinetit të tij çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj që ata të dëshmojnë me fakte se e kuptojnë se sa e rëndësishme është që në truallin shqiptar të gjitha rrugët të kalojnë në Dibër”, thekson Alpion në peticionin e tij.
Rruga e Arbrit është rrugë në ndërtim e sipër e cila do të lidhë Tiranën me Dibrën në Maqedoni me një gjatësi prej rreth 75 kilometra. Ky aks rrugor që shkurton distancën mes Tiranës dhe Dibrës akoma nuk ka përfunduar.




