Krimi në fshatin Ashtë të Shkodrës/ Refuzoi heqjen e mbeturinave nga toka e fqinjit, vritet 48-vjeçari

Sonja Caka

 

Policia arreston autorin e dyshuar, Mark Jaku. Debati me Çesk Pjetrin, për heqjen e disa mbetjeve të rëna gjatë krasitjes së pemëve në tokën e autorit

 

vrasja ne ashte te shkodresMbetjet e pemëve të hedhura në tokën e fqinjit dhe refuzimi deri në këmbëngulësi për të mos i pastruar i kanë kushtuar jetën një 48-vjeçari nga fshati Ashtë i Shkodrës. Viktimë ka mbetur Çesk Pjetri, ndërsa autor i dyshuar mësohet të jetë fqinji i tij, 69-vjeçari Mark Jaku. Policia, e njoftuar për ngjarjen ka mbërritur menjëherë në fshatin Ashtë dhe ka bërë ndalimin e autorit, ndërsa pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve, ka hedhur dritë edhe mbi debatin që çoi në një viktimë. Policia e Shkodrës ka shoqëruar për në komisariat 69-vjeçarin Jaku, ndërsa ka shoqëruar edhe familjarë të tij dhe të viktimës për të zbardhur shkaqet e këtij krimi të rëndë, edhe pse paraprakisht flitet për një debat, për shkak të disa mbeturinave të hedhura në tokën pranë banesës së autorit. Mësohet se fillimisht Jaku ka mohuar autorësinë, por më pas ka pranuar krimin dhe ka shpjeguar shkaqet që e çuan në vrasjen e 48-vjeçarit.

 

Ngjarja

Krimi në fshatin Ashtë të Komunës Bushat në Shkodër ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, pas një debati mes dy fqinjëve. Përmes një telefonate në sallën operative, policia e Shkodrës u njoftua se në këtë fshat kishte ndodhur një vrasje. Pas mbërritjes në vendngjarje, policia ka gjetur trupin e pajetë të viktimës Çesk Pjetri, 48 vjeç, ndërsa mësoi se krimi ishte kryer nga fqinji i tij, Mark Jaku, 69 vjeç. Lidhur me ngjarjen, banorë të fshatit kanë treguar se dëgjuan të shtënat e çiftes dhe më pas gjetën viktimën të mbuluar me gjak. Policia bën me dije se autori nuk ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por ka pritur aty derisa mbërriti policia. Nga hetimet e para mësohet se 48-vjeçari Pjetri ka gjetur vdekjen e menjëhershme pasi është qëlluar nga bashkëfshatari dhe njëkohësisht edhe fqinji i tij, Jaku. Policia ka marrë dëshmitë e banorëve por edhe të afërmve të viktimës dhe autorit për të hedhur dritë mbi shkaqet e zënkës së dy fqinjëve.

 

Hetimi

Grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje ka zbardhur edhe motivin e këtij krimi mes fqinjëve. Mësohet se konflikti mes viktimës dhe autorit ka qenë për shkaqe banale, ku pas krasitjes së pemëve mes kufirit ndarës të pronës së tyre, autori i ka kërkuar viktimës largimin e mbetjeve. Në këtë moment ka ndodhur nisur edhe debati mes tyre i cili ka degjeneruar fillimisht në përdorimin e fjalëve ofenduese, e më pas 69-vjeçari Jaku është drejtuar në banese duke marre çiften dhe shtënë mbi 48-vjeçarin. Për pasojë, Pjetri ka mbetur i vdekur në vend. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniformat blu të Shkodrës, të cilat bënë arrestimin e autorit brenda në banesë, si dhe sekuestruan armën e krimit, të cilën e dispononte me leje.

 

Dëshmia

Ndërkohë, i marrë në pyetje nga efektivët e policisë, në deponimin e tij të pare, Mark Jaku ka mohuar autorësinë e vrasjes se 48-vjeçarit, por më pas ka ndryshuar sërish deklaratën, duke pranuar se ka qëlluar viktimën pas konfliktit me këtë të fundit për mbetjet e pahequra në tokën e tij. Gjithashtu, debatin mes viktimës dhe autorit e kanë pranuar edhe fqinj të tyre, të cilët kanë hedhur dritë edhe mbi autorësinë e krimit. Madje, banorë të zonës kanë shpjeguar se edhe më herët mes palëve ka patur konflikte. Autori i vrasjes ka qenë, sipas dëshmive të familjarëve, i vetmi krah për familjen pasi njëri nga vëllezërit e tij ka probleme mendore, ndërsa një vëlla tjetër është në emigrim. Ai ka jetuar me bashkëshorten, fëmijët dhe prindërit e tij në banese, si dhe me njërin vëlla. Ndërkohë, sipas banorëve të fshatit, viktima nuk ka qenë tip problematik dhe njihej në zonë si njeri i qetë. Policia ndërkohë është duke mbajtur nën mbikëqyrje të dyja familjet që banojnë fare pranë njëra-tjetrës në këtë fshat për të shmangur ndonjë përshkallëzim të situatës.

 

 

Gjyqi

Avokatët kërkojnë studimin e pamjeve filmike, shtyhet gjyqi i Frrokut

Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë dje seancën gjyqësore për Arben Frrokun, të akuzuarin për vrasjen e ish-komisarit Dritan Lamaj. Avokatët Genc Gjokutaj dhe Tonin Prendi kërkuan shtyrjen e gjyqit me argumentin se duhet kohë për të shqyrtuar pamjet filmike që tregojnë itinerarin e makinës së Arben Frrokut më 24 shkurt të 2013-ës, ditën kur u vra edhe ish-komisari Lamaj. Gjykata pranoi kërkesën e avokatëve dhe vendosi shtyrjen e gjyqit për në datën 26 mars. Arben Frroku, është i dyshuari kryesor i akuzës për atentatin e 24 shkurtit ku Dritan Lamaj u vra përpara banesës së tij. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendim të datës 26.2.2013, ka caktuar ndaj Frrokut, masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”.

 

 

Durrës

Masa, “60 ditë burg” të kërkuarit nga FBI-ja, Armand Mara

Gjykata e Durrësit i ka lënë kohë Prokurorisë 2 muaj për të sjellë para gjykatës materialet e plota për të dhënë vendimin mbi ekstradimin ose jo të Arman Marës drejt SHBA-ve. “60 ditë burg” vendosi Gjykata e Durrësit për të shumëkërkuarin nga FBI-ja, Armand Mara, derisa SHBA të dërgojë dokumentet për ekstradimin e tij, pasi nëse gjatë kësaj kohe nuk mbërrijnë, ai rrezikon mosekstradimin. Ndryshe nga rastet e shteteve të Evropës kur caktohen 40 ditë kohë, për kontinentin tjetër, gjykata la një afat më të gjatë prej 60 ditësh. Mara i njohur edhe si Goni Brraka, 37 vjeç, u arrestua dy ditë më parë ne Durrës, pasi ndaj tij kishte urdhër arresti, qe më 15 nëntor 2012, nga Gjykata e distriktit Masaçusets në SHBA. Mara akuzohet si personi kyç i një organizate kriminale, qe ka kryer trafikim te mbi 50 kg kokainë nga Kalifornia ne Boston.

 

 

 

 

 

 

Share it :