Anxhela Tato
Konflikti i ashpër nënë e bijë për lidhjen e 15-vjeçares, për ta ndaluar që të dilte nga banesa Mimoza Keqi vrau vajzën
Fqinjët njoftuan policinë: Po bënin sherr, Mimoza po ndalonte vajzën të largohej, dëgjuam të shtëna dhe u trembëm
Konflikti i ashpër nënë e bijë përfundon tragjikisht në fshatin Fushë-Kuqe të Kurbinit. 40-vjeçarja Mimoza Keqi ka masakruar me breshëri automatiku vajzën e saj 15 vjeçe, pas një sherri prej dy orësh. Nëna nuk është ndaluar në momentin e plagosjes së vajzës në krah, por e ka ndjekur nga pas në oborr nën tërbimin e “gjakut”, duke i qëlluar tri herë rresht, derisa e reja ka përfunduar e vdekur në tokë. E tronditur dhe me peshën e fajit për krimin e rëndë, 40-vjeçarja është futur brenda në kuzhinë dhe aty ka shkrehur armën në kokë. Ngjarja e rëndë është mbyllur me një vrasje të dyfishtë në fshatin Fushë-Kuqe të rrethit të Kurbinit, ndërsa për policinë ka qenë i pamundur komunikimi me kryefamiljarin, i cili nën gjendje shoku nuk ka mundur të shqiptojë asnjë fjalë. Efektivët e policisë kanë tentuar që ta pyesin nëse gruaja dhe vajza e tij kanë pasur konflikte të mëparshme apo rreth një motivi të mundshëm që nxiti këtë “urrejtje gjaku” të nënës ndaj krijesës së saj. Por kryefamiljari nuk di asgjë çfarë ka ndodhur mes femrave të familjes së tij dhe të vetmet fjalë të tij ishin: “Jam i tmerruar, nuk di asgjë”. Nga të dhënat e para të policisë ka dyshime se shkaku i krimit mund të jetë për çështje morali, pasi nëna është vënë në dijeni të një lidhjeje dashurie të 15-vjeçares S. Keqi. Ky lajm nuk është kapërdirë dot nga 40-vjeçarja, e cila ka ndaluar vajzën që të dalë nga dera e shtëpisë. Sipas të dhënave të para, ka dyshime se 15-vjeçarja ka dashur të shkojë tek i dashuri i saj, por është penguar nga nëna dhe mes të dyjave ka nisur një konflikt i ashpër deri në konfrontim fizik. Gjithashtu, blutë janë vënë në dijeni që shkolla që frekuentonte 15-vjeçarja do të organizonte një ekskursion ditën e djeshme. Vajza mund të ketë dashur të shkojë së bashku me të dashurin e saj dhe kjo për 40-vjeçaren ka qenë e tepërt. Për blutë nuk është e qartë dhe e zbardhur me detaje motivi i kësaj ngjarjeje të rëndë, por dyshimet janë te konflikti për lidhjen dashurore të 15-vjeçares.
Ngjarja
Ishte ora 10:00 e paradites kur nga banesa e familjes Keqi dëgjoheshin ulërima dhe klithma. Fqinjët janë alarmuar për situatën, por nuk kanë mundur që të ndërhyjnë. Nënë e bijë ishin duke debatuar ashpër me njëra-tjetrën dhe kuptohej se mamaja 40-vjeçare kundërshtonte dhe nuk lejonte të bijën të kapërcente pragun e derës. Por situata agravoi dhe nënë e bijë u konfrontuan fizikisht deri në momentin që vajza donte të dilte nga dera, 40-vjeçarja ka marrë armën e zjarrit dhe e ka qëlluar. Fillimisht vajza është plagosur në krah, por kjo nuk e ka ndaluar 15-vjeçaren që të largohej nga banesa. E tërbuar 40-vjeçarja Mimoza Keqi e ka ndjekur nga pas, duke e qëlluar tri herë rresht, derisa ka parë vajzën të mbytur në gjak. Ka qenë pikërisht ky sinjali që 40-vjeçarja është ndërgjegjësuar duke kuptuar që kishte vrarë vajzën. Në gjendje të një tronditjeje të fortë psikike gruaja është futur brenda në banesë dhe ka drejtuar armën në kokë. Ka mjaftuar një plumb për t’i marrë jetën Mimoza Keqit. Sapo kanë dëgjuar krismat fqinjët kanë telefonuar policinë, të trembur se kishte ndodhur tragjedia dhe dikush nga të dyja ishte vrarë. Sapo janë futur në banesë, kanë gjetur të gjakosur dhe pa jetë vajzën 15-vjeçare S. Keqi. Ndërsa në banesë ndodhej kufoma e nënës, e shpërfytyruar nga vetëflijimi. Forca të shumta policie kanë mbërritur dhe dy trupat janë dërguar në morg. Nga të dhënat e para të ekspertizës vajza ka plagë tejshpuese në kraharor dhe në krah. Hemorragjia e madhe i ka kushtuar jetën vajzës dhe brenda pak sekondave ka ndodhur edhe krimi i dytë. 40-vjeçarja ka një plagë tejshpuese në kokë dhe ka humbur jetën në vend.
Dëshmitë
Të pyetur nga oficerë të Policisë Gjyqësore fqinjët kanë rrëfyer se shkaku i krimit ishin një konflikt mes të dyjave. Ata kanë dëgjuar ulërima dhe kanë kuptuar se nënë e bijë po bënin sherr. “Nga britmat kuptohej që nëna nuk pranonte diçka të vajzës dhe ulërinte duke i thënë që nuk do ta kalonte pragun e shtëpisë. Por vajza insistonte se ishte zgjedhja e saj dhe nëna duhet ta lejonte. Vazhdoi për ca orë ky sherr deri kur dëgjuam të shtëna. Aty menduam se njëra është vrarë. Nuk po kuptonim asgjë derisa u futëm brenda në banesë dhe pamë trupat. Ishte një skenë e rëndë dhe si familje kanë qenë të qetë dhe nuk kanë pasur kurrë probleme. Këta ishin tre fëmijë, një vajzë dhe dy djem, ndërsa burri i Mimozës është peshkatar”, – janë shprehur fqinjët. Nga të dhënat e bluve ka dyshime se konflikti ka ndodhur për shkak të mos pranimit të lidhjes së dashurisë së 15-vjeçares, duke i bashkangjitur edhe dyshimet se vajza mund të ketë dashur të shkojë në ekskursion me të dashurin. Por nga blutë po vijojnë hetimet për të zbuluar të vërtetën që fshihet pas këtij krimi të rëndë.
Lufta ndaj drogës/ Policia nis monitorimin e territorit me avion gjurmues
Në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin e goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, Policia e Shtetit ka njoftuar se ditën e hënë do të fillojë monitorimi i territorit me avionë gjurmues nga ajri. Prej dy ditësh në aeroportin e Rinasit është pozicionuar skuadra e monitorimit e cila përbehet nga një avion gjurmues, dy pilotë si dhe ekspertët e përdorimit të pajisjeve elektronike të kontrollit, flotë kjo e mundësuar nga shteti Italian dhe Guardia di Fiananza. Për koordinimin e këtij operacioni ditën e djeshme në ambientet e Drejtorisë së Policisë është zhvilluar një takim me përfaqësues të palës italiane dhe asaj shqiptare. Sipas Policisë së Shtetit, veprimtaria për monitorimin e territorit do të fillojë ditën e hënë, ku do të nisë dhe monitorimi përmes avionit, proces i cili do të pasohet nga veprimet në terren të forcave vendore të policisë të mbështetura nga forcat speciale, me qëllim asgjësimin e sipërfaqeve të konstatuara. Burime bëjnë me dije se në planet e fluturimit tashmë të fiksuara ndërmjet policisë shqiptare dhe përfaqësuesve italian, bën pjesë i gjithë territori, kryesisht zona e Lazaratit si dhe malësitë e zonës së Shkodrës.




