Krimi i rrugës/ Brenda 30 minutash regjistrohen 2 grabitje në kryeqytet

Anxhela Tato

 

 Vidhen 100.000 lekë në pikën koncesionare “Mercedes-Benz”, autorët, të kamufluar me veshje ushtarake dhe kokore

 Dy grabitësit dhunuar rojën dhe financieren e firmës, dyshime se janë larguar në drejtim të Vorës

 

 

maskat1369673624Kanë mjaftuar 30 minuta dhe në kryeqytet janë regjistruar dy grabitje me forcë. Një kompani koncesionare si dhe një pikë karburanti kanë rënë pre e grabitësve gjatë orëve të drekës. Pika koncesionare e “Mercedes-Benz”, në autostradën Tiranë – Vorë, është grabitur rreth orës 13:30 minuta. Nga të dhënat e para mësohet se grabitja me mjete të forta ka ndodhur nga dy persona të maskuar me veshje ushtarake, të cilat më pas janë larguar me motor. Policia bën të ditur se nga grabitja ka mbetur i lënduar roja i firmës si dhe është lënduar lehtë edhe financiari. Grabitësit kanë arritur të marrin xhiron ditore e cila mund të ketë vlerën e 100 mijë lekëve të reja. Mendohet se dy grabitësit e moshës rreth 20 vjeç fillimisht kanë hyrë në pikën koncesionare pa maska më pas kur i janë afruar zyrës së financës dhe kanë kryer grabitjen. Sipas policisë dy të rinjtë dyshohet se kanë qenë me kokore motori. Pasi kanë grabitur shumën, hajdutët kanë dashur të dalin. Roja ka hezituar të hapë derën, por është goditur dy herë me qytën e armës.

 

Grabitja e karburantit

 Ndërkohë, vetëm pak minuta më pas, një tjetër grabitje ndodhi në rrugën “Siri Kodra” në kryeqytet. Këtë herë objekt i grabitjes ishte një pikë karburanti. Tre persona të maskuar kanë mundur të marrin nga karburanti paratë e xhiros ditore. Sipas policisë, personat, ende të paidentifikuar, i kanë marrë punonjësit të karburantit me inicialet E. Gj. shumën 7000 mijë lekë. Policia bën me dije se grabitësit udhëtonin me mjetin me targë TR9010I. Blutë e Tiranës kanë nisur hetimet dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes. Mësohet se nga ana e forcave të policisë në lidhje me grabitjen e pikës koncesionare janë shoqëruar 20 persona me precedentë penalë. Ndërsa ende nuk ka të dhëna për autorët, të cilët kanë qenë me veshje ushtarake dhe me kokore në kokë. Pritet zbardhja e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, e cila do të ndihmojë policinë në krijimin e identikitit për autorët. Ndërsa postblloqe u vendosën në zonat në afërsi të dy pikave të grabitura, duke ushtuar kontrolle për autorët. Ka dyshime se grabitësit e pikës koncesionare të jenë larguar në drejtim të Vorës, ku blutë po vijojnë me ushtrimin e kontrollove. Ndërkohë që në pyetje janë marrë edhe roja me financieren të cilët janë ende të tronditur nga ngjarja. Ata kanë dhënë përshkrimin dhe veprimet që kanë bërë dy grabitësit në momentin që janë futur brenda, të cilët kanë qenë të armatosur dhe nuk kanë hezituar të ushtrojnë dhunë për të marrë lekët e xhiros.

 

 

Elbasan

Tërheq 221 mijë euro, Prokuroria nis hetimet për burimin

 Një 25-vjeçare me inicialet A. K., banuese në lagjen “11 Nëntori” të qytetit të Elbasanit, në harkun kohor të një viti, ka tërhequr nga një bankë e nivelit të dytë një sasi jashtëzakonisht të madhe parash, e cila ka çuditur edhe punonjësit e këtij filiali, pasi në kushtet e krizës askush nuk kishte mundur të tërhiqte dot shuma të tilla vitin e kaluar. Sipas policisë, kjo shtetase është bërë kliente e bankës nr. 1 vetëm pak kohë më parë dhe nga veprimet e kryera gjatë periudhës dhjetor 2012 dhjetor 2013 ka përfituar 13 çeqe në vlerë totale 221.857 euro. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Ndërkohë, dje ka filluar procedimi penale edhe për 38-vjeçaren Z. Gj., banuese në lagjen “Skënderbej”, e cila ka nënshkruar dy kontrata noteriale sipas të cilave ka blerë nga shtetasi A. D. në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan, dy apartamente me vlerë 20.740 euro dhe 36.260 euro, ku mënyra e pagesës është bërë jashtë zyrës noteriale dhe deklarimi i të ardhurave është deklaruar hua.

 

 

Krujë

Tenton vetëvrasjen, shpëtohet në kohë i dënuari Velia

 Një i dënuar me burgim përjetë ka tentuar dje vetëvrasjen në qelitë e burgut të Krujës. Sipas burimeve, 34-vjeçari, i cili vuan dënimin në burgun e Zaharisë, ka tentuar t’i japë fund jetës në ambientet e qelisë së tij. Mësohet se i dënuari Fatmir Velia ka tentuar të vetëvaret me një çarçaf, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike. Rojat e burgut kanë shmangur vetëflijimin e të dënuarit, ndërsa mjekja e burgut të Zaharisë i ka dhënë ndihmën e parë 34-vjeçarit, i cili tashmë është rrezikut për jetën.

 

 

Elbasan

Bazë prostitucioni, në pranga nënë e bir

 Zbulohet një bazë prostitucioni në qytetin e Elbasanit. Policia vë në pranga 3 persona, mes tyre një prostitutë. Ngjarja u shënua gjatë natës, kur blutë e Elbasanit, pas sinjalizimeve të marra, kanë ushtruar kontroll në një banesë në lagjen “5 Maji”, e cila shërbente si një bazë për ushtrimin e prostitucionit. Në pranga është vënë 62-vjeçarja Fatmira Alterziu, i biri Dritan Alterziu, 38 vjeç, dhe 24-vjeçarja me iniciale D. Selimaj, e cila ushtronte prostitucion. Sipas policisë, nënë e bir prej disa kohësh rekrutonin vajza të reja për prostitucion, të cilave më pas u siguronin klientë në banesën e tyre. Ndërkohë po hetohet për përfshirjen e personave të tjerë në këtë rrjet.

 

 

Itali

Sekuestrohen 2 tonë marijuanë, në pranga 4 persona

 Të paktën 2 tonë marijuanë e ngarkuar në një skaf që vinte nga Shqipëria, u sekuestrua dje në Bari, ndërsa në pranga ranë 4 persona. Mediat italiane njoftojnë se droga u kap në një skaf 10 metra të gjatë, me motorë të fuqishëm, që ishte nisur nga brigjet shqiptare dhe ishte ndjekur nga Guardia di Finanza apo Rojat bregdetare. Oficerët thanë se e kishin vënë në hetim këtë grup kriminal që prej shtatorit të vitit të kaluar, kur anëtarëve të tjerë të këtij rrjeti u janë sekuestruar 100 kg kokainë dhe heroinë.

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.