Krimet e Rënda/ Andon Mëhillaj mohon akuzat para Gjykatës, avokati pretendon se ka probleme mendore

Sonja Caka

 

Avokati Lazër Sokoli: Klienti im ka probleme mendore, do të kërkojmë ekzaminim psikik të tij. Ai nuk ka asnjë lidhje me vrasjet, është ndier i kërcënuar për t’u vrarë nga Julian Sinanaj

 

andon mehillaj ne kembeAndon Mëhillaj ose i njohur ndryshe edhe me emrin tjetër Erion Mëhillaj është njohur dje me akuzat e ngritura nga Krimet e Rënda si dhe me masën e marrë në mungesë nga gjyqtarja Etleva Deda. Nuk ka qenë avokati që e shoqëroi në vetëdorëzim ai që e mbrojti para Gjykatës, por një tjetër, përkatësisht Lazër Sokoli, i cili ka zgjedhur si strategji për klientin e tij të përdorë probleme të pretenduara shëndetësore. Konkretisht, avokati Sokoli ka pretenduar brenda dhe jashtë sallës së gjyqit të Gjykatës së Krimeve të Rënda se klienti i tij vuan nga çrregullime mendore dhe për këtë fakt do të kërkojë që atij t’i bëhet një ekspertizë mendore. Duket se kjo do të jetë strategjia e avokatëve mbrojtës përballë numrit të lartë të akuzave dhe provave të forta që prokurorët pretendojnë se kanë për Andon Mëhillajn dhe kushëririn e tij Genis Mëhillaj, të akuzuar si porositës apo dhe ndërmjetës për disa krime në Vlorë dhe Tiranë.

 

Masa

 I akuzuari si porositës apo dhe ndërmjetës për disa krime të realizuara apo dhe në shenjë paralajmërimi, Andon Mëhllaj, ka dalë mëngjesin e djeshëm para Gjykatës së Krimeve të rënda për t’u njohur me masën e sigurisë të marrë në mungesë nga gjyqtarja Etleva Deda. Media është lejuar të jetë e pranishme vetëm minutat e para, në kohën kur i akuzuari dha gjeneralitetet për gjyqtaren, ndërkohë që iu komunikuan edhe akuzat që rëndojnë ndaj tij. Më pas, seanca vijoi me dyer të mbyllura. Në përfundim të seancës, avokati i zgjedhur prej Mëhillajt, Lazër Sokoli, ka deklaruar se klienti i tij ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij dhe në ditët në vijim do të reagojë mbi to. Më pas, avokati ka deklaruar se klienti i tij vuan nga probleme mendore, për të cilat në vijimësi do të kërkojë bërjen e një ekzaminimi psikik për Andon Mëhillaj, pasi prej vitesh ai mjekohet me qetësues të fortë. Mësohet nga avokati se Andon Mëhillaj ka shfaqur probleme mendore, që pas kthimit nga Italia vite më parë, ku mendohet se ka qenë dëshmitar i vrasjes së vëllait të tij. Madje, një strategji e avokatëve apo një shenjë hutimi për shkak të ngjarjeve të fundit apo sëmundjes së pretenduar prej avokatit u shfaq dje nga Andon Mëhillaj edhe në sallën e gjyqit, ku në hutim e sipër mezi shqiptoi emrin e avokatit mbrojtës. Ai nuk pranoi para Gjykatës akuzat e prokurorëve Ardian Nezha e Behar Dibra, duke u shprehur se ndihej i frikësuar nga vrasësi i arrestuar Julian Sinanaj, me të cilin tha se kishte njohje prej vitesh. Ndërsa në lidhje me akuzat si porositës i vrasjes së Sokol Veizit, Agron Çelës dhe vendosjes së eksplozivit në shtëpinë e Ardian Kollozit, i vetëdorëzuari në Prokurori, Mëhillaj, ka mohuar implikimin. Gjykata, pasi dëgjoi pretendimet e Mëhillajt, avokatit të tij dhe akuzat e Prokurorisë, vendosi të linte në fuqi vendimin e dhënë në mungesë, atë të “Arrestit me burg”.

 

Vetëdorëzimi

 Mëngjesin e të mërkurës, me ndërhyrjen e shefit të Prokurorisë së Vlorës, Kosta Beluri, dhe avokatit të Andon Mëhillajt, ky i fundit u vetëdorëzua në Vlorë, duke u sjellë në Tiranë për t’u përgjigjur për akuzat ndaj tij. “Andon Mëhillajt iu komunikuan akuzat të cilat ai nuk i ka pranuar. Ai merr mjekim për probleme mendore. Ai është i terrorizuar, është i tronditur dhe do të japë shpjegime në një moment tjetër”, – tha avokati Lazër Sokoli në përfundim të seancës së masës.

 

Akuzat

 Akuzat që rëndojnë ndaj 38-vjeçarit Andon Mëhillaj, janë si i dyshuar për kryerje të akteve terroriste me qëllim përhapjen e panikut në popullatë, financim të akteve të terrorizmit, trafikim të armëve dhe municioneve luftarake, armëmbajtje pa leje, mbajtje pa leje të municionit luftarak, mbajtje pa leje të lëndëve plasëse, vrasje të shtetasit Sokol Veizi dhe vrasje të shtetasit Agron Çela.

 

 

Masa

Vrau kunatin për hakmarrje, “Arrest me burg” për Skukën

 Gjykata e Peshkopisë ka lënë në burg dje Buran Skukën nga Dibra, i cili akuzohet se vrau kunatin e tij në shenjë hakmarrjeje për krimin e kryer nga motra e këtij të fundit. I akuzuari nuk e ka përtypur dot krimin e kryer nga gruaja e tij dhe në shenjë hakmarrjeje për nënën e tij ai vrau vëllain e ish-gruas. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, në fshatin Katund i Ri, në Peshkopi, kur Buran Skuka kishte shkuar pranë varrit të së ëmës që një vit më parë u vra nga dy nuset e djemve të saj në shtëpi. Buran Skuka qëlloi me armë automatike kunatin e tij, 38-vjeçarin Basri Nikolli, duke e vrarë në vend. Policia arrestoi menjëherë autorin e ngjarjes, të cilit edhe iu caktua nga Gjykata masa e arrestit “Burg pa afat”.

 

 

 

 

 

 

 

 

Share it :