Kreu i opozitës/ Fitoret e së djathtës në Evropë, Basha: Alternativa më e mirë qeverisëse në kohë të vështira

Florenc Drizari

 

 Lulzim Basha: Impresionues rezultati i zgjedhjeve në Hungari dhe fitorja e thellë e së djathtës së Kryeministrit Viktor Orban

 

basha - pd2Fitorja e zgjedhjeve për Kryeministrin Viktor Orban në Hungari vlerësohet edhe nga kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha. Përmes një publikimi në rrjetin social “Facebook”, Basha shkruan se demokratët në Hungari arritën një fitore bindëse çka tregon, sipas tij, se filozofia e qeverisjes së djathtë është më e mira në kohë krizash në Evropë. Këtë qëndrim të tijin Basha e lidhi edhe me fitoren e zgjedhjeve të fundit të së djathtës në Francë.

“Është impresionues rezultati i zgjedhjeve në Hungari dhe fitorja e thellë e të djathtës së Kryeministrit Viktor Orban. Përmes suksesit të reformave që ka ndërmarrë, Orban rikonfirmohet me një fitore bindëse në Hungari, ku partia e tij, Lidhja e Demokratëve të Rinj (FIDESZ), arriti një rezultat mbresëlënës.

Urime për Kryeministrin Orban dhe kënaqësi kur sheh se projekti i së djathtës, siç ndodhi edhe me zgjedhjet lokale në Francë, po gjykohet nga qytetarët në Evropë si alternativa më e mirë qeverisëse në këto kohë të vështira”, – ka shkruar kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

 

Hungari

 Një ditë më parë, Viktor Orban fitoi sërish zgjedhjet parlamentare në Hungari. Kryeministri hungarez tha se zgjedhjet ishin të lira dhe se ai mund të thotë me siguri absolute se i ka fituar ato. Gordon Bajnai i lidhjes opozitare të majtë e pranoi humbjen në zgjedhje, duke e quajtur këtë humbje si shkatërruese dhe rezultatin e zgjedhjeve si një zhgënjim për të gjithë ata që donin ndryshimin e qeverisë. Sipas përllogaritjeve të bëra pas numërimit të 89% të votave Partia Fidesz fitoi 44,8% të votave, kurse Lidhja e Majtë 25,5%. Partia ekstremiste e djathtë Jobbik mund të llogarisë me rreth 21% të votave.

 

Francë

Sipas shtypit evropian, Presidenti francez Hollande u dënua masivisht edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve komunale. Socialistët e tij humbën në shumë qytete shumicën e tyre, ndërsa konservatorët dhe Fronti Nacional ekstremist i djathtë arritën rezultate të paparashikuara më parë. Zgjedhjet e mbajtura rreth një javë më parë në Francë u cilësuan si një humbje e rëndë për Presidentin jopopullor François Hollande. Sipas ekspertëve, rezultatet ishin “pa dyshim të këqija për të majtën”. Nga ana e tij, Kryeministri francez Jean-Marc Ayralt pranoi një pjesë të përgjegjësisë dhe premtoi se “mesazhi” i zgjedhësve do të dëgjohet. Duket se socialistët nuk i kanë shpjeguar si duhet reformat e nisura që në vitin 2012, ka thënë kryeministri. Sipas Ministrisë së Brendshme franceze e majta humbi 155 bashki në qytete me më shumë se 9000 banorë, të cilat tani drejtohen nga partia konservatore në opozitë UMP. Kështu socialistëve iu desh të dorëzonin edhe qendra të forta të tyre si Quimper në perëndim të vendit, Limoges në qendër të Francës, Belfort në lindje apo Toulouse në jug.

 

 

 

Share it :