KQZ rrëzon ankimimin e LSI-së për Kukësin

Florenc Drizari

Nis shqyrtimi në themel i kërkesave ankimore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve

Relatori Osmanaj: LSI nuk ka sjellë prova që mund të na çojnë në kontestimin e rezultatit

 

Partitë politike i rikthehen debateve për mungesën e kuorumit të KQZ-së, për të marrë vendime në lidhje me kërkesat ankimore të bëra nga vetë ata, ndërkohë që komisioni më i lartë i administrimit të zgjedhjeve në vendin tonë, rrëzon për mungesë provash 10 kërkesa për pavlefshmëri të procesit zgjedhor.

Një ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi me 4 vota ankimimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kërkesë ankimore e cila kishte si objekt rivlerësimin e votave në disa zona zgjedhore për Qarkun e Kukësit. Në këtë kërkesë ishte bashkangjitur edhe ankimimi i Partisë Popullore Kristiandemokrate e Shqipërisë që kundërshtonte vendimet e tabelave të rezultateve të disa KZAZ-ve në qarkun e Kukësit. Pas shqyrtimit të provave të paraqitura nga të dy subjektet politike, KQZ vendosi rrëzimin e tyre.

Pas një mbledhje të shoqëruar me debate lidhur me mundësinë që KQZ ka duke qenë me 4 anëtarë për të marrë vendime me shumicë të cilësuar, anëtarët e komisionit vlerësuan se faktet e paraqitura nga subjektet politike nuk përbënin prova që mund të ndryshonin vendimmarrjen e KQZ-së.

Relatori i kësaj çështje, anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj, tha se ankesa e PPKDSH-së, që kundërshton vendimin e KQZ-së për tabelën e Kukësit dhe vendimet e tabelave të KZAZ-ve nr. 9, 10 dhe 11, nuk paraqet asnjë provë për t’i administruar sipas nenit 136 të kodit zgjedhor.

Po ashtu sipas Osmanajt, edhe kërkesa ankimore e LSI-së, që kundërshton vendimin e ZAZ-së nr. 9 në Kukës, duke kërkuar rivlerësim dhe rinumërim të votave në 15 qendra votimi, nuk ka sjellë prova që mund të na çojnë Komisionin në kontestimin e rezultatit në këtë zonë zgjedhore.

PËRBALLJA PD – LSI

Që në fillim të mbledhjes së djeshme të KQZ-së, palët replikuan me argumente ligjore duke iu referuar neneve të ndryshme të kodit zgjedhor për të drejtën që ka KQZ për shqyrtimin e kërkesave ankimore dhe mundësinë për të marrë vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, ku aktualisht ndodhet me katër anëtar.

Përfaqësuesi i LSI-së, i cilësoi si të pavlefshme vendimet e KQZ-së së përbërë vetëm me katër anëtarë.

Ai tha se KQZ duhet të verifikojë kuorumin për shqyrtimin e këtyre kërkesave. Sipas tij, që mbledhja e KQZ-së të jetë e vlefshme duhet të jenë në tavolinë të paktën 5 anëtarë. “Që kjo mbledhje të jetë e vlefshme duhet se paktën të jenë 5 anëtarë. Mbledhja të mos fillojë, ju të konstatoni mungesën e kuorumit”,- u shpreh Muho

Edhe përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj tha se Kodi Zgjedhor është i qartë në këtë rast, duke cituar se; KQZ nuk mund të shqyrtojë kërkesa ankimore me objekt ndryshimin e tabelës, nëse në tavolinë nuk janë të paktën 5 anëtarë.

Ndërsa përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Ivi Kaso, i quajti copa letrash që nuk kanë asnjë provë kërkesat ankimore të subjekteve në KQZ. Sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka të drejtën për të shqyrtuar kërkesat ankimore, por jo të ndryshojë rezultatet e miratuara më parë në KQZ në bazë të tyre. Ndërkaq, për anëtarja e KQZ-së Vera Shtjefni theksoi se Komisioni Qendror Zgjedhor e ka kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar kërkesën.
Kërkesa u rrëzua dhe mbledhja vijoi pa pjesëmarrjen aktive të dy përfaqësuesve ligjor. Sipas vendimit të KQZ-së tabela e rezultatit për qarkun e Kukësit përcakton 3 mandate të fituara nga koalicioni i djathtë “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, kundrejt 1 mandati të marrë nga koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

Share it :