Kopshti i Edenit’ të Kryeministrit Rama, tender 700 mijë € për ujitjen
Kopshti i Edenit i ndërtuar brenda godinës së kryeministrisë dhe që ka kushtuar 4 milionë vijon të thithë fonde të tjera nga buxheti i shtetit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit pritet të shpallë një tender me vlerë 700 mijë euro për rikonstruksionin e depos së ujit në kryeministri, i cili për nga vlera ngjan me ndërtimin e një ujësjellësi të ri. Kopshti i Edenit, është një hapësirë qetësuese për Ramën, e mbushur me bimësi, si një oaz i gjelbër në Tiranën e betonizuar.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka vendosur të rikonstruktojë depon e ujit të kryeministrisë, në një tender, që për nga vlera, ngjan me ndërtimin e një ujësjellësi të ri.
Plot 700 mijë euro është tenderi që pritet të shpallet së shpejti nga institucioni i drejtuar prej Dritan Agollit.
Megjithëse bëhet fjalë për një depo uji, Fondi Shqiptar i Zhvillimit e konsideron këtë procedurë tenderuese si investim në transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi.
Është e paqartë se çfarë konsiderohet me potencial të rëndësishëm zhvillimi në ndërtimin e depos dhe bodrumit të selisë së kryeministrit Edi Rama. Por, ajo që dihet botërisht është fakti se, pak vite më parë, për të njëjtin institucion, Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpenzoi plot 4 milionë euro për ndërtimin e një hapësire rekreative në godinën duke e quajtur “Kopshti i Edenit”.
Hapësira qetësuese për Ramën është një strukturë solide katër-katëshe, e mbushur me bimësi, si një oaz i gjelbër në Tiranën e betonizuar.
Lulet e shumta në “Kopshtin e Edenit” të Ramës, natyrisht, kanë nevojë për ujë të bollshëm. Ndaj, investimi më i ri, 700 mijë euro duket se do të shkojë pikërisht për të mbajtur të gjallë oazin qetësues të Edi Ramës.
Në 1 Prill 2026, Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli në Regjistrin e Parashikimeve të Prokurimeve Publike procedurën me objekt: “Investime për transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi në modele të standardit më të lartë të zhvillimit:Rikonstruksioni i hapësirës teknike në bodrumin e Kryeministrisë (përforcim strukturor dhe ndërtim i depos së ujit) dhe rikonstruksion”.
Për këtë procedurë, Buxheti i Shtetit ka akorduar fondin 71.2 milionë lekë të reja. Për momentin, institucioni prokurues nuk ka përcaktuar datën se kur do të zhvillohet tenderi, por, megjithatë, diçka është e sigurt, ai do të zhvillohet brenda vitit 2026.
Syri




