Kontejnerët me mbetje të rrezikshme/ Zhupa: SPAK të hetojë Mirela Kumbaron!
Deputetja demokrate Ina Zhupa, ka reaguar në lidhje me krimin mjedisor që doli zbuluar një vit më parë me 2800 tonë mbetjet toksike në kontejnerë që dërgoheshin drejt vendeve aziatike, për të cilin janë arrestuar rreth 33 zyrtarë.
Në një reagim në rrjete sociale, Zhupa thotë se kjo çështje përbën sipas saj një krim të rëndë mjedisor që nuk mund të mbyllet me hetime sipërfaqësore, duke kërkuar që SPAK të hetojë edhe ish-ministren e Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Sipas saj, mungesa e kontrollit nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe autorizimet për eksport në kundërshtim me ligjet kombëtare e ndërkombëtare ngrenë dyshime serioze për përgjegjësi politike dhe institucionale, duke e cilësuar këtë aferë si një krim me pasoja afatgjata për shëndetin publik dhe mjedisin, që kërkon hetim të plotë dhe të paanshëm nga SPAK.
“Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka licensuar dhe nuk ka monitoruar sasi gjigante mbetjesh, gjë që ka sjellë pasoja penale. Por kjo nuk është përgjegjësi individuale, por përgjegjësi institucionale dhe politike.
Shqipëria rezulton sot e paaftë për asgjësimin e këtyre mbetjeve. Si ka qenë e mundur të autorizohen eksporte dhe licenca, në shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare?
Qartësisht pyetje që duhet ti jap përgjigje SPAK duke hetuar ministrinë e mjedisit dhe ministren Mirela Kumbaro. Kjo çështje nuk mbyllet me disa masa sigurie dytësore, nga kurajo dhe profesionalizmi i dy prokurorëve të Durrësit. Sepse nuk është thjesht shkelje administrative e dorës dyte, kjo cështje krim mjedisor me pasoja kancerogjene, krim që vret ngadalë dhe heshtur”,– shprehet Zhupa ndër të tjera.




