Kontejnerët me mbetje/ ‘Arrest shtëpie’ për Arta Dollani, drejtoresha e Agjencisë së Arsimit Parauniversitar
Plot 33 masa sigurie janë lëshuar nga Prokuroria e Durrësit në lidhje me çështjen e 102 kontejnerëve me mbetje.
Nga këto, 26 masa janë “arrest me burg”, ndërsa 7 masa janë “arrest shtëpie”.
Bëhet me dije se arrest shtëpie i është vendosur edhe Arta Dollanit, e besuara e Mirela Kumbaros.
Dollani, e cila sot mban detyrën si drejtoreshë e Agjencisë së Arsimit Parauniversitar, akuzohet për shkeljet e kryera në kohën kur mbante postin e drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Të dyja agjencitë kanë qenë nën drejtimin e Mirela Kumbaros.
Një operacion i gjerë policor, i mbështetur edhe nga Prokuroria e Durrësit ka në fokus janë veprimet hetimore ndaj disa subjekteve private që përfshihen në tregtinë e mbetjeve kimike të nxjerra nga kompania metalurgjike “Kurum”.
Eksporti i dyshuar i mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u denoncua më 5 gusht 2024 nga “Basel Action Network”, një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara.
BAN ngriti alarmin se një anije gjigante kontejnerësh prej 175 mijë tonësh e linjës “Maersk” u zhduk në fund të korrikut nga radarët pranë Cape Town në Afrikën e Jugut, pas një sinjalizimi të bërë prej saj tek autoritetet vendase.
102 kontejnerët me 210 tonë mbetje që kishin destinacion Tajlandën, u kthyen në nëntor 2024 në vendin tonë pasi organizata mjedisore “Basel Action Network” ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme.




