Komisioni për Politikën e Jashtme/ “Situata në Ukrainë”, Blushi: Qeveria të ketë një qëndrim të pjekur dhe më të shpejtë

Florenc Drizari

 

Ditën e premte pritet të raportojnë në Komisionin e Jashtëm ministrat Bushati dhe Kodheli

 

 

komisioni i jashtem_4.3.14Situata e ditëve të fundit në Ukrainë u bë pjesë e debatit edhe në Komisionin për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë. Deputeti socialist Ben Blushi kërkoi një qëndrim më të prerë dhe më të shpejtë nga ana e qeverisë shqiptare për situatën e krijuar me shtimin e trupave ushtarake të Rusisë në Krime. Gjithashtu, Blushi theksoi se duhet që përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes të vijnë dhe të japin shpjegime lidhur me situatën në Ukrainë. “Shteti shqiptar të ketë një qëndrim serioz në lidhje me situatën e krijuar në Ukrainë. Në raport me situatën, BE ka qëndrim më të zbutur, por duke qenë pjesë e NATO-s, mund të themi edhe ne fjalët tona. Parlamenti mund të ndihmojë qeverinë për të pasur një qëndrim më të pjekur, më realist, më të shpejtë”, – tha Blushi.

Nga ana e saj, kryetarja e Komisionit, Arta Dade, deklaroi se strukturat e shtetit do të kenë nevojë për mendimin e kualifikuar të Komisionit të Jashtëm. Gjithashtu, Dade shprehu gatishmërinë e Komisionit për të dhënë ndihmën e tij për të artikuluar një qëndrim të unifikuar, ndërsa shtoi se ditën e premte do të thirren në Komision përfaqësues të dy ministrive, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, për të dhënë shpjegime për këtë çështje.

 

MPJ

 Lidhur me situatën në Ukrainë ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme. Edhe pse tri ditë më vonesë, sipas MPJ-së, përdorimi i forcës sjell me vete efekte destabilizuese. Në një njoftim për mediat u tha se Ministria e Punëve të Jashtme çmon rëndësinë e patjetërsueshme të integritetit territorial dhe unitetit të Ukrainës. “MPJ beson se respektimi i së drejtës ndërkombëtare, marrëveshjeve të nënshkruara dhe evitimi i përdorimit të forcës, që sjell me vete efekte destabilizuese për Ukrainën dhe sigurinë ndërkombëtare, është kuadri i vetëm që ofron zgjidhje të situatës”, – theksohet nga kjo Ministri.

Ndërkaq, gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit për Politikën e Jashtme, u shqyrtuan projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin e privilegjeve dhe imuniteteve të autoritetit ndërkombëtar të shtratit të detit”, si dhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Policisë Evropiane (EUROPOL) për bashkëpunimin strategjik dhe operacional”.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje bazohet në platformën dhe në vullnetin e përbashkët të palëve për të luftuar format e rënda të krimit të organizuar, siç janë ato që kanë të bëjnë me trafikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike, aktivitetet e paligjshme të pastrimit të parave, trafikimin e qenieve njerëzore, trafikimin e mjeteve motorike, tregtimin e paligjshëm të organeve dhe indeve njerëzore, trafikimin e paligjshëm në vlerat kulturore, duke përfshirë veprat antike dhe veprat e artit, shantazhin dhe shfrytëzimin, falsifikimin e parave dhe të mënyrave të pagesave, krimin kompjuterik apo edhe forma të tjera të krimit.

 

SHBA: Rusia të tërheqë trupat në kazerma

 Presidenti Barack Obama tha dje në Uashington se Rusia po përpiqet që me anë të forcës të ndikojë mbi vendet fqinje dhe jo se është e interesuar për qytetarët rusë në Krime. Presidenti Obama tha se SHBA janë më se të gatshme të punojnë me komunitetin ndërkombëtar dhe me Rusinë për zgjidhjen e problemeve që lidhen me Ukrainën. Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, përcolli të njëjtin mesazh, por me tone më të forta, gjatë vizitës së tij në Kiev të Ukrainës. Kerry i bëri thirrje Rusisë të tërheqë trupat nëpër kazerma dhe t’i japë fund shkallëzimit të situatës në Krime. Duke folur në ambasadën amerikane në Kiev, Kerry tha se Rusia ka zgjedhur rrugën e frikësimit, të mashtrimit dhe të provokimit duke fshehur dorën. Ai hodhi poshtë deklaratat e Rusisë se Parlamenti i Ukrainës është jolegjitim. Duke iu referuar Presidentit të rrëzuar Viktor Yanukovych, Sekretari amerikan i Shtetit tha se ai e braktisi vendin dhe popullin e tij. Kerry mohoi pohimet ruse se Kievi po destabilizon gjendjen në gadishullin ukrainas të Krimesë. Ai tha se ushtarët e Ukrainës në Krime nuk kanë provokuar dhe nuk kanë shkrehur një armë. Zoti Kerry i bëri thirrje Rusisë që të përdorë diplomacinë, dhe jo forcën për zgjidhjen e problemeve. Ai tha se sot ka shumë institucione për zgjidhjen e çështjeve të tilla. Nëse Rusia nuk është e gatshme, ta bëjë këtë, paralajmëroi Sekretari i Shtetit, “ne nuk kemi alternativë tjetër por ta izolojmë Rusinë politikisht, ekonomikisht dhe diplomatikisht”.

 

 

 

Me dyer të mbyllura

Kreu i SHISH-it raporton sot tek Komisioni i Sigurisë Kombëtare

 Komisioni për Sigurinë Kombëtare pritet të mblidhet rreth orës 10:00 të ditës së mërkurë. Në këtë seancë do të raportojë kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi. Seanca pritet të zhvillohet me dyer të mbyllura, ndërkohë që priten debate mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës, lidhur me qëndrimet e fundit të mbajtura nga përfaqësues të qeverisë ndaj punës së këtij institucioni si dhe me publikimet e dala në media për përgjime të efektivëve të policisë dhe emërimet në këtë shërbim.

Në mbledhjen e kaluar të Komisionit të Sigurisë, deputetët e opozitës kërkuan që mbledhja të zhvillohej me dyer të hapura, për një transparencë më të gjerë ndaj publikut, ndërkohë që kryetari i Komisionit, Spartak Braho, vuri theksin tek ruajtja e sekretit shtetëror. Me votat e shumicës u vendos që mbledhja të mbahet me dyer të mbyllura për median.

Sipas axhendës së Komisionit të Sigurisë, thuhet se kreu i SHISH-it do të raportojë para deputetëve për veprimtarinë e Shërbimit Informativ Kombëtar për vitin 2013. “Informacion lidhur me bashkëpunimin e Shërbimit Informativ dhe Ministrisë së Brendshme për çështjet e ngritura në kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike në Komision. Informacion rreth problematikës së ngritur në emisionin e televizionit “Ora News” për shkeljen e ligjit mbi emërimet e drejtorit të SHISH-it. Informacion lidhur me përmbajtjen e shkresës “sekret”, “Kërkesë operative” nr. 1478, datë 2.12.2013, dërguar drejtorëve të SHISH-it në prefektura, ku kërkohet informacion mbi persona të implikuar në veprimtari antiligjore, të emëruar në pozicione drejtuese në Policinë e Shtetit”, – thuhet në axhendën e Komisionit.

 

 

Share it :