Komisioni për Çështjet Ligjore/ PD e PS gjejnë konsensus për Kodin Penal, 5 deri 15 vjet burg për shqiptarët që luftojnë jashtë vendit

Florenc Drizari

 

 

Halimi: Të pranohen sugjerimet nga OPDAT-i dhe Prokuroria e Përgjithshme

 

kom_ligjeve-7.4.2014_(1)_mKomisioni i Ligjeve miratoi dje me konsensus edhe të opozitës projektligjin “Për disa shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar””. Propozimet për ndryshimin e Kodit Penal u bënë nga një grup deputetësh nga mazhoranca, mes tyre edhe deputeti i PDIU-së, Tahir Muhedimi. Në tërësi propozimet parashikojnë të kriminalizojnë rekrutimin, përgatitjen dhe pjesëmarrjen e qytetarëve shqiptarë në aktivitete luftarake jashtë territorit të Shqipërisë.

Në nenin 265/a të projektligjit, për pjesëmarrjen në veprime luftarake në një shtet të huaj, thuhet se kjo pjesëmarrje, “pa qenë shtetas në shtetin e huaj, pa qenë pjesëtar i forcave të armatosura të njërës prej palëve në konflikt ose misioneve ushtarake zyrtare të forcave të armatosura të një shteti që nuk është palë në konflikt ose në një organizatë ushtarake ndërkombëtare, dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet”.

Gjithashtu, po në këtë pikë të projektligjit thuhet se kur kjo vepër penale kryhet me qëllim përmbysjen e rendit kushtetues ose shkeljen e integritetit territorial të një shteti të huaj, dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet. Më pas neni 265/b për organizimin për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj, thuhet se “nxitja, rekrutimi, organizimi, drejtimi, stërvitja, krijimi a përdorimi i fondeve apo mjeteve të tjera për financimin e personave në çdo lloj forme dhe mënyre për të kryer veprën penale të parashikuar nga neni 265/a dënohet me burgim nga 5 deri në 15 vjet”.

Në seancën e djeshme të Komisionit të Ligjeve, edhe pse pati konsensus për thelbin e këtij drafti, deputetët e pozitës dhe të opozitës replikuan ashpër për vendin se ku do të vendoseshin këto ndryshime në Kodin Penal. Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, u shpreh se opozita është pro amendamenteve, ndërsa kërkoi që të pranohen sugjerimet nga OPDAT-i dhe Prokuroria e Përgjithshme. Gjatë diskutimeve, deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, ngriti 4 pyetje mbi hartimin e projektligjit. “Pyetja parë është pse këtë ligje keni sjellë ju dhe jo qeveria? Pyetja e dytë ka të bëjë me vërejtjet që ju kanë ardhur, mos kjo tregon që nuk jeni të aftë dhe gjithnjë merrni vërejtje? Pyetja e tretë ka të bëjë me zërin ku bëhet ndryshime, përse është zgjedhur Kodi Penal dhe jo një dritare tjetër e ligjit? A ka në Shqipëri ligje që luftojnë këto fenomene apo janë të parat?”, – theksoi Halimi.

Ndërkaq, relatorja e këtij projektligji, deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Silva Caka, deklaroi gjatë mbledhjes se projektligji është vlerësuar nga OPDAT-i dhe Prokuroria, ndërsa sqaroi se nisma përmbush të gjithë kriteret. “Ky projektligj në aspektin ligjor është në përputhje me Kushtetutën, konkretisht me nenin 81 të saj. Në aspektin procedural, projektligji ka respektuar të gjitha kërkesat. Ky projektligj votohet me shumicë të cilësuar”, – tha Silva Caka.

Në ditët në vijim, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut do të miratojë dhe në tërësi ndryshimet në Kodin Penal.

 

 

 

Konferenca Gjyqësore Kombëtare

 Ky draft është formuluar duke iu referuar institucioneve ndërkombëtare në fuqi që synojnë të godasin fenomenin e merecarizmit… në relacionin shoqërues tregohen në mënyrës shteruese dhe mjaftueshmërisht të argumentuara dhe arsyet që kanë diktuar nevojën e këtyre ndryshimeve, duke bërë një përshkrim tërësor si dhe duke paraqitur një informacion të bollshëm lidhur me zhvillimet juridike në nivel rajonal apo ndërkombëtar për këtë fenomen. Duke iu referuar legjislacioneve të vendeve të BE-së, konstatohen se ato synojnë të godasin vetëm mercenarizmin. Zgjerimi apo dhe përfshirja e rrethit të subjekteve të cilët marrin pjesë në një konflikt të huaj, pa pasur qëllime përfitimi material, siç parashikohet në këtë projektligj, mendojmë se e tejkalon frymën që përshkruan instrumentet ndërkombëtare si dhe modelet e legjislacioneve të shteteve perëndimore.

 

 

Prokuroria e Përgjithshme

 Organi i Prokurorisë vlerëson se ky projektligj do të plotësojë ligjin material penal në përqasje me standardet e Konventave Ndërkombëtare dhe Kodet Penale të vendeve të BE.

Lidhur me tri nenet e shtuara në projektligj, të vendosura në grup veprat e seksionit III “Vepra penale kundër rendit e sigurisë”, të kreut VIII “Krime kundër autoritetit të shtetit”, mund të shqyrtohet edhe mundësia që ato të jenë pjesë e grup veprave të Kreut VI “Krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera”.

III. Kompetenca lëndore për gjykimin e veprave penale t’i kalojë Gjykatës për Krime të Rënda.

Të rritet masa e dënimit të paragrafit të parë dhe të dytë të nenit 1 të projektligjit.

 

 

OSBE

Jemi të vetëdijshëm që legjislacioni shqiptar nuk ofron, deri më tani, mekanizmat e duhur për të luftuar fenomenin e qytetarëve shqiptar që marrin pjesë në konflikte të huaja të armatosura. Ne e konsiderojmë këtë pjesëmarrje të qytetarëve shqiptarë si të rrezikshme, jo vetëm si një kërcenim i përgjithshëm ndaj paqes dhe sigurisë, por edhe si rrezik që mund të sjellë pasoja negative në marrëdhënien midis Shqipërisë dhe shteteve të tjera. Besojmë se ndryshimi i Kodit Penal është mënyra e duhur për të arritur rezultatin e dëshiruar. Shtesat e reja jo domosdoshmërisht duhet të bëhen në kapitullin VIII, pjesa III E Kodit Penal. Dispozitat e propozuara nuk bëjnë dallimin midis vullnetarëve dhe mercenarëve. Meqë këto janë kategori shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, ne besojmë se duhet të parashikohen shkallë të ndryshme ndëshkimi për secilën. Ndryshimet duhet të parashikojnë edhe një përkufizim të termit “mercenarizë”, në përputhje me dispozitat e Konventës së OKB.

 

 

 

 

Share it :