Komisioni Hetimor/ Zbardhen emrat që do të raportojnë para Sigurisë

Florenc Drizari

 

Gati raportimi i Tahirit, Kuliçajt dhe i të gjithë drejtorëve të policisë në qarqet e vendit

 

kom.hetimor28Pak ditë para se të mbyllë mandatin e punës, Komisioni Hetimor për “Kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi për procesin e lëvizjeve të burimeve njerëzore në Policinë e Shtetit”, pritet të ftojë për raportim kupolën e Policisë së Shtetit, si dhe disa prej funksionarëve të lartë që janë larguar me ndërrimin e pushteteve.

Në mbledhjen e djeshme, pozita dhe opozita ranë dakord për thirrjen e mbi 20 drejtuesve aktualë dhe ish-drejtuesve të policisë, mes tyre edhe ministrin e Brendshëm për të raportuar lidhur me emërimet dhe lëvizjet në forcat e rendit. Opozita nga ana e saj paraqiti një listë të emrave, ndërkohë që mazhoranca kërkoi thirrjen për raportim të ministrit të Brendshëm dhe ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Arben Ristani, kryetari i këtij Komisioni, kërkoi raportimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi, si dhe emrat e tjerë si: Hysni Burgaj, Muhamet Rrumbullaku, Altin Qato, Sokol Bizhga, Perlat Çullhaj, Haki Çako, Neritan Nallbati, Hidajet Fasko, Ilirjan Balla, Artur Mitro, Artion Duka, Ilir Proda, Gëzim Zhuplaj, Aleks Hajdari, Veli Haklaj, Ismail Elezi, Bernard Çullhaj, Edmond Liçaj, Erzen Breçani, Lulzim Melaj, Fatmir Biçaku.

Nga ana e tij, nënkryetari Taulant Balla kërkoi që pjesë e këtij procesi të jetë edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjithashtu ai kërkoi që pjesë e hetimit të jetë edhe ish-nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, zoti Agron Kuliçaj.

Sipas nënkryetarit të këtij Komisioni, Taulant Balla, deri në datën 5 prill Komisioni duhet të mbledhë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, pasi në datën 17 prill 2014 Komisioni mbyll punimet e tij.

Seancat dëgjimore të emrave të lartpërmendur pritet të zhvillohen më datat 7 dhe 8 prillit të këtij viti dhe në këtë listë përfshihen të gjithë drejtuesit e lartë të uniformave blu të larguar nga detyra dhe ata aktualë.

Në mbledhjen e djeshme deputetët dhe ekspertët shqyrtuan dokumentacionin e ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, evidentimin e mangësive në dokumentacion dhe prezantimin e nevojave për plotësime apo dokumentacion shtesë.

Në fillim të mbledhjes, eksperti i PD-së, Gazmend Bardhi, informoi komisionin se specialistët kanë marrë në dorëzim 403 dosje të personave të liruar nga detyra, 122 dosje të personave të emëruar, 254 dosje të punonjësve të policisë të ripranuar në polici, 124 dosje për ulje në gradë dhe një mije dosje të personave të transferuar.

Gjatë mbledhjes Bardhi tha se ka mangësi në dosjet e largimeve dhe të emërimeve që janë bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. “Për personat e liruar nga detyra mungojnë relacionet e Drejtorisë së Personelit, aktet e njoftimit në rastet e lirimit, mungojnë vlerësimet e punës, sipas ecurisë në karrierë nga dita e nisjes së punës deri në lirim. Për personat e liruar me motivacionin shkurtim i funksionit organik nga policia, kemi marrë 33 dosje dhe këto kanë mangësi. Mungojnë edhe dëshmia e personelit. Për masa disiplinore, në 30 raste mungojnë akte, dokumenti i vërtetimit të personalitetit. Për personat e transferuar mungon akti i njoftimit, arsyet dhe shkaqet se ku bazohet transferimi nga njëra detyrë në një tjetër ”, – u shpreh eksperti i PD-së.

 

 

Emrat që pritet të raportojnë

Saimir Tahiri
Agron Kuliçaj
Artan Didi
Hysni Burgaj
Muhamet Rrumbullaku
Altin Qato
Sokol Bizhga
Perlat Çullhaj
Haki Çako
Neritan Nallbati
Hidajet Fasko
Ilirjan Balla
Artur Mitro
Artion Duka
Ilir Proda
Gëzim Zhuplaj
Aleks Hajdari
Veli Haklaj
Ismail Elezi
Bernard Çullhaj
Edmond Liçaj
Erzen Breçani
Lulzim Melaj
Fatmir Biçaku

 

 

Marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin? Opozita “bojkoton” Ligjet

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi nen për nen projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8328, datë 16.4.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve” të ndryshuar” si dhe të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10032, datë 11.12.2008 “Për policinë e burgjeve”. Në këtë mbledhje deputetët e opozitës nuk morën pjesë, ndërkohë që një mbledhje më parë në këtë komision, anëtarët e djathtë replikuan ashpër për ndryshimin e kalendarit të punimeve. Mungesa e tyre në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve vjen edhe në kuadër të marrëdhënieve të kushtëzuara që opozita ka deklaruar se do të mbajë me Kuvendin e Shqipërisë, për shkak të situatës së tensionuar politike me mazhorancës lidhur me një sërë çështjes si mungesa e konsensusit për reformën administrativo-territoriale, shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP-së etj.

Ndërkaq, lidhur me draftet ligjore që u shqyrtuan dje në këtë komision, qëllimi kryesor i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8328, datë 16.4.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve”, të ndryshuar”, sipas mazhorancës është përmirësimi i kushteve për trajtimin e personave të dënuar me burgim dhe të të paraburgosurve për të garantuar respektimin e të drejtave e të lirive të tyre themelore, në përputhje me aktet e Bashkimit Evropian, aktet ndërkombëtare në fuqi, si dhe standardet e pranuara ndërkombëtarisht.

Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, deklaroi se ky projektligj do të miratohet dhe në tërësi pasi të miratohen dhe dy dispozitat e propozuara nga Ministria e Drejtësisë.

Në lidhje me projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10032, datë 11.12.2008 “Për policinë e burgjeve”, relatori Pirro Lutaj, propozoi ndryshimin e emërtimit nga “Për Policinë e Burgjeve”, në “Për Shërbimin e Sigurisë në Burgje”. Më herët ministrja e Drejtësisë e ka kundërshtuar propozimin e deputetit Lutaj, duke thënë se varianti i emrit “Policia e Burgjeve” është më i përshtatshëm.

 

Share it :