Re.Ku
Thesare të kulturës kombëtare që nga 1800, për herë të parë në ekspozitën e koleksionistëve
Koleksione të trashëgimisë prej 1800-ës prej ditës së djeshme ndodhen të ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar. Quhet ngjarje për shkak se përveç “trashëgimisë” që kanë privatët shënohet me to dhe festa në ditën ndërkombëtare të muzeve. Në qendër të kryeqytetit nuk ka shumë të tillë për ta festuar, aq sa mund të thuhet dhe “vitrinat” që fshehin institucionet publike. I vetmi për t’u vizituar, që hap dyert, është Muzeu, që së shumti mbetet çështje e shoë-it politik se sa një ndjeshmëri e madhe nga shteti se si ruhen, mbahen dhe shitet kjo pasuri. Megjithatë koleksionistët shqiptarë, jo shumë në numër, janë paraqitur me “thesaret” e tyre, që u kanë kushtuar jetën deri në mani, dhe jo pak herë flitet dhe për zhytje në borxhe a kredi për të “gjuajtur” një xhubletë fjala vjen!
Për realizimin e kësaj ekspozite Muzeu Historik Kombëtar bashkëpunoi me një grup koleksionistësh, si “Trojet” me përfaqësuese Linda Spahiu, Qendrën Antropologjike “Xhubleta”, me përfaqësuese Luljeta Dano, koleksionistin Lulzim Perati, me “Traditën Popullore”, me përfaqësuese Edlira Sulaj, me Qendrën Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptare, me përfaqësues Shpëtim Sala, me Koleksionin “Kartë Maximum, Kostume Popullore”, me përfaqësues Nikolla Xharo, me koleksionin filatelik të Jovan Basho etj.
Ky ishte një rast, ndoshta si ato të mëparshmet, që t’ju kujtohej koleksionistëve për të bashkëpunuar me Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore për regjistrimin e koleksioneve të tyre. Nga Muzeu bëhet e ditur se në këtë ekspozitë shumica e objekteve prezantohen për herë të parë.
Linda Spahiu për herë të parë ekspozoi “Torbën e Komanit”, që daton fillimin shek. XIX dhe përdorej për dërgimin me kalë të dhuratave në shtëpinë e nuses.
Po kjo koleksioniste ekspozoi objekte të nuses për dhomën ceremoniale të dasmës, të sjella nga periudha të ndryshme, si v.1910, vitet ‘30, vitet ‘40, vitet ‘50. Me fokus etnosin Spahiu prezantoi edhe Arkën e nuses me të linjta pambuku, mëndafshi, të zonave qytetare dhe periferike, për vehten dhe dhëndërin. Në një vitrinë më vehte ekspozoi, xhokën e Kashnjetit, dhuruar nga stërnipi i gjyshe Gjelës. Një kënd më vehte ishte Etnografia në instalacion nga Tirana, Luma si dhe vepra “Kohë Ballkanike”.
Luljeta Dano u paraqit me disa variante të Xhubletës, ku do të veçonim Xhubletën e Bardhë të zonës së Kastratit, që vishej vetëm nga vajzat që nuk martoheshin. Dy xhubletat e tjera janë pjesë e pajës së nuses. Lulzim Perati, veç koleksionit me Stoli të grave shqiptare të krahinave të ndryshme, për herë të parë paraqiti një koleksion prej 70 furkash, me një shtrirje gjeografike mbarëshqiptare, ku ishin gdhendur simbole të ndryshme që të çojnë në thellësi të shekujve, deri në paganizëm. Koleksionisti Shpëtim Sala u prezantua me një koleksion të veçantë të shkollës shqipe, në vitet 1887 – 1944 , ku zenë vend dëftesa shkollore, tekste e programe mësimore, fletore shënimesh të përdorura nga nxënësit, mjete mësimore, vula dhe shumë fotografi të rralla. Nikolla Xharo paraqiti një seri kartolinash e pullash të emetuara në vite të ndryshme, kryesisht me kostume popullore. Dr. Jovan Basho prezantoi një koleksion të rrallë zarfash, që vinin me letra sidomos nga SHBA, në të cilët ishte stampuar flamuri shqiptar.
Koleksonistja Edlira Sulaj, ekspozoi disa jelekë dhe këmishë, të vjetra të nuseve, nga krahina të ndryshme të vendit. Por për të gjithë këta koleksionistë, mbajtja e rrjetit që numëron rreth 200 në të gjithë Shqipërinë, mbajtja e “biznesit” të tyre kulturor kërkon mbështetje nga shteti referuar konkretisht pagesës së taksës dhe tatimit. Fjala e tyre e parë lidhet me mungesën e mjedisve për të mos folur për kushtet që detyrohen t’i mbajnë. Shumë prej tyre i mbajnë koleksionet në shtëpi. Ata tregojnë se puna e tyre është e gjitha sakrificë në blerjen, restaurimin pa pasur asnjë ndihmë qoftë dhe mundësi ekspozimi, muze.
Prandaj ky rast nuk është aq festë për to, as shenjë e ditës së muzeve, pasi “sënduqet” e politikës nuk mjaftojnë aq sa për të çliruar këta koleksionistë me hapjen e muzeve private. Kur dëgjon këtë sigurisht që kuja më e madhe vlen për frikën e koleksionistëve, në gjithë rrethanën për të mos mposhtur pasionin, deri në gjeste sublime siç është mbijetesa e thesareve kësaj trashëgimie kulturore jashtë “kufinjve” të shtetit!
Koleksionistët: Veshja me xhubletë vetëm në Shqipëri, t’i propozohet UNESCO-s
Përveç rastit si ditë ndërkombëtare e muzeve, dje, koleksionistët kanë artikuluar propozimin për t’u konsideruar si Vlerë Kulturore Botërore Veshja me Xhubletë, që e ruajtur dhe praktikuar vetën nga shqiptarët. Kjo veshje thuhet se ka rreth 70 vjet që nuk prodhohet më, duke kujtuar se janë përdorur në atë që quhej xhubleta e pajave të vajzave. Gruaja malësore merrte 5-7 xhubleta në pajë. Shkaku i mos prodhimit të tyre tyre në ditët e sotme lidhet me ndërtimin e xhubletës, vështirësia e saj duke u quajtur mjaft e sofistikuar në stil. Gruaja malësore që endte një xhubletë duhej të thurte kokërr për kokërr sythi dhe ta montonte në një mënyrë të tillë që të merrte formën e duhur të këmbanës dhe të qëndronte në këmbë.




