Koleksioni i një diplomati

Ekspozita e Rauf FicosDje, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore familja Fico vendosi t’i dhuronte Muzeut Historik Kombëtar një koleksion të veçantë me objektet personale të Rauf Ficos, një prej personaliteteve më të shquar të shtetit dhe kombit shqiptar.

Koleksioni i dhuruar nga familja e Bradhyl Ficos përfshin objekte të tilla, si: diplomën e shkollës së lartë “Mylqiye” të Stambollit të Rauf Ficos, 16 dekorata dhe medalje si dhe 7 copë certifikata shoqëruese të dekoratave që i janë akorduar atij ndër vite, nga shtete dhe qytete të ndryshme, 11 axhenda të mbajtura herë pas here prej tij nga viti 1912 deri në vitin 1942, 9 ditarë të mbajtur në periudha të ndryshme kohore pas shpalljes së pavarësisë, 3 blloqe me kujtime personale të viteve 1914-1915 dhe 1919-1920, dorëshkrim origjinal i Statutit të Shqipërisë punuar gjatë vitit 1913, një kajmekam i vitit 1916, libër me dokumente dhe traktate, album me fotografi, katër copë harta në gjuhë të ndryshme, vërtetimi si deputet i parlamentit shqiptar, një telegram dhe artikull gazete dhe shënime për rendin e ditës së punimeve të Kongresit të Durrësit të vitit 1918.

Rauf Fico lindi në Sana të Jemenit, më 13 mars të vitit 1881, në një familje me origjinë nga Gjirokastra. Ai kreu arsimin fillor në mejtepin e Shkodrës dhe më pas vazhdoi shkollën Volksschule të Vjenës, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Stamboll. Në kryeqytetin osman, Rauf Fico kreu studimet e larta për shkenca politike e administrim në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore në Stamboll, që në atë kohë njihej me emrin “Mülkiye-i-Sehahané”. Ai përfundoi studimet e larta me rezultate të shkëlqyera dhe hyri në librin e artë të asaj shkolle.

Gjatë qëndrimit në Stamboll, ra në kontakt me idetë e mjaft rilindasve dhe veçanërisht me ato të Naim Frashërit. Në tetor të vitit 1903, Rauf Fico u emërua nëpunës pranë valiut të Janinës. Në prill të vitit 1906, u emërua kajmekam në Konicë. Më pas, ai ushtroi detyra të rëndësishme në administratën osmane ku u shqua për aftësi dhe ndershmëri. Ndërkohë, Rauf Fico mbajti lidhje të ngushta me atdhetarë shqiptarë si Bajo Topulli, Memduh Zavalani, Qamil Panaritin, Sali Butka e të tjerë, të cilët së bashku punonin në dobi të interesave të atdheut. Në nëntor të vitit 1908, Rauf Fico ishte një nga përfaqësuesit e Gjirokastrës në Kongresin e Manastirit.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ai braktisi detyrën në administratën osmane dhe së bashku me atdhetarë të tjerë shkoi në Vlorë. Në Qeverinë e Përkohshme të drejtuar nga Ismail Qemali, u ngarkua me detyrën e këshilltarit të ministrit të Brendshëm, Myfit bej Libohovës. Ndërsa, në nëntor të vitit 1913 e deri në fund të janarit të vitit 1914, shërbeu si prefekt i Beratit. Në administratën e Princ Vidit, ai u ngarkua me detyrën e shefit të kabinetit të kryeministrit Turhan Pashë Përmetit. Me pushtimin ushtarak austro-hungarez, në shkurt të vitit 1916, Rauf Fico u emërua nënprefekt i Tiranës dhe shërbeu në këtë detyrë deri në Kongresin e Lushnjës. Gjatë kësaj periudhe, ai ndihmoi për hapjen e Strehës Vorfnore në Tiranë si dhe u përpoq që gjuha shqipe të përdorej në komunikimin zyrtar shkresor dhe verbal të nëpunësve të administratës vendore.

Rauf Fico hartoi dokumentet për organizimin e Kongresit të Durrësit të dhjetorit 1918. Pas Kongresit të Lushnjës të vitit 1920, Rauf Fico u emërua shef i seksionit të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme në qeverinë e Sulejman Delvinës. Nga dhjetori i vitit 1923 e deri në janar të vitit 1926, ai u zgjodh deputet i Durrësit në Asamblenë Kushtetuese.

Në shkurt të vitit 1926, Rauf Fico hyri në shërbimin diplomatik shqiptar, pas dekretimit të tij si ministër fuqiplotë i Shqipërisë për Turqinë dhe Bullgarinë, me rezidencë në Ankara. Në vitet 1928-1929, ai u ngarkua me detyrën e ministrit fuqiplotë në Beograd. Më 14 janar 1929, Rauf Fico u dekretua ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe shërbeu në këtë detyrë deri më 6 mars 1930 kur ai dha dorëheqjen. Gazeta hungareze “Pester Lloyd” në datën 18 mars të atij viti shkruante: “Rauf Fico, njeriu më i kulturuar i atij vendi, kur duhej të krijohej administrata e shtetit shqiptar, grumbulloi rreth tij njerëzit më të aftë që organizuan Shqipërinë e sotme. Ai është një nga diplomatët më të zotë”. Dorëheqja e tij nuk u pranua nga mbreti Zog, përkundrazi ai e ngarkoi atë me dy funksione: atë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe të ministrit të Brendshëm, deri më 20 prill të vitit 1931.

Rauf Fico ishte një poliglot, simpatizant i kulturës evropiane dhe i arsimit anglosakson. Ai zotëronte shumë mirë turqishten e osmanishten, frëngjishten dhe gjermanishten, persishten dhe arabishten, greqishten dhe italishten. Nga viti 1936 deri në korrik të 1938, ishte ministër fuqiplotë në Athinë. Ai u përpoq të ndikonte tek qeveria greke, që ajo të merrte masa për arsimimin e shqiptarëve çamë në Greqi duke ndjekur të njëjtën politikë që ndiqte qeveria shqiptare për arsimimin e minoritetit grek në Shqipëri.

Ai u ngarkua me detyrën e ministrit të Shqipërisë në Berlin, ku qëndroi deri kur u suprimuan përfaqësitë diplomatike shqiptare prej fashizmit, në qershor të vitit 1939. Rauf Fico kundërshtoi pushtimin italian të Shqipërisë. Pas këtij akti, ai u internua në Itali. Pas shtatorit 1943, Rauf Ficos iu ofrua detyra e regjentit në Këshillin e Naltë, të cilën ai e refuzoi. Më 23 janar 1944, Rauf Fico vdiq në Tiranë duke i lënë familjes së tij dhe kombit tonë këtë përvojë dhe trashëgimi të pasur.

Bashkëkohësit e tij e kanë vlerësuar dhe shprehur konsideratën e tyre për kontributin atdhetar të patriotit Rauf Fico. Më 1913, kur delegacioni shqiptar shkoi në Vjenë dhe Itali, Rauf Fico i ra në gjunjë ministrit të Jashtëm italian Scalea dhe i tha: “Shkëlqesi na ndihmoni të marrim tokën tonë Çamëri! … gjë e cila bëri përshtypje të madhe”.

(Eqrem bej Vlora, “Kujtime (1885-1925)”, (përkthyer nga Afrim Koçi), Shtëpia e Librit & Komunikimit, Tiranë, 2003, f. 325-326).

Faik Konica është shprehur se “z. Rauf Fico, ishte ministri më i mirë i Punëve të Jashtme që ka pasur Shqipëria, njeriu që përmbushi idealin anglo-sakson. Mund të jap shumë prova por kënaqem vetëm me një. Zoti Fico është i vetmi që ka kuptuar se kryedetyra e një përfaqsuesi diplomatik është të ndritë mendjen e botshme në vendin e dërguar, duke mbajtur marrëdhënie të ngushta me qarqet e shkrimtarëve, gazetave e shoqërisë. Para tij, përfaqsuesit diplomatik ngarkoheshin me punë të cilat u përkisnin konsujve. Z. Rauf Fico gjeti përqyes e çmonjës nder shum të huej, të paanshëm, që kanë vizituar shqipërinë, por veçanërisht ndër amerikanët”. (Gazeta “Dielli”, Boston Mass., 14 nëndor 1930)

Përgatiti: Re. Ku.

Share it :