Sonila Mesareja
Gjykatë, Triana nuk ka kërkuar të përfitojë nga statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë. Ambasada Spanjolle kërkon ruajtjen e anonimatit dhe mbrojtjen e tij nga rrjeti i drogës
Kolumbiano-spanjolli Cezar Triana, i cili kishte ardhur për të takuar personat që prisnin sasinë e kokainës së kapur në Mal të Zi, doli dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me akuzën dhe masën e arrestit. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, me kërkesë të diplomatëve spanjollë të pranishëm në gjykatë, ndërsa zgjati për më shumë se 1 orë e 30 minuta. Përfaqësues të Ambasadës Spanjolle kërkuan nhga gjykata ruajtjen e anonimatit të 36-vjeçarit për ta ruajtur nga drejtuesit e rrjetit të kokainës, duke kërkuar zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura. Nga burime pranë gjykatës mësohet se Triana i qëndroi pohimeve të dhëna në polici se ishte në pritje të parave të drogës. Ndërkohë që mësohet se gjatë seancës, kolumbiani me pasaportë spanjolle nuk kërkoi të përfitonte nga statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë. Ndërsa mbrojtësit e tij ligjorë e cilësuan arrestimin klientit të tyre si të paligjshëm pasi akuza nuk ka prova por vetëm deklarimet e 36-vjecarit.
Seanca
Shtetasi kolumbian Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana, me pasaportë spanjolle, në mbikqyrje dhe të një përfaqësie diplomatike, është paraqitur dje para togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda, nga ku ka marrë masën “arrest me burg”. Pas kërkesës së Ambasadës Spanjolle, seanca u zhvillua me dyer të mbyllura për efekt të ruajtjes së anonimatit dhe për të mbrojtur kolumbianin nga kërcënimet e mundshme të personave që fshihen pas trafikut të 250 kilogramë kokainë, që u bllokua në Malin e Zi. Avokatët mbrojtës kanë kërkuar shpalljen si të paligjshme të arrestimit, pasi sipas tyre 36-vjeçari kolumbian, nuk e implikon asnjë fakt në trafikun e drogës, përveç dëshmisë që sipas tyre është marrë nën presion. Por pavarësisht kësaj kërkesë, gjykatësja Liljana Baku, ka vendosur ta mbajë në burg . Emri i Cesar Triana, është i lidhur me trafikun e 250 kilogram kokainë të pastër e sekuestruar në portin e Tivarit në Mal të Zi.
Hetimi
Nga hetimet e kryera dyshohet se kolumbiani ishte ndërmjetës në shitjen e kokainës së kapur dhe për këtë rol ai do të paguhej me 200 mijë euro. Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana ka deklaruar se ka ardhur në Shqipëri për të marrë një sasi parash për një ngarkesë droge që do vinte në një kontenier me fund të dyfishtë. Triana ka sqaruar se ky rrjet droge fillon në Kolumbi, për të përfunduar në tregjet e Europës Perëndimore, kryesisht Spanjë. Ai ka treguar për grupin hetimor se është kontaktuar në kryeqytetin kolumbian nga dy persona, duke thënë se me njërin nga këta kishte punuar dhe herë të tjera për transportin e shumave të mëdha të parave. Këta persona, shprehet Triana në dëshmi, i kanë thënë se duhet të shkonte në Shqipëri ku do të merrte këstin e parë të parave, shumë e cila mund të shkonte deri në 1 milion euro, ndërsa kolumbiani vetë do të përfitonte 200 mijë euro për këtë. Mësohet se kolumbiano-spanjolli ka qëndruar në Shqipëri 23 ditë, duke mbërritur në tokën shqiptare në datë 19 maj dhe ka tentuar të largohet në 9 qershor, ditë kur është arrestuar nga policia. Ai ka qëndruar në Tiranë, në tre hotele të ndryshme dhe nga hoteli ai do të telefononte një numër telefoni, i cili i ishte dhënë në Bogota. Triana ka dhënë detaje edhe për atë çka do të kryente kur të merreshin paratë. Sipas tij pas marrjes së shpërblimit ai do të kontaktonte me një shtetas spanjoll, i cili kishte lidhje me drejtues të lartë bankash në Shqipëri. Do të ishin pikërisht bankat ato që do të kalonin më pas paratë tek spanjollët.
Masa
Droga Kosovë-Shqipëri, lihen në burg vëllezërit Çela dhe Hysolli
Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë dje në burg dy vëllezërit Gëzim dhe Kujtim Çela, si dhe bashkëpunëtorin e tyre, korrierin e drogës Reald Hysolli. Të pranishëm në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, njëri pas tjetrit janë paraqitur vetëm Kujtim Çela dhe Reald Hysolli, ndërkohë që për Gëzim Çelën masa u caktua në mungesë. Dy vëllezërit Çela janë etiketuar nga organi i akuzës si drejtuesit të grupit të trafikut të drogës Shqipëri – Kosovë. Para togave të zeza, Hysolli u shpreh se drogën që i kapën në Morinë e kishte blerë për ta shitur dhe për të nxjerrë fitime. “Drogën e bleva që ta shisja dhe të nxirrja fitime” ka deklaruar i riu i arrestuar, ndërkohë që kjo deklaratë është kundërshtuar nga përfaqësuesi i akuzës, i cili ka paraqitur edhe provat që disponohen se ata kanë funksionuar si grup. Gjykata e la në burg Hysollin dhe po të njëjtën masë caktoi edhe për Kujtim Çelën, vëllanë e të akuzuarit si baron droge, Gëzim Çelës, në vilën e të cilëve u zbulua një laborator i vërtetë i përpunimit të drogës. 44-vjeçari Kujtim Çela u arrestua gjatë operacionit të forcave speciale në vilën e tij në Fushë Kuqe të Laçit ku u sekuestruan 22 kilogramë heroinë, si dhe një sasi e madhe armësh e municionesh. Nga hetimet rezulton se droga vinte nga Turqia dhe pas përpunimit në laboratorin e Prishtinës dorëzohej në vilën e vëllezërve Çela në Fushë Kuqe dhe më pas tregtohej jashtë vendit.




