Gëzim Saliu
Kryeministri, sipërmarrësve: S’falim asnjë agjent tatimor e punonjës dogane. Shkarkim nga puna dhe ndëshkim penal për të gjithë ata që bëjnë korrupsion
Njësim të Kodit Doganor të Shqipërisë me atë të Bashkimit Evropian dhe ngritjen e një sporteli unik me shërbime pa letra për sipërmarrësit. Këto janë dy elementët kryesorë që sipas Kryeministrit Rama do të sjellin transformimin rrënjësor të sistemit doganor dhe një fazë të re në marrëdhëniet mes shtetit dhe biznesit. I pranishëm në aktivitetin ku u prezantua Kodi i ri i doganave, kreu i qeverisë deklaroi dje se ndryshimi i kodit do të sjellë me vete edhe një sërë masash e politikash të reja. “Këtu jemi sot, pikërisht për të hapur këtë epokë të re, me një Kod të ri Doganor, që s’është as më shumë e as më pak, po njësimi i Kodit të ri Doganor të Bashkimit Evropian me Kodin Doganor të Shqipërisë. Bëhet fjalë për një transformim rrënjësor që kërkon një seri masash e politikash të reja, për të bërë të mundur që më 1 janar të vitit të ardhshëm, marrëdhënia mes eksportuesve dhe importuesve shqiptarë apo të huaj dhe doganave të Shqipërisë të ndërtohet mbi këtë Kod”, – tha Rama.
Doganierët
Në fjalën e tij para sipërmarrësve, Kryeministri Rama bëri të ditur se sfida për doganat nuk është vullneti për Kodin e ri, porse, sipas tij, sjellja e doganierëve shqiptarë me të njëjtin stad si kolegët e tyre në Britani, Francë e Gjermani. Për këtë, theksoi ai, është i domosdoshëm një proces intensiv trajnimi dhe shkollimi brenda doganës ashtu edhe sikur brendapërbrenda tatimeve. “E për këtë arsye, ne kemi ndërtuar një projekt dhe në muajt prill-maj-qershor, e gjithë trupa e doganierëve, e gjitha trupa e tatimorëve, e gjithë trupa e inspektorëve të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit dhe çdo trupë tjetër që lidhet direkt apo indirekt me eksportin dhe importin, por edhe me sipërmarrjen dhe veprimtarinë sipërmarrëse në Shqipëri, do të shkojë në shkollë nate. Do të punojnë ditën dhe pasdite do të shkojnë në shkollë. Do të shkollohen në mënyrë të përjavshme, duke filluar nga Kodi Etik dhe mirësjellja, deri tek procedurat dhe njohja e legjislacionit dhe në fund të këtij procesi shkollimi do të japin provim. Do të japin provim për të provuar se i kanë mësuar gjërat”, – pohoi Rama.
Sipërmarrësit
Për kreun e qeverisë një ndër objektivat kryesorë për doganat mbetet futja e sportelit unik, i cili do të sjellë, sipas tij, një mënyrë moderne e të teknologjisë së fundit të shërbimit në këtë sistem. “Por për të bërë të gjithë shërbimet e 15 agjencive të ndryshme shtetërore, që lidhen me eksportin e me importin dhe që duhet të japin vulën e tyre, duhet të japin viston e tyre, që duhet të japin dritën e tyre jeshile, të bëhen në kohë reale, në të njëjtin vend dhe pa letra. Momentin që një mall niset nga diku, ai menjëherë regjistrohet dhe menjëherë del në dritaren e doganës. Pastaj menjëherë iu shpërndahet të gjithëve dhe menjëherë të gjithë hyjnë në kontakt, marrin dijeni dhe japin reagimin e tyre”, – pohoi Rama. Nga ana tjetër, pasi kërkoi nga sipërmarrësit që të bëjnë të ditur tek autoritetet përkatëse personat që do të kërkojnë të abuzojnë me ta në formë korruptive, Kryeministri Rama siguroi se asnjë agjent tatimor apo punonjës dogane nuk do të falet. “Ne nuk do të falim askënd që ju do ta shpallni person “non grata” për derën e fabrikës tuaj apo për derën e kompanisë tuaj. Mjafton që ju të na e bëni me dije. Dhe është shumë e rëndësishme që të na e bëni me dije, që ta mësojnë njëherë e përgjithmonë të gjithë ata që kanë të bëjnë me sipërmarrjen dhe që trokasin në derën e çdo sipërmarrësi, se mund t’u shkojë emri deri “lart” dhe nga “lart” mund t’u vijë pastaj “rrufeja” e largimit nga puna, madje edhe e degdisjes deri përpara organeve të drejtësisë”.
Kodi i ri, Spiropali: Kursejmë kohë e para
Drejtorja e Doganave, Elisa Spiropali, prezantoi dje në Durrës Kodin Doganor, risitë e të cilit do të sjellin ndikim pozitiv, sipas saj, në marrëdhëniet e doganës me bizneset si dhe nxisin tregtinë e ndershme. Spiropali nënvizoi se me këtë Kod të ri, vendi do të mbrohet nga tregtia e paligjshme, ndërsa bizneset do të kursejnë kohë dhe para. “Ky Kod përmirëson rregullat dhe proceset doganore, thjeshtësohen procedurat doganore duke lehtësuar marrëdhëniet biznes-doganë. Për herë të parë përcaktohen objektivat e doganave në një linjë me të gjitha administratat e vendeve evropiane”. Më tej, drejtorja e Doganave tha se në këtë Kod janë përfshirë operatorët ekonomikë të autorizuar. “Një biznes që regjistrohet si operator ekonomik i autorizuar pastaj ka një sërë lehtësirash, siç është lëvizja e mallrave në kohën që janë në magazinim të përkohshëm”.
Vizita
Rama sot në Pejë, takim me biznesmenë kosovarë
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një vizitë në Pejë, Kosovë, në kuadër të ftesës nga biznesmenë kosovarë. Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe Elkos Group njoftoi dje se takimi me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, do të mbahet të shtunën, më 22 mars, në orën 15:30-18:00, në Pejë. Sipas njoftimit, vizita do të fillojë në ora 15:30 në Zahaç, Elkos Group, Devolli Group dhe në orën 17:00 në hotelin “Dukagjin”, do të mbahet takimi me përfaqësuesit e bizneseve me temë “Rritja e bashkëpunimit në mes bizneseve Kosovë-Shqipëri”.
Kroaci
Bushati me homologen Pusić: Projekte energjetike dhe infrastrukturore
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, kërkon thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kroacisë lidhur me projektet energjetike (gazsjellësi TAP, IAP dhe degëzimet e tyre) dhe infrastrukturore (korridori adriatiko-jonian). Në një takim me zëvendëskryeministren e Parë dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, Vesna Pusić, dhe Kryetarin e Parlamentit, Josip Leko, në kuadër të një vizite zyrtare që po zhvillon në Kroaci, Bushati theksoi hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare në realizimin e një sërë reformash në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si pjesë e agjendës integruese të vendit në Bashkimin Evropian. “Shqipëria e sheh Kroacinë si një vend model dhe me rol vendimtar për te mobilizuar vullnetin politik evropian rreth proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor”, – deklaroi ministri. Më pas të dy ministrat diskutuan për situatën në rajon dhe bashkëpunimin ndërrajonal, si dhe vlerësuan rolin e Shqipërisë si faktor paqeje dhe stabiliteti. Ata vlerësuan hapat e hedhur nga Kosova në drejtim të konsolidimit të shtetit ligjor dhe proceseve integruese dhe shprehën besimin se dialogu i nisur mes dy vendeve në Bruksel me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton rrit e forcon paqen dhe sigurinë në të gjithë rajonin.




