Kërcënoi me vdekje spikeren e radios pranga Olger Zylfit

Elton Qyno

54-vjeçari, dashuri imagjinare me spikeren e “Top Albania Radios”

Prej pesë muaj, Zylfi ishte në kërkim. Gjykata e dënoi me 2 vite burg

 

Denada Dajlani

Një 54-vjeçar nga qyteti i Elbasanit është arrestuar, pasi ka përndjekur dhe më pas ka kërcënuar me vdekje spikeren e “Top Alabania Radio”, Denada Dajlani. Pas disa muajsh në kërkim Olger Zylfi është vënë në pranga, në qytetin e Tiranës. Gjatë arrestimit ai nuk ka bërë asnjë rezistencë ndaj uniformave blu. Sipas burimeve të komisariatit nr. 1, Olger Zylfi gjatë kohës së qëndrimit në kërkim, ka bërë jetë endacaku pasi ishte divorcuar dhe me gruan, në qytetin e Elbasanit. Uniformat blu treguar se me spikeren e radios Denada Dajlani, i arrestuari është lidhur nëpërmjet numrit të publikuar gjatë një emisioni. Pas kësaj ai ka vijuar ta marrë në telefon duke i dërguar dhe herë pas herë mesazhe dashurie, por në disa raste dhe kërcënuese, deri dhe në vrasje të saj. E gjendur në këtë situatë, spikerja radiofonike ka vendosur të denoncojë rastin në polici, ku fillimisht është shoqëruar Olger Zylfi, i cili ka pranuar se nuk do ta sheqeronte më Dajlanit. Mirëpo ky premtim i dhënë në polici nuk është mbajtur nga ana e Zylfit, pasi ky i fundit ka vijuar ta përndjekë dhe t’i dërgojë dhurata pa dëshirën e Dajlanit, në ambientet e punës së saj. Sërish kjo e fundit e ka denoncuar në polici dhe më pas çështja ndaj Zylfit ka përfunduar në gjykatë, duke u dënuar në muajin mars me 2 vite burg. Që prej marsit, ai ka qenë person i shpallur në kërkim.

Sms kërcënuese

“Kam armë me silenciator dhe do të vras”. Ky është vetëm njëri nga shumë mesazhet që shtetasi nga Elbasani Olger Zylfi, ia ka dërguar spikeres Denada Dajlani, nëse kjo e fundit nuk pranonte që të bëhej e dashura e tij. Hetimet e kryera nga ana e Prokurorisë së Tiranës tregojnë se Olger Zylfi, 54 vjeç, është nga Elbasani, dhe se për një kohë të gjatë i ka dërguar dhjetëra sms spikeres Dajlani, e cila drejton një emision radioje. Gjithçka ka lindur vitin e kaluar kur gjatë drejtimit të emisionit, spikerja Denada Dajlani, ka publikuar numrin e emisionit dhe pas kësaj, pikërisht në këtë numër, kanë mbërritur dhjetëra sms dhe telefonata nga shtetasi Olger Zylfi. Ky i fundit, nuk është ndalur më, duke vijuar ritmin e telefonatave dhe sms, në mënyrë të vazhdueshme, duke u kthyer në një përndjekës të vërtetë të spikeres Denada Zylfi. Duke qenë se ajo nuk i përgjigjej në telefon, Zylfi ka zgjedhur një tjetër taktikë, duke shkuar poshtë ambienteve të punës së saj dhe në disa raste i ka dërguar dhe dhurata gjatë orarit, ku Denada Dajlani hynte në punë. Nisur nga kjo situatë, spikerja e ka denoncuar në polici, mirëpo pas shoqërimit të tij në ambientet e policisë, janë përkeqësuar akoma dhe më tepër ngjarjet. Pëndjekësi Zylfi ka vazhduar me mesazhe duke e kërcënuar me vrasje spikeren e njohur dhe për shkak të frikës, Dajlani i është drejtuar me një kallëzim sërish policisë, e cila më pas ka referuar ngjarjen në prokurori.

Dëshmia e spikeres

“…Unë kam rreth një vit që kam komunikim telefonik me Olgerin. Ne kemi dy numra kontakti në radio. Kontakti i parë me Olgerin ka qenë në numrin fiks të radios. Ai merrte në telefon aty dhe unë ia bëra të qartë që të mos merrte më në telefon, pasi më shqetësonte. Ai filloi të dërgonte mesazhe në numrat e celularit të emisionit tim. Mesazhet ishin të ndryshme dashamirësie, erotike dhe kërcënimi. Kur këto mesazhe u bënë kërcënuese atëherë, unë u bëra merak dhe po shqetësohesha. Olgeri përveçse më dërgonte mesazhe filloi dhe të vinte në punën ku unë punoja. Unë e denoncova, atë e thirrën në komisariat dhe pastaj situata u qetësua disi deri një javë, por më pas filloi përsëri, të më dërgonte letra, filloi të vinte në punën time, dhe më kërkonte. Unë nuk e di se çfarë të pres nga ky person, unë e kam të pamundur të bëj emision pasi me vijnë mesazhe të ndryshme dhe nuk e di se çfarë të pres prej tij nga kërcënimi, që ai më bën. Mesazhet që ai më bën janë të ndryshme, më thotë që kam armë me silenciator dhe do të vras, me prezanton tek persona të ndryshëm si të dashurën e tij. Letrat e tij janë të frikshme dhe kanë karaktere të ndryshme. Unë nuk e kam takuar asnjëherë fizikisht Olgerin. Ai më ka sjellë dhurata të ndryshme në punë por unë nuk i kam pranuar. Në momentin kur kam bërë denoncimin kam marrë vesh që ka fëmijë dhe që është i divorcuar. Pas kallëzimit ai më ka shqetësuar prapë disa herë, nuk kam dashur të ballafaqohem me të. Mendoj që vetëm frenimi i ligjit do ta ndalojë…”

 

Konflikti, Gazmend Hamitaj, masë për largim nga puna

Shefi i komisariatit nr. 4, Hamitaj padi Hysni Burgajt për masën disiplinore

Shefi i komisariatit nr. 4 në Tiranë ka paditur drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, pasi ky i fundit ka vendosur masa disiplinore ndaj tij. Masa që Burgaj ka marrë ndaj kryekomisarit Gazmend Hamitaj, është “Shtyrja e afatit të gradimit për 3 muaj”, vendim ky që ka sjellë irritimin e shefit të komisariatit nr.4. Vendimi është marrë nga Burgaj në 11 prill dhe se tashmë kërkohet anulimi i menjëhershëm i këtij urdhri nëpërmjet vendimit të Gjykatës së Tiranës. Shefi i komisariatit nr. 4 Gazmend Hamitaj, në datën 10 qershor i është drejtuar me një padi civile Gjykatës së Tiranës, duke paditur direkt drejtorin e policisë Hysni Burgaj. Në këtë padi, Gazmend Hamitaj akuzon dhe komisionin e apelimit, i cili ka marrë një vendim në mujin qershor duke i vënë një vërejtje Hamitaj, dhe paralajmëruar për përjashtim nga rradhët e policisë së shtetit. Në objektin e padisë civile kërkohet shfuqizimi i vendimit nr. 69 datë 11 prill 2013 të drejtorit të përgjithshme të policisë së shtetit për dhënien e masës disiplinore “shtyrje e afatit të gradimit me 3 muaj”. Shfuqizimin e vendimit nr. 50 datë 6 qershor 2013 të komisionit të apelimit, pranë drejtorisë së përgjithshme të policisë së shtetit për dhënien e masës disiplinore “Vërejtjes me paralajmërim”. Rregullimi i pasojave duke fshirë nga dosja e paditësit masën disiplinore “vërejtje me paralajmërim për përjashtim”.

 

Ngjarja në Vlorë

Tre persona me maska sulmojnë pikën e valutës

Një pikë këmbimi valuator është tentuar të grabitjet nga 3 persona me maska e armë pranë xhamisë në qendër të qytetit të Vlorës. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:30, kur 3 persona kanë zbritur nga një makinë tip “Fiat Uno”, të cilin e kishin vjedhur më parë dhe të armatosur janë drejtuar për tek “Exchange”, të cilin kanë dashur ta grabisin. Por, pasi kanë hyrë brenda, autorët kanë ndeshur një patrullë policie, e cila po kalonte aty pranë krejt rastësisht. Blutë e Vlorës sqarojnë se autorët kanë menduar se policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, çka ka bërë që hajdutët të largohen menjëherë, pa mundur të grabisin asgjë. Ndërsa policia është vënë në ndjekje të tyre, dy autorët, të paidentifikuar, kanë ndaluar makinën dhe kanë qëlluar me breshëri automatiku mbi të, me qëllim që ta shpërthenin e digjnin, duke terrorizuar kështu edhe banorët e lagjes “29 Nëntori”, 2 kilometra larg vendit ku tentuan të grabisnin.

 

Aksidenti

 Përplasen 5 automjete, 3 të plagosur

Pesë automjete janë përfshirë në një aksident automobilistit së autostradën Tiranë – Durrës mesditën e djeshme. Shkak i aksidentit mendohet të jetë një parakalim i gabuar nga ana e njërit prej automjeteve të përfshira në aksident, i cili ka përfunduar në kanal. Tre persona kanë marrë ndihmën e shpejtë në vendngjarje, ndërkohë që një pasagjere femër është dërguar menjëherë në spital ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Automjete janë dëmtuar si pasojë e përplasjes ndërkohë policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në pyetje janë marrë disa persona, si dhe vetë të plagosurit. Gjatë ditës së nesërme policia do të dalë me një konkluzion përfundimtar rreth drejtuesit të mjetit që është bërë shkak i këtij aksidenti.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :