Kellici: Po përgatitet lirimi i Veliajt nga Gjykata e Lartë
Belind Këlliçi ka reaguar ashpër ndaj asaj që ai e cilëson si një ndërhyrje të rëndë në sistemin e drejtësisë, duke paralajmëruar se drejtuesi i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, mund të ndërmarrë një vendim që do të lehtësonte masën e sigurisë për Erion Veliaj. Sipas Këlliçit, ky veprim përbën “nivelin më spektakolar të kapjes së shtetit”, ndërsa ai i bën thirrje qytetarëve që të reagojnë dhe të bashkohen në protestën e paralajmëruar më 17 prill.
Postimi i Këlliçit:
A mund të ndodhë që në vendin me qeverinë më të korruptuar në Europë, në vendin me stokun më të madh të çështjeve që presin të gjykohen, në vendin ku krimi i organizuar ka zyrë koordinimi në Kryeministri, ta nisë ditën kryegjyqtari i këtij vendi me idenë për të liruar mikun e tij me 13 akuza në kurriz?! Këtë do të bëjë nesër Sadushi i rilindjes. Do të iniciojë ai vetë një vendim që pritet të lehtësojë masën e paraburgimit për kreun e 5D Erion Veliajn. Ky do të jetë niveli më spektakolar i kapjes së shtetit në historinë tonë. Rasti kur një kryebashkiak i korruptuar të vërë në lëvizje Kryetarin e Gjykatës së Lartë, i cili me një vendim unifikues pritet të përmbysë praktikën gjyqësore, vetëm e vetëm që Erion Veliaj të lërë qelinë. Pa pyetur fare për pasojat e rënda që do vijnë nga kjo! Para shqiptarëve të vjedhur e keq qeverisur pritet të vihet nesër në skenë edhe kjo farsë. Dhe sa do durojnë qytetarët?! Kemi ne në dorë të marrim një vendim të madh. Me 17 prill bashkohemi para zyrës së krimit e korrupsionit për të shpëtuar Shqipërinë.




