Anëtari i kryesisë së PD, Bëlind Këlliçi gjatë fjalës së tij nga protesta para bashkisë së Tiranës i bëri thirrje drejtësisë të hetojë kryebashkiakun Erion Veliaj.
Ai shkoi edhe më tej kur paralajmëroi se javën e ardhshme do të publikojë dokumente që provojnë sipas tij, lidhjen e bashkisë së Tiranës me vdekjen e Ardit Gjoklajt në venddepozitimin e mbetjeve në Sharrë.
“U bë e katërta javë që sjell këtu këshilltarët bashkiakë të opozitës, në orar zyrtar pune, ditën e premte, të cilët kërkojnë të futen në institucionin e Bashkisë së Tiranës për të marrë përgjigje për kërkesat që kanë bërë për fondet e Bashkisë Tiranë. Jemi në një ditë rutinë jave, në një ditë pune dhe ju e shihni mjaft mirë që dera e Bashkisë Tiranë është e mbyllur, është e lidhur me zinxhirë… Ku keni parë ju një bashki tjetër në botë që nuk lejon këshilltarët bashkiakë të futen në institucion për të marrë informacion? Ku keni parë ju një drejtësi, e cila javën e kaluar u paralajmërua nga ky shesh që kryetari i bashkisë dhe pronari faktik i inceneratorit të Tiranës, Eron Veliaj, me datë 25 prill, që ishte dita e djeshme, do të udhëtonte drejt Holandës për të takuar bashkëpunëtorët e tij në inceneratorin e Tiranës. Dhe çfarë ndodhi ditën e djeshme? Pronari faktik i inceneratorit të Tiranës me një arrogancë të pashoq, postoi vetë nga Holanda, duke i bërë karshillëk gjith qytetarëve, opozitës dhe institucioneve të reja të drejtësisë“, tha Këlliçi.




