Ekspozitë me foto të zgjedhura nga “Muzeu i Memories”, një projekt i ideuar dhe realizuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Politike dhe i mbështetur nga Ministria e Kulturës për ndërtimin e një muzeu virtual, në kujtim të krimeve dhe viktimave të komunizmit i titulluar muzeuimemories.com është prezantuar në datën 22 tetor. Në prezantimin e projektit merrnin pjesë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, poetja Luljeta Lleshanaku, Bedri Çoku, ish-i përndjekur politik. Afrim Krasniqi, që është njëkohësisht edhe drejtuesi i projektit, u foli të pranishmëve se sheshi “Nënë Tereza” është zgjedhur si vendi më i përshtatshëm për të prezantuar këtë projekt, pasi edhe Papa Françesku, gjatë vizitës së tij i dha këtij vendi një domethënie tjetër, duke e quajtur “Sheshi i Martirëve”. Ministrja Kumbaro u shpreh në fjalën e saj: “Unë mendoj se projekte të tilla duhet që të mbështeten, jo nga ministri si person, sepse unë e mbështes, por kur flasim për burgje të komunizmit, nuk kanë qenë vetëm ato burgje që ishin fizikisht të tilla, me hekura dhe me pranga. Për ju që nuk e njihni atë periudhë, por edhe për ne që e kemi jetuar, gjithë Shqipëria ka qenë një burg i madh. Edhe në qoftë se, nuk na vunë pranga në duar, na i vunë shumë thellë në tru, pasojat e të cilave ne i ndiejmë ende sot, në deformimet e ndryshme, të periudhës së tranzicionit. Na duhen vite që ne të çlirohemi nga ato pranga që shoqëria shqiptare të kthehet në një shoqëri të emancipuar, me mendje të hapur dhe diktaturën komuniste, ta kthejë në një mësim të madh, për të gjithë shoqërinë. Këtë nuk duhet që ta harrojmë. Prandaj ky muze ka vlerë, si muzeu i kujtesës, sepse që e keqja të mos kthehet, ne nuk duhet që ta harrojmë atë, por ta kujtojmë. Nëse ne e kujtojmë atë si një vuajtje të shoqërisë shqiptare, mund edhe ta përcjellim atë si një mësim dhe jo si një hakmarrje. Ajo që është e veçantë në këtë projekt, është gjuha që flet me moshën tuaj,(të rinj e studentë) me moshën e teknologjisë, besoj që ky projekt meriton mbështetjen sepse u tregon të vërtetën atyre që nuk e kanë jetuar”, – tha ndër të tjera Kumbaro.




