Anxhela Tato
Depozitohen paditë ndaj Arben Ndokës dhe Pjerin Ndreut, akuza kanosje dhe fyer për shkak të detyrës
Kallëzimet u bënë publike pas takimit të kreut të PD me kryeprokurorin Adriatik Llalla
Incidentet e fundit të aktualitetit politik kanë nxitur Partinë Demokratike që të paraqesë dy kallëzime penale në prokurori. Denoncimet e paralajmëruar në deklarata politike janë depozituar paraditen e djeshme, pas një takimi të thirrur nga lideri i opozitës që u zhvillua në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Ndërsa në një deklaratë për mediat pas takimit, Halimi sqaroi se përse janë kallëzuar deputetët. Bëhet fjalë për dhunën e ushtruar sipas tyre, ndaj deputetit të PD Gent Strazimiri, në ambientet e korridorit të Parlamentit shqiptar nga ana e dy deputetëve të majtë. Po ashtu, për Ndokën demokratët kanë edhe një kallëzim të dytë, sa i përket një kërcënimi me anë të një telefonate të pretenduar prej tyre, që deputeti socialist i Lezhës i ka bërë ndaj zëdhënëses së Partisë Demokratike Laura Vorpsi, pas denoncimeve të shpeshta të ardhura nga selia blu për rritje të kriminalitetit ku sipas opozitës janë përfshirë edhe deputetë të maxhorancës. “Depozituam në Prokurorinë e Përgjithshme dy kallëzime penale për dhunën e ushtruar në Parlament nga deputetët Ndoka dhe Ndreu ndaj Strazimirit si dhe kallëzim penal ndaj Ndokës që ka kërcënuar zëdhënësen e Partisë Demokratike Laura Vorpsi. Diskutuam bashkë me Llallën dhe kërkuam prej tij hapa të shpejtë dhe efikas që të fillojë sa më shpejt hetimi ndaj agresorëve, që institucionet në Shqipëri të funksionojnë. Është ekzistenciale funksionimi i institucioneve të pavarura në Shqipëri. Shteti ligjor dhe ligji të sundojë në Shqipëri dhe të mos sundojë mbyllja e gojës së opozitës, dhuna dhe arbitrariteti. Ne besojmë se Shqipëria nuk është 100 vjet prapa, jemi anëtarë të NATO-s ku drejtësia dhe institucionet janë ato që bëjnë punën e tyre për të funksionuar demokracia, kur fjala e lirë u zihet opozitës, kur dhuna shkëmbehet me fjalën e lirë dhe shërbehet për t’i mbyllur gojën opozitës, demokracia është në rrezik. Prokuroria të kryejë detyrën e vet kushtetuese duke vënë autorët përpara përgjegjësisë dhe ligjit”, u shpreh deputeti demokrat Eduard Halimi, pas takimin në zyrën e kryeprokurorit Llalla. Deputeti i Partisë demokratike Gent Strazimiri është thirrur dhe para disa ditësh në prokurori, për të dëshmuar pas përfshirjes në një konflikt me deputetin Armando Prenga, por ende nga akuza nuk ka nisur një procedim penal për ngjarjen.
Rasti Laura Vorpsi
“Pasditen e datës 13.07.2014, në orën 16:39 min, shtetasi Arben Ndoka ka kanosur dhe fyer me anë të një bisede telefonike zëdhënësen e Partisë Demokratike zj. LauraVorpsi. Në një bisedë telefonike, nëpërmjet celularit, (fillimisht nëpërmjet programit viber, dhe më pas në një telefonat normale), që ka zgjatur 4 minuta, shtetasi Arben Ndoka, pasi i ka kërkuar zj. Vorpsi të mos bëj asnjë deklaratë për shtyp lidhur me personin e tij dhe pasi është sqaruar se deklaratat janë qëndrim zyrtar i Partisë Demokratike dhe jo qëndrime personale të zëdhënëses, i është drejtuar asaj me fjalë fyese dhe kërcënuese, duke i shkaktuar një tronditje të rëndë dhe frikësim.Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, duke e konsideruar akt mafioz kërcënimin dhe fyerjen e çdo qytetari shqiptar që kryen një shërbim publik, shpreh shqetësimin e thellë dhe kërkon dënimin maksimal të akteve të tilla kriminale nga organet ligjzbatuese. Ky akt kërcënimi është bërë për shkak të shërbimit publik që kryen zj. Vorpsi, si zëdhënëse zyrtare e Partisë Demokratike. Në emër të Partisë Demokratike zëdhënësja e shtypit zj. Vorpsi, denoncojë me fakte dhe prova të kaluarën kriminale të Arben Ndokës, i dënuar nga drejtësia italiane me 7 vite burg për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese dhe për heqje të paligjshme lirisë së tjetrit. Menjëherë pas deklaratës së saj për shtyp, shtetasi Arben Ndoka e ka kërcënuar atë se do të ketë pasoja të rënda për deklaratat që bën, si dhe i është drejtuar me fjalë fyese, të cilat cënojnë dinjitetin njerëzor të znj. Vorpsi. Akuzat e ngritura ndaj Ndokës janë kanosje për shkaka të detyrës dhe fyerje për shkak të detyrës”.
Rasti Genci Strazimi
Në datën 10.07.2014, në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, deputeti Gent Strazimiri, anëtëar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ka qenë në seancë plenare, duke ushtruar detyrën e tij si përfaqësues legjitim i qytetarëve shqiptar. Gjatë diskutimit të projektligjit “Për armët”, z. Strazimiri ka kundërshtuar iniciativën, duke evidentuar mungesën e seriozitetit të nismës legjislative dhe pamundësisë së saj për të garantuar më shumë rend dhe siguri për qytetarët. Z. Strazimiri gjatë fjalës së tij i ka kërkuar Kryeministrit që të mos vesh me pushtet njerëz të botës së krimit, duke parandaluar kriminalizimin e administratës publike dhe shmangien e mandatimit si deputet të personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe të dënuar për vepra të rënda penale. Pas fjalës së tij në seancë plenare, z. Strazimiri është larguar nga salla për një pushim të shkurtër në korridorin Kuvendit. Pa asnjë shkak dhe në mënyrë kriminale, si një bandë e organizuar dhe me paramendim, deputetët e Partisë Socialiste Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, e kanë ndjekur nga pas, dhe pasi e kanë kanosur me jetë për shkak të detyrës dhe fjalës së mbajtur në seancë plenare, e kanë goditur atë fizikisht”.
Elbasan/ Pranga mjekut, lëshoi 50 raporte kempi të rreme
Policia e Elbasanit ka arrestuar një mjek 55-vjeçar në qytetin e Librazhdit pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën. Pas një pune hetimore gjatë operacionit “Kempi” në pranga ka përfunduar mjeku me iniciale A .D. 55 vjeç, lindur e banues në Librazhd. Sipas policisë nëpërmjet shpërdorimit të detyrës ai ka lëshuar mbi 50 raport analize fiktive me ane te cilave personat i përdornin për të përfituar kemp në rrethin e Librazhdit. Hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit.
Tiranë/ Arrestohet efektivi i policisë, vodhi objektin që kishte në ruajtje
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka vënë në pranga policin Halil Picari pasi dyshohet se ka vjedhur. Pas hetimit nga SHKB dyshohet se 53-vjeçari, Halil Picari, me detyrë punonjës policie i Ruajtjes së Objekteve në Komisariatin e Policisë Nr.2 Tiranë, ka konsumuar elementë të veprës penale të vjedhjes, në ambientet e një pallati. Materialet e arrestimit në flagrancë do t`i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në zbatim të procedurave ligjore.




