Gëzim Saliu
Majko: Gjobat e larta prodhojnë korrupsion, ka policë që janë si kafkafolës, duan vetëm lekë
Komisioni i Ligjeve miratoi dje në parim disa ndryshime në Kodin Rrugor, të cilat parashikojnë rritjen e gjobave për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit si edhe për ata që dëmtojnë Entin Rrugor Kombëtar. Por disa nga këto ndryshime, kryesisht ato që lidhen me shtimin e masës së gjobës dhe kohës së heqjes së patentës për drejtuesit e mjetit, janë kundërshtuar nga deputetët socialistë Bashkim Fino, Xhemal Qefalia, Pandeli Majko dhe Vasilika Hysi. Kjo e fundit shprehu kritika edhe për terminologjinë e përdorur lidhur me personat që kanë probleme me shëndetin mendor.
Debati
Gjobat gati të pesëfishuara për shkelësit e rregullave të qarkullimit dhe përdoruesit e rrugëve në vend, në Kodin e ri, nxitën debate dje mes deputetëve të Komisionit të Ligjeve me përfaqësuesit e Ministrisë së Transporteve dhe asaj të Brendshme, si edhe mes vetë ligjvënësve të majtë. Deputeti Bashkim Fino e kundërshtoi me forcë shtesën e propozuar nga Ministria në Kod, që lidhet me rastin kur drejtuesi i mjetit vazhdon lëvizjen, ndonëse polici apo semafori e ndalon këtë. Për këtë rast, qeveria ka parashikuar rritjen e gjobës me 40-50 mijë lekë të reja nga 20 mijë që ishte më parë dhe ndërkohë në rast përsëritjeje të shkeljes brenda vitit, shtohet masa e pezullimit të patentës nga 9 muaj në një vit. Ky propozim i Ministrisë u mbështet nga deputetja Silva Caka, e cila propozoi më tej që kjo masë të shtohej deri në 18 muaj, gjë që u kundërshtua nga deputeti Bashkim Fino, i cili bëri të ditur se ishte kundër rritjes së masës së gjobave. “Në qoftë se unë bëjë gabim, të ndëshkohem me heqjen e pikëve nga patenta, s’mund të më marrësh patentën 9 muaj se kalova një semafor me të kuq ndërkohë që kam familjen për të mbajtur. Merr masa zotëri të më vendosësh gjobën, të më heqësh pikavarazhin dhe mbas kësaj dal në komision dhe rimarr pikët. Po të më heqësh patentën 9 muaj, bukën e fëmijëve, apo 1 vit apo 6 muaj, apo siç ka ndodhur tani rëndom së fundmi që një herë në ditë po hiqet patenta nga 6 muaj, mua më duket jo normale”, – tha ai. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe deputeti Qefalia që tha: “Evidentoj në tërësi në tërë ligjin është në përputhje me konventat evropiane, masa e gjobave po kështu, ndërsa rrogat janë si në Shqipëri. Ky është stonim i madh”. Ndërsa ligjvënësja socialist Hysi sugjeroi që para se ligji të kalojë për miratim, të zhvillohet një seancë dëgjimore me ministrin e Brendshëm dhe ministrin e Transportit për t’u dhënë përgjigje shumë pyetjeve që lidhen me ndryshimet në Kod. Më i drejtpërdrejtë ka qenë deputeti i PS-së, Pandeli Majko, në arsyetimin e tij, duke pohuar se gjobat e larta kanë prodhuar korrupsion dhe jo rregull. “Nuk besoj se keni ardhur këtu të na thoni se ndryshimi i ligjit do të ndryshojë edhe mentalitetin e policisë, kjo do kohë. Do t’ju lutesha që gjoba më të larta se në Itali nuk keni pse të na sillni. Nuk kemi pse ta kthejmë policin me logjikën e semaforit, se ky e ka të kronometruar, ndërsa kafkafolësit nuk i dihet”, – u shpreh Majko. Ndërsa kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, shtoi edhe më tej kritikën e tij për ligjin, duke shprehur kritikën përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme lidhur me gjobat e vendosura së fundmi nga policia. “Të tregoj, ja dy gjoba këtu që janë skandaloze. Përveç policëve të trafikut, tani keni vënë atë shqiponjën, edhe ca të tjerë dhe dalin rrugëve ata e vënë nga një gjobë, pam e pam. I keni bërë shqiponjë gjobat fare”, – theksoi ai.
Mbledhja nis me 50 minuta vonesë, “Ligjet” pa kuorum, i shpëton Ndoka e Muhedini
Edhe pse në mazhorancën me më me shumë numra, të majtët janë vënë sërish në vështirësi dje Komisionin e Ligjeve, sa i përket formimit të kuorumit të domosdoshëm për nisjen e mbledhjes. Në mbledhjen e djeshme mungonin deputetët Tom Doshi, Mark Frroku dhe Spartak Braho e për këtë arsye për rreth 50 minuta mbledhja ka mbetur në pritje, pasi duhej të niste në orën 10:00 të paradites dhe filloi vetëm rreth orës 10:50 pas mbërritjes në Kuvend të kreut të Partisë Demokristiane Nard Ndoka. U desh prezenca e kryedemokristianit dhe deputetit Tahir Muhedini për të bërë kuorumin që të niste mbledhja e komisionit. Në mungesë të opozitës, e cila ka bojkotuar Parlamentin, mazhoranca është vënë shpeshherë në vështirësi në mbledhje e saj të komisioneve për formimin e kuorumit, ku tek Ligjet “shpëtimtari” i tyre i përhershëm është aleati i PD-së, Ndoka si edhe deputetët e PDIU. Edhe në nisje të mbledhjes së komisionit, Kryetari i tij Fatmir Xhafaj pranoi indirekt se shkaku i vonesës së mbledhjes kishte qenë pikërisht mungesa e kuorumit. “Tani le të fillojmë mbledhjen, pasi edhe kuorumi është i realizuar”, – tha ai.
Debati te Ligjet për ndryshimet në Kodin Rrugor
Muçmataj: Doli domosdoshmëri Kod i ri Rrugor, unë si relator e mbështes këtë sugjerim. Neni 1 shtohet “jo më pak se një herë në vit”.
Eksperti i Drejtorisë së Qarkullimit dhe Sigurisë Rrugore në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, Maksim Tashi: Dakord, por meqë nuk zbatohej, e kemi hequr.
Xhafaj: Të këshilloj të mos e marrësh me aq sportivitet sa e ke marrë mbledhjen sot.
Fino (neni 11): Në të gjitha këto nene po shikoj një rritje të gjobave nga 5 mijë në 10 mijë; neni 11, rritet nga 10 mijë deri në 20 mijë. Cili është shkaku që rritet, ka ndonjë statistikë që çon në rritje?
(Përfaqësuesi i Ministrisë) Culli: Neni 11 ka të bëjë me gjendjen teknike të mjeteve rrugore, sistemi i drejtimit dhe frenimit. Nga regjistrimet në DPSHTR kemi parë raste kur i bëhen ndryshime makinës, duke e bërë të rrezikshme për lëvizjen në rrugë, bëhen ndryshime pa marrë leje. Kjo ka qenë arsyeja kryesore.
Fino: Nëse ka qenë kjo arsyeja kryesore, jam kundër këtij neni, sepse ju e dini shumë mirë se të gjitha automjetet kontrollohen çdo vit. Nëse ky institucion nuk e kryen punën si duhet, pse duhet të rritim gjobën. Nëse vula që nuk marrim çdo vit, nuk është e rregullt, atëherë pse duhet të marrë unë gjobë, nëse nuk e kam bërë dakord, të marr gjobën, por është e mjaftueshme aq sa është aktualisht.
Fino: Unë jam kundër nenit 11.
Fino (neni 12): Në pikën 2, germa b, lexojeni me kujdes çfarë thotë: “2. Cilido, që drejton mjete me motor, nuk duhet të ketë kaluar moshën: b) gjashtëdhjetë e pesë vjeç, për të drejtuar autobusë, kamionë, kamionë me rimorkio, gjysmërimorkiatorë dhe artikularë të tjerë, të caktuar për transport personash. Ky kufi mund të rritet çdo vit deri në shtatëdhjetë vjeç, kur drejtuesi paraqet një dëshmi të veçantë për kërkesat fizike dhe psikike pas një vizite të specializuar mjekësore të përvitshme, sipas mënyrave të përcaktuara në aktet në zbatim”. Ose do vëmë sanksion që nuk ka të drejtë asnjë njeri të drejtojë mjete me motor pas moshës 65 vjeç, ose jo. Por nuk mund të vëmë që nuk do drejtojë mbi 65 vjeç dhe pastaj vëmë një moshë 70 vjeç, nëse merr një raport. Ky nen është shumë evaziv, jam që të vemi një tavan n.q.s. themi nuk do ketë mbi 65 apo mbi 70, por të mos lëmë mundësira.
Majko: Ne po rritim edhe moshën e pensionit dhe ju thoni…
Culli: Nëse kalon mbi 65 vjeç, është lënë të bëjë kontroll çdo vit. Kemi pasur kërkesa nga grupe interesi për shoferë profesionistë që janë 65 vjeç dhe kërkojnë që të punojnë ende. Kjo ka qenë një nga arsyet që nuk e kemi lënë direkt 70 vjeç.
Tashi: Dhe Kodi aktual e ka 60 dhe 65, ne e kemi bërë 65 dhe 70.
Xhafaj: Një të rritme… relatorët të bëjnë konsultë për këtë gjë para se të vendosim.
Hysi: Neni 13 është 6 faqe format A4, jam kundër mënyrës së hartimit të këtij neni. Si është shkruar, vetëm nen nuk është.
Xhafaj: Këshilltarët ta marrin këtë edhe si vërejtje se për Ministrinë kuptohet që nuk është vërejtje, është karton i verdhë, meqë vijnë për herë të parë. Ky është skandal në teknikën legjislative, 6 faqe nen. Edhe rregullorja ndahet në pika, jo më neni. Këshilltarët, nëse ka një detyrë që duhet të bëjnë me përparësi, është ta rregullojnë nga pikëpamja e teknikës legjislative.
Culli: Dakord me vërejtjen e zonjës Hysi, por po të shikohet Kodi Rrugor, ka disa nene të stërgjata, vërtet ndoshta të lodhshme dhe të pakuptueshme, pasi dihet që Kodi Rrugor është bërë në `98-ën.
Xhafaj: Ky është bërë në `98-ën, po argumentet po bëhen në 2014-ën, nuk është argument ky. 16 vjet pas, jemi pjekur të gjithë, edhe ju ekspertët duhet të ishit pjekur tamam
Muçmata (neni 23) (144) – Propozojmë që drejtuesi i mjetit që vazhdon lëvizjen, ndonëse polici apo semafori e ndalon këtë lëvizje ndëshkohet me gjobë nga 40 mijë deri në 50 mijë lekë dhe të shtohet pika 4, ku thuhet se cilido që e përsërit brenda vitit shkeljen në paragrafin tre, përveç masës me gjobë, merret masa e pezullimit të lejes së drejtimit nga 9 muaj deri në 1 vit.
Caka: Në gjykimin tim, vazhdimi i lëvizjes bëhet gjithmonë, ose 90% të rasteve bëhet me përgjegjësi të plotë, ose me dashje. Gjoba deri në 40 mijë deri në 50 mijë është OK. Po rasti i përsëritjes, pra të mos i bindesh as semaforit dhe as policit, rritja nga 9 muaj me 1 vit është rritur vetëm minimumi i ndëshkimit. Propozimi im është që përsëritja të ndëshkohet nga 1 vit deri në 18 muaj.
Fino: Unë, në tërësinë e diskutimit, jam nisur nga ideja që masat janë shumë të ashpra dhe shumë drastike. Më vjen keq që jam edhe pak kondrapedal ndaj parafolëses, sepse të ndëshkosh tjetrin se bën një gabim është normale.
Caka pa mikrofon: Nuk është gabim, e bën me dashje.
Fino: Të lutem, të lutem, e thashë jam pak kondrapedal. Në gjithë këtë draft vetëm kemi shtuar gjoba, ndërkohë nuk kishte asnjë statistikë që të më bëjë mua të bindur që vërtet për shkak të shtimit të gjobës ne mund të krijojmë premisa për uljen e aksidenteve etj. Në rastin konkret, ky propozim që bëhet ca bëhet me këtë. Ligji i vjetër e kishte, e bëj për publikun, jo për ju, se ju e dini: Kur një automjet shkel semaforin, atëherë vihej nga 5 mijë deri në 20 mijë lekë të reja. N.q.s. e përsërit, më heq të drejtën e patentës nga 6 deri në 12 juaj. Propozimi i ri thotë 40-50 mijë. 20 mijë ishte tavani në ligjin e mëparshëm, tani dyshemeja tek propozimi është 40-50 mijë, dhe nga ana tjetër 9 muaj deri në 12 muaj. Unë kam një propozim racional, se ne themi BE-ja, atëherë të përafrohemi me BE-në. N.q.s. unë bëj gabim, të ndëshkohem me heqjen e pikëve nga patenta, s’mund të më marrësh patentën 9 muaj, se kalova një semafor me të kuq, ndërkohë që kam familjen për të mbajtur. Merr masa zotëri të më vendosësh gjobën, të më heqësh pikavarazhin dhe mbas kësaj dal në komision dhe rimarr pikët. Po të më heqësh patentën 9 muaj, bukën e fëmijëve, apo 1 vit, apo 6 muaj, apo siç ka ndodhur tani rëndom së fundmi, që një herë në ditë po hiqet patenta nga 6 muaj, mua më duket jonormale.
Qefalia: Unë jam absolutisht dakord me propozimin që bëri zoti Fino. Evidentoj në tërësi se ligji është në përputhje me konventat evropiane, masa e gjobave po kështu, ndërsa rrogat janë si në Shqipëri. Ky është stonim i madh. Pse në Itali qenka 160 euro, në Shqipëri shkon në 400 deri në 500 mijë lekë. Kjo diferencë e madhe që bëhet nga 400-500 pse duhet ta lëmë në dorë të një punonjësi policie, që zakonisht është edhe me arsimin e mesëm, ai në rrugë për ta çmuar që ka kaluar semaforin e kuq apo protokolli. Më thoni cili punonjës privat ka rrogën 500-600 mijë lekë, që i hiqet me një kalim semafori. Unë jam kundër dhe do ta votoj kundër këtë nen.
Hysi: Unë sugjeroj që para se ligji të kalojë për miratim, të zhvillohet një seancë dëgjimore me ministrin e Brendshëm dhe ministrin Haxhinasto për të na dhënë përgjigje të shumë pyetjeve që i bëri me të drejtë zoti Fino për gjendjen e aksidenteve, dhe sa për qind e këtyre aksidenteve vijnë për shkak të gjendjes së rrugëve dhe mos respektim të sinjalistikës.
Manja: Po krijohet shumë konfuzion, sikur ky projektligj po dhjetëfishin apo 20-fishon gjobat për qytetarët shqiptarë. Qëllimi i parë i tij ka qenë përafrimi me direktivën. Bëhet fjalë për shtim të masës së gjobës për persona që dëmtojnë Entin Rrugor të RSH-së.
Hysi pa mikrofon: Po, jemi dakord për këtë nen.
Manja: Ju lutem, ju lutem! Ky projektligj ka qëllimin për të mbrojtur rrugët që kemi, jo për gjobat ndaj qytetarëve.
Fino: Në qoftë se Kodi vjen me disa nene që shiko se po rrisim disa masa ndaj qytetarit, ne nuk do të rrijmë të bëjmë qorrin e shurdhin këtu, por do kërkojmë sqarime. Në rastin konkret, të më falë kolegu paraardhës, po ne jemi duke folur për një propozim të ri pas nenit 23, që ka të bëjë me Kodin Rrugor, me gjobën që merr Ulsi apo Bashkimi, pra jo me Entin Rregullator. Duhet t;i ndajmë gjërat.
Majko: Unë mendoj që ka qenë një diskutim i vjetër kjo puna e gjobave dhe nuk mendoj se gjobat e larta do na vendosin rregull mbi sistemin rrugor. Gjobat e larta për mua kanë prodhuar korrupsion dhe jo rregull. Shpesh ata që quhen policë të trafikut në rrugët kombëtare, kthehen në gjobëvënës klasikë dhe duke i dhënë të drejtë me ligj që edhe polici të vlerësojë, edhe logjikën në qoftë se e përsërit t’i hiqet leja nga 9 muaj në një vit, atëherë duhet të matesh mirë kur flet apo t’u kthesh përgjigje këtyre njerëzve, që shpesh janë policë të rregullt, po ka edhe kafkafolës, e kanë mendjen vetëm te lekët. Nuk besoj se keni ardhur këtu të na thoni se ndryshimi i ligjit do të ndryshojë edhe mentalitetin e policisë, kjo do kohë. Do t’ju lutesha që gjoba më të larta se në Itali nuk keni pse të na sillni. N.q.s. gjoba në Itali është 40 euro, nuk keni pse e sillni 300 euro ju, nuk keni pse barazoni semaforin me policin. Nuk kemi pse ta kthejmë policin me logjikën e semaforit, se ky e ka të kronometruar, ndërsa kafkafolësit nuk i dihet.
Përfaqësuesi i Ministrisë: Neni aktual ka gjobën 200 mijë, po ka edhe heqje patente 6-12 muaj. Pikërisht këtë menduam që ta rregullonim, pasi shkelja e semaforit është veprim me dashje. Shkelja e semaforit është veprim i ndërgjegjshëm për pasoja, prandaj këtu shkruhet ai që vazhdon, megjithëse semafori e ndalon.
Fino: Unë e shkel semaforin, marr edhe gjobë dhe më hiqet patenta me ligjin e sotëm. Me ligjin e ri, më jep sërish këtë ndjesi dhe më jep ndjesinë që më shtohet edhe më shumë.
Përfaqësuesi i Ministrisë: Pikërisht ky është ndryshimi, për t’u ardhur në ndihmë njerëzve.
Fino: D.m.th. ju thoni se në rastin e parë paguhet gjoba nga 40 mijë deri në 50 mijë e në rastin e dytë nuk paguhet gjoba, po hiqet patenta.
Ndërhyn pa mikrofon përfaqësuesi i Ministrisë.
Xhafaj: Më fal, dëgjoje zotërinë deputet, se po të jetë polici në rrugë, nuk bën dot debat kështu, ai thotë të futa gjobën. Të tregoj, ja dy gjoba këtu që janë skandaloze. Përveç trafikut, tani keni vënë atë shqiponjën, edhe ca të tjerë dhe dalin rrugëve, ata e vënë nga një gjobë, pam e pam. I keni bërë shqiponjë gjobat fare.
Qefalia: Jam i qartë për mënyrën e shkeljes, vazhdoj të insistoj që kur shkelja është fikse, pse duhet që gjoba nga 200 të shkojë 400? Kjo do të thotë të ngresh sistem korruptim.




