Në ditën kur qeveria ka njoftuar se ka shkurtuar 34 milionë euro nga fondet për ilaçet në Shëndetësi dhe në Arsim, kryeministri Edi Rama bëri të ditur nënshkrimin e një marrëveshjeje me Italinë për të paguar 7 milionë euro me qëllim që turi çiklistik “Giro d’Italia” të kalojë në Surrel.
Turi, i ndarë në tre etapa, do të nisë në Shqipëri më 9 maj dhe përfundon më 11 maj, që përkon edhe me ditën kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme
Shuma e paguar nga qeveria shqiptare është zbuluar nga mediat e huaja, ndërkohë që vetë shteti shqiptar e ka mbajtur të fshehtë këtë shumë, duke e cilësuar sjelljen e kësaj gare në Shqipëri si një ngjarje historike. Për shkak të organizimit, kostoja që do t’u kushtojë shqiptarëve kjo garë pritet të jetë disa herë më e lartë, duke përfshirë përgatitjen e strukturave, angazhimin e forcave të sigurisë, si dhe investime e shpenzime të tjera të nevojshme për mbarëvajtjen e garës.Një tjetër problematikë që pritet të sjellë kjo garë është bllokimi i akseve rrugore në një prej ditëve më të rëndësishme për fatet e vendit. Teksa qytetarët do të duhet të lëvizin për të marrë pjesë në votime, shumë akse rrugore pritet të jenë të bllokuara për të siguruar mbarëvajtjen e garës.
Gjithçka do të fillojë të premten, më 9 maj 2025, me një etapë të mesme malore që nis në Durrës dhe përfundon në Tiranë. Ky fraksion do të ofrojë një “fazë malore në qytet”, me 1800 metra ngjitje të shtrirë në 164 km, një pedalim konkurrues që i jep menjëherë tonin garës.
Të shtunën, më 10 maj, rrugët e Tiranës do të shndërrohen në një shesh beteje për një provë kohore individuale në kronometër me distancë 13.7 km.
Fraksioni i fundit i itinerarit përfshin edhe “parakalimin” në Kodrat e Surrelit, aty ku ndodhet edhe shtëpia e kryeministrit Edi Rama. Trilogjia e etapave shqiptare do të përmbyllet me një tjetër skenë të mesme malore të dielën, më 11 maj, me një kurs prej 160 km që fillon dhe përfundon në Vlorë, duke përfshirë një ngjitje totale prej 2800 metrash në lartësi.




