Rendi, ambasadori amerikan: Kam mësuar fjalën tritol, ekonomia dhe ndryshimet në polici ndikuan
Arvizu: Votimi i reformës administrative me vetëm votat e mazhorancës nuk është veprimi i duhur
“Ka mënyra më efikase për të luftuar korrupsionin e rritur në ekonomi sesa të ndjekësh fantazma”
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend, Alexander Arvizu, në një intervistë për emisionin “Opinion” në TV Klan rrëfen të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të ndodhura në Shqipëri gjatë këtyre tri viteve. Kryediplomati i SHBA-së po ashtu komenton zhvillimet e fundit politike në vend, shkarkimet në administratën publike, debatin për reformën administrative si edhe marrëdhëniet me Kryeministrin Rama, kreun e opozitës Basha, si edhe ish-kryeministrin Berisha.
Intervistoi Blendi Fevziu
Z. Ambasador, ende mendoni se gjatë asaj dite, në demonstratën e 21 Janarit, kishte një grup me një axhendë të dhunshme?
Kur shikon protestat e ndryshme gjatë kohës sime këtu, kur shikon protestën e fundit të Partisë Demokratike…
Shumë e ndryshme nga ajo e 21 Janarit.
Ishte shumë e ndryshme dhe ndoshta disa do të thonë që ishte spontane. Pati spontanitet deri diku, por, le ta pranojmë, ishte e organizuar, dhe në fakt kjo nuk është gjë e keqe. Dhe shumica e protestës të PS-së ishte e organizuar dhe kjo është arsyeja pse në periudhën para saj, dukej që ajo protestë mori një tjetër karakter.
Si filloi kjo histori? Ishit ju që i kërkuat Ramës të merrte armët kimike në Shqipëri apo ishte Rama i cili doli vullnetar për ta bërë Shqipërinë pjesë të operacionit?
Në shtator apo tetor, pas rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pas diskutimeve midis Rusisë dhe SHBA-së dhe marrëveshjes për mundësimin e shkatërrimit të armëve kimike nën mbikëqyrjen e OPCE, ne – pra ishin SHBA që e nisën këtë – ne iu afruam disa vendeve mike dhe aleate për t’u konsultuar me ta se si mund të punonim së bashku për ta trajtuar këtë…
Negociatat filluan gjatë vizitës në selinë e OKB-së në Nju Jork?
Kjo do të ishte e saktë, po.
Z. Ambasador, mendoni se përfundimi i kësaj historie do të kishte qenë i ndryshëm nëse do të kishit kontaktuar me zyrtarë të tjerë të lartë të këtij vendi, Presidentin, Kryetarin e Parlamentit, apo dhe ish-kryeministrin, z. Berisha, i cili ka ende ndikim të madh në PD dhe opozitë?
Është e lehtë të shohësh pas dhe të thuash “Po sikur”. Qartazi, nëse rrethanat do të kishin lejuar, që të kishte diskutime më të hershme, në kohën e duhur, me këta persona që ju përmendët, sigurisht, ndoshta shanset do të ishin më të mira. Por, siç e thashë, kjo ishte një çështje shumë e vështirë. Nuk jam i sigurt se mediat, njerëzit në rrugë do të ishin bindur. Ishte thjesht një çështje shumë e vështirë. Koha ishte vendimtare. Kjo po ndodhte, dhe praktikisht, çdo dy orë kishte nga një zhvillim të ri; kishte presion për shkak të kohës. Ne bëmë më të mirën e mundshme. Jam i bindur se qeveria Rama dhe vetë Kryeministri bënë më të mirën e mundshme. Unë jam mirënjohës që ai dhe qeveria e tij e morën aq seriozisht; ata u përpoqën. Së fundmi, siç e thatë dhe ju, ne nuk mundëm t’ia dilnim. Por ne e vlerësuam atë që ata bënë.
Çfarë ndodhi me letrën që Presidenti Obama i dërgoi z. Rama?
Shpresoj që është arkivuar diku…
Pse nuk u bë publike?
Shumica e letërkëmbimit zyrtar – në fakt nuk do të thosha shumica, por, me siguri një pjesë e madhe e saj, mund të konsiderohet komunikim privat. Ka raste kur palët bien dakord që të bëjnë publike përmbajtjen, për t’i publikuar ato, por, shumicën e rasteve komunikimi diplomatik është i rezervuar.
A ishte kjo letër për Kryeministrin tonë edhe një ftesë që ai të vizitonte Shtëpinë e Bardhë?
Goxha përpjekje kjo. Mendoj se është më mirë që përmbajtja e asaj letre të mbetet aty ku është. Siç e thashë, shpresoj, që të jetë një kopje e arkivuar në mënyrë të sigurt në Uashington. Me gjasa, ka edhe një të tillë të arkivuar në mënyrë të sigurt në zyrën e Kryeministrit.
Cila është ndjesia e vërtetë në Uashington në lidhje me këtë përgjigje “Jo”
Punuam shumë deri në fund, duke e ditur se ishte çështje shumë e vështirë dhe kështu deri në fund shpresuam se Kryeministri do të ndiente se kishte një rrugë që të mund të realizohej ky operacion, por, kur ai tha, dhe na e komunikoi atë vendim neve përpara se të dilte në publik, sigurisht që ne e pranuam dhe respektuam vendimin e tij.
Si ju duket deklarata e z. Moore se korrupsioni nuk luftohet duke akuzuar qeverinë e mëparshme?
Z. Moore ka në plan të bëjë një vizitë këtu pas afro dy javësh kështu që mund të pyesni vetë atë.
Por, ishte deklaratë në emër të Shteteve të Bashkuara…
Ishte, ishte. Ai po fliste në emër të SHBA, por, po them që për më shumë detajim mund të pyesni atë drejt për drejt. Argumenti i tij ishte që, dhe ky është shumë i thjeshtë dhe i saktë, që nëse jeni një qeveri e re dhe zbuloni një lloj mashtrimi, korrupsioni, ryshfeti, abuzim sistematik, nëse në nivel drejtori apo ministri, apo ndërmjet këtyre, jo vetëm duhet ta referoni tek prokurori nëse ka prova, por ju jeni të detyruar ta bëni. Kjo mund të ishte baza për një hetim penal. E kemi thënë dhe më parë, se një mënyrë efikase për të luftuar korrupsionin janë arrestimet, procedimet dhe dënimet e suksesshme për korrupsionin në nivele të larta. Por, mendoj se argumenti i z. Moore – ai nuk u fut në një nivel kaq të detajuar, por me qenë se më pyetët – ishte që, në rregull, nëse shkoni në një ministri të caktuar dhe kërkoni të shihni të gjithë regjistrin e prokurimeve të vitit të kaluar, i shihni ato dhe thoni, prit një minutë, kjo kërkon dy firma dhe firma e dytë nuk është vënë. Duhet të vlerësoni a është kjo një shenjë e korrupsionit sistematik? A është kjo diçka që mund të ndodhë kudo? A është kjo …
Apo është në fakt një problem administrativ?
Po. A ia vlen të shpenzosh kohën tënde për këtë? Le ta pranojmë. Aktualisht ka një situatë të keqe ekonomike. Ka mënyra më efikase për të luftuar korrupsionin, për të nxitur rritjen ekonomike, se sa të ndjekësh fantazma. Pra, mesazhi i tij është, dhe mesazhi i SHBA gjithashtu, se, po, ka indikacione të një ryshfeti e korrupsioni sistematike të përhapur dhe kjo qeveri është e detyruar t’i ndjekë dhe t’i referojë këto raste pranë zyrës së prokurorit dhe pastaj ta lejojë drejtësinë të bëjë punën e saj. Nëse ekzistojnë provat e duhura, personat duhet të mbahen përgjegjës. Në tërësi çështja e luftimit të korrupsionit përfshin shumë më tepër sesa thjesht ndreqjen e abuzimeve të shkuara.
Z. Ambasador, si përfaqësues i SHBA-së në Shqipëri, jeni ju të shqetësuar për situatën e rendit publik në Shqipëri? Kemi pasur një numër shpërthimesh në muajt e fundit. Grupet kriminale janë shumë aktive. Cili është mendimi juaj për këtë? Shtetet e Bashkuara gjithnjë kanë qenë shumë të ndjeshme ndaj situatës së krimit dhe rendit publik në vend.
Bazuar në statistikat që kam parë, në disa zona, disa lloje krimi, kanë pësuar rritje. Disa të tjera kanë shënuar ulje. Ka qenë pak a shumë kështu. Sigurisht që ne jemi të shqetësuar. Kam mësuar dhe fjalën “tritol”.
…Shumë popullore së fundmi…
Po. Më parë nuk ia dija kuptimin por tani e di. Kjo është sigurisht diçka që na shqetëson, që shqetëson qeverinë. Mendoj se është diçka që duhet të shqetësojë çdo qytetar shqiptar. Nuk jam ekspert i luftës kundër krimit. Jam konsultuar me ekspertët tanë të ICITAP. Mendoj se ka arsye të shumta për këtë. Mendoj se kushtet ekonomike ndikojnë. Mendoj se ndryshimet në Policinë e Shtetit, dhe në gjyqësor, gjithashtu. Shqipëria është një vend shumë i vogël kështu që mund të ketë njerëz që përpiqen të përfitojnë nga boshllëqet ose nga fakti se dikush është i ri, ose që nuk ka shumë eksperiencë, në një pozicion të caktuar. Por, të mos harrojmë, të mos neglizhojmë faktin që policia në javët e fundit ka shënuar disa arritje të mëdha për sa u përket arrestimeve. Më bëri shumë përshtypje shtrirja e disa prej këtyre arrestimeve. Nuk i zgjidh problemet, nuk i zgjidh çështjet, por mendoj se duhet të marrim një përqasje të balancuar ndaj çështjes së krimit. Është një çështje shumë serioze, pa dyshim.
A ka nevojë ky proces për konsensusin e dy forcave kryesore politike?
Më vjen mirë që e përmendët atë fjalë. Më lejoni të them dy gjëra. Është e rëndësishme të ketë konsensus që kjo është një çështje e rëndësishme apo që kjo reformë është në interes të Shqipërisë. Dhe, ky konsensus qartësisht ekziston sepse edhe PD ishte në favor të kësaj kur ishin në qeveri dhe nuk kanë shprehur kundërshtime për konceptin e reformës…
Kjo reformë kërkon mbështetjen e gjysmës së politikës shqiptare. Nëse kjo reformë kryhet me votat e, gjithashtu sipas ligjit, të shumicës, ndoshta opozita mund të mos marrë dot pjesë në zgjedhjet vendore. Cila është kostoja e kësaj reforme nëse opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet vendore?
Ja çështja kryesore këtu është dhe pata edhe një bisedë të gjatë me Kryeministrin Rama dhe ministrin Çuçi. Së pari, mendoj se ishte një lëvizje shumë e mençur e qeverisë që të ngrinte komisionin parlamentar, sepse në fillim pati zëra që qeveria kishte një draft për të paraqitur dhe që PD nuk ishte e kënaqur që nuk kishte pasur konsultime. Qeveria tha, shumë mirë, do krijojmë këtë komision parlamentar ad hoc. Në një pikë, mendoj që z. Meta madje sugjeroi që z. Berisha të ishte personi kryesor në komision nga ana e PD-së. Pra, ideale do të ishte që komisioni të ecë përpara; të konsultohet me ekspertë ndërkombëtarë, me OJQ. Duhet që procesi të dalë në terren. Diskutimi nuk duhet të zhvillohet vetëm në Tiranë. Duhet të shkojë në Shkodër, në Korçë, në Sarandë, kudo anekënd vendit sepse aty do të ndihet ndikimi, por pika që unë dhe kolegët e mi ndërkombëtarë i kanë ngritur ministrit Çuçi sidomos është – ju i keni votat për ta miratuar këtë legjislacion, të jemi të ndershëm! I keni këto vota dhe nëse e miratoni vetëm me votat e shumicës, është e qartë që do të pasqyrojë atë që doni ju. Por kjo nuk është e mirë për vendin. Nuk është vërtet në përputhje me konsensusin që ekziston për vetë reformën ndaj ajo që duhet të ndodhë është një negociatë serioze midis palëve. Për shembull, nëse është shumica, do të thonë që mendojmë se ndarja duhet bërë kështu; por opozita do thotë, jo sepse po të bëhet kështu, ndahen votat. Dhe pastaj shkohet në çështjen e vjetër të manipulimit të zonave për qëllime politike. Ndaj, jo, për këtë paguhen dhe për këtë zgjidhen. Për të bërë gjëra si këto. Dhe ajo që i kam shprehur z. Rama dhe z. Çuçi është që po, mund të miratoni diçka vetëm me votat e shumicës, por kjo nuk do të jetë aq e mire për integrimin. Nuk do të jetë e mirë për administrimin e duhur të vendit. Është shumë më mirë të kesh diçka ku jo gjithçka është siç e doje, por që përfshin, pranon diçka që e do opozita. Pra, në fund, duhet diçka që do t’i lërë të gjithë pak të pakënaqur sepse kjo do sugjeronte që është arritur një kompromis! E di, keq më vjen, por në 23 qershor kishte një koalicion fitues dhe një koalicion humbës.
Dhe mendoni që shumica mund ta miratojë ligjin vetëm me votat e veta?
Shpresoj që nuk do ta bëjnë. Shpresoj që nuk do të arrijë atje. Nuk mendoj se është e nevojshme, por reforma është e rëndësishme dhe ka një kalendar. Nënndarja e re administrative e vendit, çfarëdo forme që të ketë – të shpresojmë të jenë shumë më pak se 385 njësi – do të ketë ndikim në zgjedhjet vendore të vitit 2015. Çdo parti ka nevojë të ketë kohën për t’u përgatitur për ato zgjedhje. Nëse ky legjislacion miratohet në këtë sesion dhe pastaj vjen pushimi në gusht dhe kthehen në shtator, mendoj që do të jetë kohë e bollshme për cilëndo parti që të përgatitet për raundin e ardhshëm të zgjedhjeve vendore.
Nuk ka të bëjë vetëm me Zana Xhukën. Shtypi po flet edhe për kreun e shërbimit të inteligjencës dhe të tjera institucione të rëndësishme të pavarura… Çfarë mendoni për të gjitha këto lajme?
Në çdo shoqëri demokratike ose në një demokraci të suksesshme do të ketë – ju e keni dëgjuar më parë këtë –një sistem ndarjeje pushtetesh (kontrolli dhe balancash) për të parandaluar grumbullimin e pushtetit absolut në një degë. Jam i sigurt që Presidenti Obama, Kryeministri Cameron, Kryeministri Rama, jam i sigurt që zgjohen në mëngjes dhe thonë: “Epo, shpresoj të bien të gjithë dakord me mua, se do ta kisha jetën shumë më të lehtë”, por, fakti është që gjërat kështu janë, sepse ka kontroll dhe balanca. Në një vend si Shqipëria, institucione të caktuara – ju përmendët nja dy, ka edhe disa të tjera; ka edhe agjenci të tjera që teknikisht nuk janë të pavarura, por janë gjysmë të pavarura – sigurisht, pika e nisjes duhet të jetë që të gjitha ato të lejohen të funksionojnë në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje nga jashtë, sidomos ndërhyje politike nga jashtë; shumicën e rasteve, cilado qeveri qoftë në pushtet, kanë nevojë ta kenë atë hapësirë për të funksionuar në mënyrë të pavarur. Për këtë, nuk ka diskutim. Por, ana tjetër e kësaj monedhe është që kjo nuk i jep kreut të një institucioni, apo vetë institucionit, licence për të bërë çfarë të dojë. Institucioni duhet të mbajë parasysh integritetin profesional. Në mos gaboj, ata betohen për besnikëri ndaj Kushtetutës. Janë rojtarë të shtetit. Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, këta janë zgjedhur. Ndërsa këta nuk janë zyrtarë të zgjedhur në atë kuptim. Presidenti përbën një kategori disi të veçantë. Ata kanë detyrimin përpara shtetit.
A keni informacion se ka persona të inkriminuar në parlament, z. Ambasador?
Nuk i njoh të gjithë 140, ndonëse mbaj…
Por keni dëgjuar informacione për ta?
Mendoj se janë disa njerëz, le të themi, me një histori interesante si nga shumica edhe nga opozita.
Por kjo pjesëmarrje e personave me probleme në të kaluarën në politikë, është si trend tani; a është kjo e rrezikshme për vendin?
Nuk është gjë e mirë; nuk është gjë e mirë për vendin. Por, është e pamundur të ndash paratë nga politika. Është një problem që e kemi edhe në vendin tonë. Nuk mendoj se është i njëjti nivel kriminaliteti, por shumë amerikanë, përfshi edhe mua, nuk ndihemi rehat me mënyrën se si paraja duket se dominon konsideratat politike dhe konsideratat zgjedhore. Dhe, mendoj që kjo është ajo që po shohim këtu. E kuptoj atë që thoni; mendoj se duhet të kemi edhe disa zgjedhje të tjera përpara se të arrijmë ndonjë përfundim të përgjithshëm, por qartësisht nuk është e shëndetshme. Mendoj se sa më pak individë me këtë lloj historiku të jenë në parlament, aq më mire për vendin.
Z. Ambasador, çfarë ndodhi midis jush dhe z. Berisha? Në fillim, kur arritët në Shqipëri bëtë një deklaratë se ishte burrë shteti; përpara zgjedhjeve të vitit 2013 kishit marrëdhënie të forta. Çfarë ndodhi në marrëdhëniet tuaja? Çfarë ndodhi në të vërtetë?
E takova më 15 janar këtë vit. Kishim një bisedë të këndshme, të gjatë…
Çfarë ndodhi në marrëdhëniet tuaja?
Nuk është sekret që kemi pasur dallimet tona. Së pari, kam respekt të madh për z. Berisha. SHBA i vlerësojnë shumë kontributet e shumta pozitive që ka bërë nëpër vite… Pra, kur flisnim, kishte raste që nuk ishim dakord; mendoj se mosmarrëveshjet rrotulloheshin shpesh rreth kësaj. Unë, si përfaqësues i SHBA-së thosha – ju jeni Kryeministri i vendit; ju keni shumicën dhe ne ju mbështesim; ne punojmë me qeverinë tuaj, por keni edhe një opozitë me përmasa të konsiderueshme dhe është me rendësi për perspektivën e integrimit, është me rendësi për zhvillimin e vendit, gjithçka, që të ketë … – nuk është se do biesh dakord për gjithçka, por të përpiqesh të biesh dakord për sa më shumë gjëra që të jetë e mundur dhe faktikisht, duke bërë këtë, thosha unë, sipas mendimit tim të përulur, tregoni udhëheqjen tuaj të forte dhe jo dobësi.
Si ishte takimi juaj i fundit me të?
Ishte shumë i këndshëm.
Dhe diskutuat për…?
Ta kujtoj. Folëm për rreth 50 minuta, sepse nuk doja t’i merrja shumë kohë. E di që është shumë i zënë. Ishte një mundësi për t’i uruar Vitin e Ri. Bëmë pak shaka për faktin që unë jam ende këtu. Folëm pak për rolin e ri në të cilin e gjen ai veten. Nuk folëm shumë për të ardhmen e Partisë Demokratike, ndaj po e lë këtë diskutim, por jam i kënaqur që PD po lëviz përpara me planin për një lloj konvente kombëtare…
Dhe ç’mendoni për udhëheqjen e Bashës? Keni ende dyshime?
Përgjigjja për shumë gjëra është se duhet kohë. Është shumë e qartë që z. Basha është kryetar i PD-së tani. Z. Berisha, siç thatë ju, për 23 vjet… dhe shih të enjtet të Parlament; Z. Basha nuk është deputet, ndaj është e kuptueshme që z. Berisha të marrë shumicën e kohës që i takon PD-së. Është me rëndësi që PD të vazhdojë të luajë një rol pozitiv. Zëri i tyre në opozitë është i rëndësishëm. Kam folur me z. Basha dhe kam thënë, edhe një herë, duke u treguar shumë i hapur, një problem që kemi është që dukshëm ka disa gjëra që po bën shumica që ndoshta nuk janë të mrekullueshme apo që janë në drejtim të gabuar. Do të ishte e dobishme nëse opozita do të thoshte, kjo përbën vërtet shqetësim për ne, për shembull, ligji i shërbimit civil ose çfarëdo qoftë, dhe ndoshta mund të ndihmojë SHBA apo partnerë të tjerë të Shqipërisë që t’i qasen qeverisë, kryetarit të parlamentit dhe të thonë, po kjo, po ajo? Por, kur çdo ditë është si të jetë Armagedon, është pak e vështirë të veçosh zhurmën nga ajo që po ndodh vërtet.




