Intervista Meta: Ndryshimet në Kushtetutë nuk i kam pranuar dhe nuk do t’i pranoj asnjëherë

 

metaKreu i LSI-së: Do fillojmë një histori të re me Ramën pa fshirë historinë e deritanishme

Meta: Bashkëpunim dhe dialog pa dallime partiake

“Dy plus dy nuk bëjnë gjithmonë katër, mund të bëjnë edhe gjashtë”

 

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, pohon se forca që ai drejton nuk do t’i pranojë asnjëherë ndryshimet kushtetuese të arritura me konsensus mes PS-së dhe PD-së në vitin 2008. Në intervistën e dhënë për emisionin “Nga A në Zh” të televizionit “Agon Channel” për gazetaren Menada Zaimi, Meta thekson nga ana tjetër se ndryshimi i mundshëm i Kushtetutës, do të ndodhë vetëm me konsensusin e opozitës së re. Në këtë kontekst, ai pohoi se do të kërkojë ndryshimin e Kushtetutës në të gjitha pikat të cilat u ndryshuan në bazë të marrëveshjes Berisha-Rama. Po ashtu, kreu i LSI-së flet edhe lidhur me marrëdhëniet me kreun socialiste Edi Rama, qeverisjen e ardhshme të majtë si edhe rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.

 

Besimi deri në fund të paktën i analistëve ishte ky, që dy koalicionet e mëdha do të ishin shumë afër njëri-tjetrit. Pse ndryshoi kjo gjë më 23 qershor?

Absolutisht, që diferenca ka qenë gjithmonë e ndjeshme dhe është thelluar hap pas hapi që nga momenti i shpalljes së koalicionit PS-LSI për arsye se dihet që e majta në Shqipëri gjithmonë ka qenë shumicë. Dhe PD-ja ka arritur të qëndrojë në pushtet për shkak të ndarjes së të majtës në vitin 2005, por edhe në vitin 2009. Natyrisht që në politikë nuk bëhet fjalë për shumica aritmetike dhe dy plus dy nuk bëjnë gjithmonë katër, mund të bëjnë edhe gjashtë, që do të thotë se fryma dhe filozofia që tregohet mund të mbledhë shumë më tepër mbështetës dhe përkrahës se sa votuesit tradicionalë të partive të caktuara dhe natyrisht që kjo ndodhi edhe në këtë rast. Sigurisht që një meritë të veçantë për këtë rezultat ka trysnia e madhe dhe arroganca e mazhorancës së mëparshme në raport me qytetarët. Ishte një trysni e padurueshme për qytetarët dhe një pjesë e mirë e tyre merrnin pjesë në mitingjet e Partisë Demokratike pa dëshirën e tyre, por sa më shumë detyroheshin të merrnin pjesë në mitingje aq më shumë bindeshin që të te kutia e votimit duhet të votonin për opozitën, sepse pas 23 vjetësh kaq shumë politikë në jetën shoqërore, jetën sociale, në jetën familjare, në media ishte bërë një situatë e padurueshme. Dhe natyrisht që erdhi ky mesazh në mënyrë shumë qytetare, shumë të qetë dhe shumë të sigurt përmes votës. Unë asnjëherë nuk kam pasur bindjen që do të ishte një fitore e ngushtë përkundrazi kam pasur bindjen gjithmonë që opozita do të fitonte 80 mandate dhe këtë e kam shprehur që herët…

 

Dhe kur z. Rama foli për 80 mandate i referohej besimit tek ju, tek ajo që ju kishit kalkuluar së bashku pas marrëveshjes për koalicionin?

Z. Rama kishte sondazhet e tij, unë kisha sondazhet e mia dhe njohjen përkatëse në terren, por gjithmonë kam qenë i bindur dhe e kam deklaruar që në fillim të prillit, që diferenca do të jetë mbi 200 mijë vota mes dy koalicioneve, por ajo vajti akoma më tepër, rreth 300 mijë vota. Gjithmonë kam qenë i bindur që 80 mandatet kanë qenë të padiskutueshme për Aleancën për Shqipërinë Evropiane. Bindja ka qenë e palëkundur qeveria kishte dalë jashtë realitetit dhe përpjekja për të bërë një fushatë pompoze me mitingje pa fund nuk sillte dot atë mesazh për të cilin kishin nevojë njerëzit.

 

Çfarë përgjigje keni ju z. Meta për ata që thonë se vota për LSI-në në fakt ishte një votë pragmatiste?

Mendoj se ishte një votë e mençur, edhe pragmatiste qoftë, sepse unë nuk e marr asnjëherë në sens negativ, përkundrazi. Ishte një votë e mençur, sepse njerëzit donin një stabilitet dhe së dyti cila ishte ajo parti që do të thosha unë bëri fushatën më pozitive? Ishte LSI-ja.

Megjithatë duket sikur jeni në vështirësi me aleatin kryesor, PS-në për të ndarë postet që do të drejtojë njëra apo tjetra, duke pasur parasysh se ju tashmë jeni me një potencë të shtuar…

Nuk kemi asnjë vështirësi dhe nuk e di se ku e lexoni ju këto vështirësi. Përkundrazi, jemi në një sintoni dhe në harmoni të plotë.

Edhe pse nuk kemi ende një ide të qartë se kush do të drejtojë çfarë…

Kjo është gjëja më e parëndësishme, sepse më e rëndësishme është ndërrimi i programit elektoral në një program qeverisës dhe për këtë gjë po punohet. Dhe së dyti, struktura e qeverisë së ardhshme në përputhje edhe me programin dhe prioritetet e tij, dhe në fund do vijnë emrat që për mua nuk është gjëja më e rëndësishme. Më e rëndësishme është programi dhe ajo që do të realizojë qeveria sepse kjo është ajo që presin qytetarët. Kjo çështja e ministrave, kush është apo kush nuk është, është më shumë çështje kurioziteti sesa çështje thelbësore.

 

Si ratë dakord me Edi Ramën për të ndarë postin e Kryeministrit dhe që ju do të jeni kryetari i Kuvendit nesër, a ishte e thjeshtë?

Mendoj se është një ndarje e natyrshme dhe e logjikshme duke lexuar rezultatin e votuesve dhe përgjegjësitë që ata na kanë besuar. Kështu që unë mendoj se, përderisa Partia Socialiste ka dalë në mënyrë të qartë forcë e parë politike, natyrisht që është akoma më e vështirë për partinë që ka dalë e dyta edhe pse me shumë numra që të pretendojë postin e Kryeministrit. Për respekt në radhë të parë të votës së qytetarëve dhe të gjithë opozitarëve i takon PS-së për të marrë përgjegjësinë për drejtimin e qeverisë. Asaj i takonte marrja e kësaj përgjegjësie. Përderisa ata u votuan më shumë se kushdo tjetër sigurisht që u takon atyre kjo përgjegjësi. Natyrisht që edhe unë, në emër të LSI-së, kam marrë një përgjegjësi tjetër shumë të rëndësishme sikurse është drejtimi i Kuvendit. Besoj se fryma jonë e bashkëpunimit, e forcimit të institucioneve dhe e dialogut për reformat e mëdha që ka nevojë vendi do të reflektohet edhe në drejtimin e Kuvendit.

Z. Meta analistët dhe gazetarët janë skeptikë për marrëdhënien tuaj me z. Rama. Z. Rama ka deklaruar se PS dhe LSI mund të bëjnë histori në këtë vend. Do të bëni histori pozitive apo histori për një ndarje të fortë përgjatë qeverisjes?

Besoj se ju do të zhgënjeheni. Ne mendojmë të fillojmë një histori të re pa fshirë historinë e deritanishme tonën, e të gjithë politikës shqiptare dhe të gjithë vendit. Një histori të re që ndërtohet mbi përgjegjshmërinë, bashkëpunimin, konsensusin, gjithëpërfshirjen. Një histori me të gjithë qytetarët e Shqipërisë.

 

A keni ju besim se z. Rama si Kryeministër do të jetë jo vetëm administrator i mirë, por edhe politikan i mirë?

Unë mendoj se nuk duhet të paragjykojmë. Të gjithë kanë të drejtë të mbeten dyshues për aq kohë sa ata kanë dyshime por të gjithë duhet të jemi mbështetës të kësaj mazhorance të re, të kësaj qeverisjeje të re pasi kjo është një mazharancë e cila i kalon kufijtë e votuesve tradicionalë të të gjitha partive tona. Shoqëria ka sjellë një konsensus shumë më të gjerë në mbështetje të kësaj filozofie dhe të kësaj fryme të re bashkëpunimi në politikën shqiptare. Ajo që unë besoj më shumë është filozofia e bashkëpunimit, e gjithëpërfshirjes dhe transparenca. Përderisa z. Rama është i angazhuar dhe e reflekton këtë frymë edhe pas fitores akoma edhe më shumë nuk ka asnjë arsye pse në të mos besojmë dhe të punojmë të gjithë së bashku që këto objektiva kryesore që kemi afirmuar të bëhen një realitet sepse kjo do të jetë në të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

A ju duket “tokësor” programi i PS-së. Shumica e ekspertëve janë dyshues. Ku do të ndërhyni ju dhe çfarë duhet të zhbëhet në një program të vetëm?

Nuk dua të hyj në çështje më konkrete përderisa ekspertët po merren konkretisht me transformimin e programit elektoral në një program qeverisës. E para gjë që duhet bërë dhe që do të bëhet është transparenca për situatën financiare e buxhetore në të cilën ndodhet vendi. Natyrisht që do të ketë nevojë për një periudhë stabilizimi të financave publike, të borxhit, shlyerja e detyrimeve ndaj firmave për punët e papaguara, për punët publike e kështu me radhë. Se sa do të jetë kjo periudhë stabilizimi kjo do të varet nga gjenda konkrete sepse nuk ka pasur një transparencë të plotë dhe të qartë deri tani. Çdo gjë do të bëhet publike në mënyrë që qytetarët të jenë të qartë dhe të ndërgjegjshëm për situatën në të cilën ndodhemi. Natyrisht që edhe programi do të jetë shumë i qartë për të gjithë objektivat e tij dhe njëkohësisht i ndarë në periudha, si 100 ditë, 200 ditë, 300 ditë deri në 4 vite. Natyrisht që programi ka disa objektiva afatshkurtra, afatmesme etj. Ajo që unë dua të them është që qëllimet e PS-së kanë qenë të mira në të gjitha prioritet që ajo ka theksuar më shumë gjatë fushatës. Natyrisht që tani vjen momenti i transformimit të programit elektoral në një program konkret qeverisës mbi ato parametra mbi të cilat do të merret qeverisja në fillim të shtatorit. Çdo gjë do të jetë transparente.

Legalizim falas ishte çështja më e fortë me të cilën Partia Socialiste u prezantua në këtë fushatë. Çfarë do të thotë legalizim falas?

Nuk mendoj se suksesi i Partisë Socialiste në këto zgjedhje ka ardhur për shkak se ka premtuar legalizime falas. Një pjesë e mirë e dështimit në Partinë Demokratike ka ardhur sepse ka premtuar në 4-5 fushata legalizim falas, dhe ky proces ishte komplet i dështuar. Pastaj, se si do të zgjidhet kjo çështje dhe kur do të zgjidhet, kjo do të bëhet transparente, por që çështja e legalizimit do të marrë një zgjidhje të shpejtë, kjo është e padiskutueshme.

A keni një përqasje të plotë të të gjitha pikave të programit të Partisë Socialiste?

Unë nuk kam qenë shumë i përqendruar më thënë të drejtën tek programi i Partisë Socialiste. Unë kam qenë i përqendruar tek prioritetet e Lëvizjes Socialiste për Integrim, që është punësimi dhe mënyra se si do të rritet punësimi. E para është ristrukturimi i ekonomisë, sepse pa ristrukturuar ekonominë, pa e bërë atë të qëndrueshme, pa rritur ekonominë në vend, në të gjitha fushat, sidomos në fushën e bujqësisë, të agropërpunimit, e kështu me radhë, pa ulur importet, pa rritur eksportet, nuk ka rritje ekonomike të qëndrueshme, nuk ka as punësim të qëndrueshëm. Nuk ka as mundësi dhe as të ardhura për politika sociale që ndryshojnë ndjeshëm shërbimin ndaj qytetarëve. Këto kanë qenë prioritet tona dhe në mënyrë të veçantë për punësimin, për fushat se ku mund të rritet punësimi dhe si do të rritet punësimi.

Si do të funksionojë bashkia e drejtuar nga demokratët?

Qëllimi ynë është bashkëpunimi në gjithë jetën politike të vendit. Bashkëpunimi me Presidentin e Republikës pavarësisht se është propozuar nga demokratët me gjithë institucionet e tjera. Bashkëpunim me guvernatorin e bankës sepse është një institucion shumë i rëndësishëm për të vijuar të gjitha reformat ekonomike, financiare, e kështu me radhë. Me sistemin e drejtësisë dhe padyshim dhe me pushtetin lokal pa dallim partiak. Kështu që çdo gjë do të bëhet në interesin e një produkti sa më të mirë për qytetarët, aty ku përgjegjësitë janë të përbashkëta.

A do ketë ndonjë përpjekje nga ana e mazhorancës që pritet shumë shpejt të formojë qeverinë për të vënë balancat e humbura gjatë qeverisjes së demokratëve? Do ketë përpjekje qoftë në ndryshimin e kushtetutës?

Nuk duhet të nisim me paragjykime. Ne gjithçka do ta bëjmë bazuar mbi transparencën dhe mbi bashkëpunimin.

Do ketë një lëvizje?

Nuk do të ketë asnjë lëvizje të sforcuar aty ku institucionet funksionojnë në bazë të ligjit.

Cilat institucione nuk funksionojnë në bazë të ligjit?

Nuk mund ta them këtë gjë sepse vetëm kur je në pozicion apo detyrë zyrtare mund të bësh një verifikim të qartë. Është shkelur apo nuk është shkelur ligji. Ligjet janë të qarta.

Duke qenë se nuk i keni pranuar asnjëherë ndryshimet kushtetuese do të bëni një hap drejt ndryshimit të atyre neneve të Kushtetutës duke qenë se kësaj radhe keni një mazhorancë solide?

Së pari, ka disa elementë. Ne dëshirojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat, sidomos për sa i takon reformave të mëdha, aq më tepër legjislacionit që ka të bëjë me integrimin në Bashkimin Evropian. Natyrisht që ne kemi një mazhorancë prej 84 deputetësh dhe ajo mund të jetë edhe më e lartë në të ardhmen. Po kjo nuk është më e rëndësishmja. Më e rëndësishmja është vullneti ynë për të bashkëpunuar dhe për të orientuar konsensusin me opozitën për miratimin e reformave të mëdha që i shërbejnë të gjithë vendit dhe që kanë impakt afatgjatë. Ndryshimet në Kushtetutë nuk i kam pranuar dhe nuk do t’i pranoj asnjëherë, por natyrisht që rikthimi i Kushtetutës në themelet e saj varet shumë edhe nga konsensusi me opozitën e re.

Do ta kërkoni këtë gjë?

E kemi kërkuar dhe do ta kërkojmë gjithmonë. Unë këtë e kam kërkuar edhe në vitin 2009, por në atë kohë z. Berisha më ka thënë në mënyrë të qartë që “unë për këtë gjë nuk jam dakord, se unë kam qenë dakord me këto ndryshime që janë bërë.” Nuk mjafton vetëm bashkëpunimi me z. Rama për këtë gjë. Duhet edhe konsensusi me opozitën për ndryshimet kushtetuese.

Ku duhet të preket Kushtetuta dhe më pas të kërkoni një proces bashkëpunimi me opozitën?

Kushtetuta duhet të preket në të gjitha pikat të cilat u ndryshuan dhe të kthehet aty ku ishte.

Share it :