Intervista/ “Lazarati”, Rama: Pse ende s’jemi gati për legalizimin e hashashit

Gëzim Saliu

 

Emisioni në “RAI 1” trajton problemin e drogës në Lazarat, Tahiri: Jo operacion policor

 Rrëfimi i 70-vjeçarit që paguhet 10 euro në ditë dhe skafistit që merr 200 euro për çdo kilogram

 

 

rama ne porta a portaNë një intervistë për emisionin “Porta a Porta” në “RAI 1”, i cili ka trajtuar problemin e drogës që nga fshati i Lazaratit vërshon drejt Evropës, Kryeministri Rama deklaroi se trajtimi i çështjes së legalizimit të marijuanës nuk i takon Shqipërisë. I pyetur nga gazetari italian, i cili zhvilloi një reportazh të gjerë me punonjës policie si edhe banorë të fshatit, kreu i qeverisë theksoi: “Legalizimi i marijuanës është një diskutim të cilin do të preferoja të mos e bëja. Pastaj nuk i takon Shqipërisë të shkojë më tutje, të marrë një vendim të tillë, kur çështja e legalizimit të marijuanës mbetet ende një temë e hapur në vende më të zhvilluara se ne në BE. Për momentin jemi të përqendruar tërësisht në një luftë pa tolerancë dhe kompromis kundër krimit të organizuar dhe çdo lloj trafiku”. Ndërkohë, pyetjes se çfarë kërkon qeveria shqiptare nga Italia, Rama pohoi: “Duhet një bashkëpunim më i afërt i policive dhe strukturave të rendit publik, por edhe të atyre sociale për të luftuar krimin e organizuar”. Sipas kreut të qeverisë, ka shumë punë për të bërë në nivelin evropian për Mesdheun nga Evropa. “Ju në Itali keni ende problem pasi vijnë shumë emigrantë nga të gjitha anët dhe siguria e deteve është e lidhur me një fakt shumë të thjeshtë, duhet të shkojmë përtej atyre gjërave që jemi mësuar të bëjmë, pasi Evropa e gjitha ecën me hap të ngadaltë, problemet rriten me shpejtësi”, – deklaroi Rama për “Porta a Porta”. Po ashtu, korrespondenti i emisionit të drejtuar nga gazetari i njohur italian Bruno Vespa, zhvilloi një intervistë edhe me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i cili theksoi se Lazarati nuk duhet luftuar, por duhet shpëtuar. “Një operacion policor nuk mjafton, sepse duhet menduar për të nesërmen. E rëndësishme është gjetja e mjeteve për zhvillimin ekonomik e shoqëror”.

 

Reportazhi

Në emisionin e dy netëve më parë të “RAI 1”-s, në qendër të tematikës ka qenë problemi i drogës së Lazaratit që vërshon drejt Italisë dhe Evropës, kryesisht përmes kanalit të Otrantos. Gazetari gjatë vizitës në Shqipëri udhëtoi edhe drejt Lazaratit dhe është futur edhe në fshat. Ai intervistoi kryetarin e Komunës së Lazaratit, i cili pohoi se e dinte se në fshatin e tij kultivohej marijuana, por shtoi se kjo ishte rruga e vetme për të jetuar dhe për të rritur fëmijët. “E di që në fshatin tim ka shumë marijuanë, por nuk e di ku shkon. Bashkëfshatarët e mi janë të detyruar të kultivojnë drogën për të rritur fëmijët. Po përpiqemi të gjejmë mundësi të reja ekonomike”, – tha Aliko. Personat e tjerë të takuar nga gazetari italian gjithashtu pranuan hapur se merren me kultivimin dhe trafikimin e drogës. Ndër ta ishte një 70-vjeçar, i cili prej 10 vitesh paguhej 10 euro në ditë për të mbjellë kanabis. Ndërsa një skafist rrëfeu se në vend të klandestinëve tani sjell në brigjet italiane drogë dhe se i paguajnë 200 euro për çdo kilogram. Emisioni “Porta a Porta” bëri të ditura edhe shifrat e policisë lidhur me marijuanën në Lazarat. Në këtë fshat gjenden 350 mijë rrënjë kanabis në 320 hektarë tokë, ku 90% e familjeve në Lazarat merret me kultivimin e marijuanës dhe çdo familje prodhon rreth një ton drogë në vit, çdo kg marijuanë shitet për 300 euro. Ndërkohë, të ardhurat nga tregtia e marijuanës dhe substancave të tjera të ndaluara arrijnë në rreth 4 miliardë euro në vit, që do të thotë gjysma e PBB-së së Shqipërisë.

 

 

 

Konferenca në Bruksel/ Kukan: Pa politikë konsensuale, s’ka hapa para për statusin dhe integrimin në BE

 Basha merr pjesë në takimin e PPE-ve. Migliori: Falë PD-së, zgjedhjet e 23 qershorit, me standarde

Kryetari i delegacionit për Marrëdhëniet me Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan, thekson nevojën e një politike konsensuale, në mënyrë që vendi të bëjë hapa përpara në drejtim të marrjes së statusit kandidat në Bashkimin Evropian. Në fjalën e tij në konferencën e katërt “Ballkani Perëndimor: Nga stabilizimi në asocim”, organizuar në Bruksel nga grupi parlamentar i PPE-së në Parlamentin Evropian, Kukan theksoi se një situatë politike e qetë dhe e qëndrueshme do të ndikonte pozitivisht në rrugëtimin evropian të Shqipërisë. “Pa një politikë konsensuale, pa vendosur një vijimësi të një situate politike të qetë, stabile e të qëndrueshme e konsensuale nuk ka hapa përpara për status dhe ecjen e mëtejshme me integrimin e vendit”, – deklaroi Kukan. Nga ana tjetër, eurodeputeti theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor janë vetëm një hap larg BE-së dhe nuk duhen lënë prapa apo izoluar. “Ne jemi të përgatitur t’i ndihmojmë dhe t’u ofrojmë mbështetje këtyre vende në këtë rrugë”, – tha ai. Ndërkohë, kryetari i grupit të PPE-së në Parlamentin Evropian, Joseph Daul, nënvizoi se e ardhmja e rajonit është në Bashkimin Evropian. “E ardhmja e rajonit të Ballkanit është në BE. Në Evropën e vlerave të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë, vlerave të përbashkëta të paqes, bashkëpunimit, prosperitetit të përbashkët, interesave të përbashkëta”, – theksoi Daul.

 

Basha

Në konferencën e katërt “Ballkani Perëndimor: Nga stabilizimi në asocim”, organizuar në Bruksel nga grupi parlamentar i PPE-së në Parlamentin Evropian, mori pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në këtë konferencë u diskutua me liderë politikë nga vendet e rajonit për situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e secilit vend për anëtarësim në BE. Konferenca drejtohej nga Joseph Daul, kryetar i grupit të PPE-së në Parlamentin Evropian dhe President i PPE-së. Ndër diskutantët kryesorë ishin Eduard Kukan, kryetar i delegacionit për Marrëdhëniet me Shqipërinë, Bonjë-Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën në Parlamentin Evropian, Riccardo Migliori, këshilltar i posaçëm dhe ish-kryetari i Asamblesë të OSBE-së, zv.kryetar i grupit të PPE-së në Parlamentin Evropian Gunnar Hokmark etj. Në fjalën e tij, këshilltari i posaçëm Riccardo Migliori ka vlerësuar kontributin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit. “Falë PD-së, zgjedhjet e vitit 2013 në Shqipëri, kanë qenë më demokratike dhe më të mira”, – theksoi ai.

 

 

Lobimi për statusin/  Bushati me Steinmeierin: Vlerësim progresit. Gjosha me Kourkoulasin: Presim “po” në qershor

Në kuadër të vizitës së tij në Gjermani, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi dje bisedime me homologun gjerman Frank-Walter Steinmeier, ku u diskutua për mënyrat e përforcimit dhe thellimit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik midis dy vendeve, si në rrafshin dypalësh ashtu dhe në atë rajonal. Bashkëbiseduesit ndanë shqetësimin mbi zhvillimet më të fundit në Ukrainë, pasojat e mundshme në arkitekturën e sigurisë së kontinentit evropian, si dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s. Ministri Bushati e informoi homologun gjerman për avancimin e axhendës evropiane të Shqipërisë, rëndësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat, si dhe politikën dinamike dhe konstruktive të Shqipërisë në rajon. Nga ana e tij, ministri Steinmeier, vlerësoi progresin e deritanishëm të Shqipërisë në procesin e integrimit, duke konfirmuar mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së. “Bashkëpunimi i Gjermanisë me Ballkanin Perëndimor përmban vlera reformuese dhe transformuese, të cilat do të ndihmojnë ankorimin e shpejtë të rajonit në rrjedhat euroatlantike”, – u shpreh ministri Bushati. Po ashtu, kryediplomati shqiptar zhvilloi një takim me kryetarin e Komisionit për Çështjet e Integrimit në Parlamentin gjerman, Gunther Krichbaum, dhe me deputetë të koalicionit qeverisës CDU/SPD, anëtarë të grupit për politikën e Jashtme. Gjatë takimit u diskutua mbi perspektivën e integrimit të Shqipërisë në BE, marrjen e statusit të vendit kandidat, avancimin drejt bisedimeve për anëtarësim dhe mbështetjen e Gjermanisë në këtë drejtim. Ndërkohë, ministrja e Integrimit Klajda Gjosha ka nisur ditën e djeshme takimet në kuadër të vizitës së saj zyrtare në shtetin grek, ku u takua me kreun e Komitetit Parlamentar për Çështjet Evropiane Ionnis Tragakis. Gjosha theksoi se për Shqipërinë është me rëndësi roli i Presidencës greke të BE-së, duke nënvizuar se qeveria mbetet e vendosur për avancimin në axhendën evropiane. Po ashtu, Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, gjatë vizitës zyrtare në Athinë, zhvilloi një takim me zv.ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Kourkoulas. “Presim një vendim pozitiv në qershor. Janë me shumë rëndësi treguesit në vazhdimësi për përmbushjen e 5 prioriteteve që keni aktualisht”, – tha zv.ministri i Jashtëm grek.

 

 

Share it :